Samiti i Tiranës, ministrja Xhaçka: Vlerësim i BE për rolin lider të Shqipërisë në rajon
Samiti i Tiranës i 6 Dhjetorit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, ishte një vlerësim nga Bashkimi Europian për Shqipërinë për rolin lider që luan në rajon.
Kështu është shprehur ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në një prononcim për emisionin Opinion në Tv Klan, e cila është përzgjedhur nga ky program si një nga 12 personazhet e vitit 2022 në vend.
Sipas ministres Xhaçka, Tirana u përzgjodh për këtë samit nga vetë BE-ja, por organizimi është realizuar tërësisht nga Ministria e Jashtme dhe institucionet e tjera shqiptare.
Gazetarja Manjola Bregasi: Çfarë përfaqësoi për Shqipërinë, Samiti i Tiranës?
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka:Në fakt ishte një ngjarje e jashtëzakonshme siç e pamë të gjithë, siç e keni transmetuar edhe ju përmes televizionit tuaj. Ishte pa asnjë diskutim një rikonfirmim, një angazhim i Europës, i BE për perspektivën europiane të Shqipërisë edhe të gjithë rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor. Ishte dhe një vlerësim i jashtëzakonshmë për vendin tonë, për reformat, për arritjet, për gjithçka që Shqipëria ka bërë në të shkuarën dhe vazhdon të bëjë veçanërisht për promovimin e integrimit dhe të bashkëpunimit rajonal. Patjetër që ishte një mesazh i rëndësishëm që vjen në një moment të vështirë për Europën dhe për gjithë botën do të thoja si pasojë e luftës në Ukrainë, e cila ka pasur pasojat e saj në ekonomitë kombëtare por edhe familjare, edhe të Shqipërisë sikurse të gjithë Europës dhe të gjithë botës. Padiskutim që është një moment i rëndësishëm për të cilin duhet të ndihen krenarë të gjithë shqiptarët sepse Shqipëria është vlerësuar për rolin e saj pozitiv dhe konstruktiv jo vetëm në rajon por së fundmi me vitin tonë të parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka pasur rastin që të luajë një rol aktiv dhe të dobishëm në linjëzim të plotë me BE, edhe për çështje të mëdha ndërkombëtare për të cilat ka fituar respektin dhe admirimin e partnerëve dhe aleatëve. Nuk është rastësi që u përzgjodh Shqipëria edhe për faktin që besoj ashtu siç e kemi parë të gjithë, organizuam një samit të jashtëzakonshmë i cili do të mbetet gjatë në mbresat e partnerëve tanë europianë.
Gazetarja Manjola Bregasi: Pra ju po thoni që nuk ishte as çështje fati dhe as çështje rastësie që ky samit u mbajt në Tiranë? Si erdhi? Si u përzgjodh Shqipëria dhe cila ishte pjesa e organizimit që shteti shqiptar mori përsipër?
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka: Përzgjedhja padiskutim ishte e partnerëve europianë dhe vjen si pasojë e asaj që sapo ju thashë, i një vlerësimi të Shqipërisë, i një vlerësimi të rolit që Shqipëria luan në rajon si një lider do thoja në rajon sa i takon çështjeve të integrimit, sa i takon çështjeve të bashkëpunimit rajonal. Patjetër që organizimi na u besua ne dhe kemi bërë shumë për të pasur një aktivitet vërtetë mbreslënës në një sinergji të plotë mes të gjitha institucioneve por veçanërisht këtu në Ministrinë e Jashtme, me protokollin e shtetit, me të gjitha drejtoritë në Ministrinë e Jashtme për të organizuar një samit i cili do të mbahej mend gjatë duke qenë që ishte dhe samiti i parë i organizuar jashtë vendeve anëtare të BE.
Gazetarja Manjola Bregasi: A mund të themi ndonjë element cila ka qenë pjesa më e vështirë, elementi më i vështirë apo drejtuesi më i vështirë në drejtim të kërkesave që mund të kishte lidhur me samitin?
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka: Nuk ka pasur drejtues të vështirë, por ka pasur një angazhim masiv, një angazhim të jashtëzakonshëm të të gjithë aktorëve për t’u kujdesur që të gjitha delegacionet të kishin vëmendjen e duhur dhe që mbarëvajtja, siguria, funksionaliteti, pra funksionimi i të gjithë samitit të ishte i përkryer dhe ia dolëm që të ishte i tillë. Nuk ka pasur absolutisht asnjë cedim dhe jo vetëm liderët europianë dhe delegacionet e tyre ishin shumë të kënaqur, por besoj ju e keni parë që edhe mbi 300 gazetarë të cilët ishin të pranishëm në samit, gazetarë kryesisht europianë të cilët mbulojnë politikën, u ndanë nga Shqipëria me mbresat më të mira dhe kanë bërë një promovim të jashtëzakonshëm të imazhit të vendit tonë si një vend modern, si një vend i cili meriton që të jetë pjesë e familjes europiane ashtu siç është edhe gjeografikisht. /tvklan.al