Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Apeli, 32 mijë gjyqe në pritje/ Nga 1 shkurti të gjitha gjykatat...

Apeli, 32 mijë gjyqe në pritje/ Nga 1 shkurti të gjitha gjykatat bashkohen në një të vetme në Tiranë

Katër ditë përpara se pesë gjykata të Apelit të mbyllen, dhe të mblidhen në një të vetme në Tiranë shumica e çështjeve janë dorëzuar në atë që do të jetë gjykata e vetme e Apelit në vend.

Nga 21 mijë dosje që kishte në pritje apeli i Tiranës stokut i shtohen edhe 11 mijë të tjera nga rrethet , duke e çuar numrin e çështjeve që presin në 32 mijë.

Ky ambient i nëndheshëm këtu në gjykatën e Apelit që merr kompetencat e juridiksionit të përgjithshëm do të përdoret si vend magazinimi për dosje që do të hidhen në short.

 “Ambienti ku ju ishit, i përket çështjeve që duhet të hidhen në short sepse s’ka datë gjykimi. Këtu ku gjendem unë është zyra e një gjyqtari nga rrethet , të cilit i janë sjellë dosjet nga qyteti ku ishte dhe për të cilat ai ka caktuar një datë gjykimi. Bëj me dije qytetarët se dosjet për të cilat ka një datë gjykimi nuk do të ketë short. Short do të ketë për ato që s’ka datë dhe për ato ku trupat janë të deleguara”, tha kancelarja Lertida Balili.

Megjithatë pritet që problemet e para të shikohen gjatë hedhjes së shortit për dosje të mëdha që s’ka ende një gjyq për to si ajo me rëndësi politike për gjyqin për  Partinë Demokratike dhe lidershipin apo edhe gjyqe si ai i Endrit Dokles.

Vështirësia e dytë pritet të jetë mungesa e ambienteve të mjaftueshme për salla gjykimi dhe zyra për 25 gjyqtarë nga 78 që duhet të jenë në detyrë. Dhe e treta, vendi i pritjes për qytetarët që do të vijnë nga Apelet që mbyllet në 31 janar.

Megjithatë për sigurinë, Apeli ka vendosur të sistemojë hyrjen për të paraburgosurit dhe të dënuarit që do të zbresin përmes kësaj shkalle dhe që nga 30 deri në 50 në ditë do të zhvendosen në këtë sallë derisa të zbresë trupa gjyqësore.

Shkrirja e gjykatave të Apelit u krye sipas hartës së re gjyqësore, që synon të standardizojë shërbimin gjyqësor, por që vështirë se do të zgjidhë dhënien e drejtësisë në kohë.

Top Channel

Share: