Home Gjeo-Ekonomia BIOGRAFIA E NJË KRYEMINISTRE APO EPOKA MERKEL

BIOGRAFIA E NJË KRYEMINISTRE APO EPOKA MERKEL

Nga Geron Kamberi

Teksa këto ditë përfundova së lexuari biografinë për ish kancelaren gjermane Angela Merkel ( 17.07.1954) të gazetares gjermane Ursula Weidenfeld me titull Kancelarja : Portret i një epoke (përkthimi Gaqo Karakashi, redaktore Maringlena Kurtaj , Viti 2022, SHB Botart,249 faqe,titulli në origjinal: Die Kanzelerin:Portrait einer Epoche, Rowohlt Berlin Verlag Gmht, Berlin) arrin të kuptosh më mirë rolin dhe peshën që kishte kjo figurë e rëndësishme politike e Gjermanisë dhe Europës që qeverisi për 16 vjet shtetin gjerman(22.11.2005—08.12.2021) , lokomotivën ekonomike e politike të BE.

Përmes “9 stacioneve biografike” autorja Ursula Weidenfeld ( 15.03.1962) është ndalur në momente të tilla si “( 1) Dorëheqja, 2) Jeta 3)Burrat 4)Gratë 5)Sukseset 6) Gabimet 7)Zhgënjimet 8) Katastrofat 9) Trashëgimia) duke na dhënë me një përshkrim interesant atë pjesë të jetës individuale e politike të kancelares Merkel që tashmë ka marrë emrin’epoka Merkel”

Në këtë biografi të shkruar këndshëm që ftoj gjithsecilin ta lexojë , më kanë bërë përshtypje dy detaje që në këndvështrimin tim janë domethënëse për personalitetin e kësaj politikane

Së pari në cdo përvjetor ditëlindje që organizonte CDU për ditëlindjen e zj Merkel ajo gjithmonë ftonte një profesor universiteti që të referonte për një temë që ajo e dëgjonte me vëmendje deri në fund megjithëse të ftuarit e tjerë e humbin durimin. Psh me rastin e 55 vjetorit kishte ftuar studiuesin Wolf Singer që të mbante një referat për trurin si ‘ Shembull i sistemeve të vetëorganizuara” apo me rastin e 60 vjetorit kur kishte të ftuar historianin Jurgen Osterhammel për të referuar mbi temën” Horizontet kohore në histori” .

Ndoshta nga një këndvështrim kjo mund të duket disi e tepërt, por në rolin e një politikane që vinte nga fusha e shkencës ( kishte punuar për 12 vjet si studiuese në Institutin e Kimisë Fizike, Akademia e Shkencave të Berlinit) kjo tregonte për rolin dhe rëndësisë që i jepte arsyetimit të mbështetur në të dhënat shkencore.

Së dyti duke qenë shpesh se gazetarët apo kundërshtarët e kritikonin për një mungesë karizme e entuziazmi emfatik për të mbrojtur politika të caktuara kur e pyesin se cili është vizioni i saj për Gjermaninë , me një lloj ironie përgjigjej me një shprehje të perifrazuar të ish- kancelarit Helmut Schmidt “ se kush ka vizione duhet të shkojë tek mjeku” .Thelbi i politikës së saj ishte planifikimi i saktë, besimi tek kapacitetet shkencore e njerëzore të Gjermanisë dhe tek bërja e politikës pa zhurmë por me hapa të matur që nuk të rrëzojnë nga nxitimi.

Si kancelarja e parë femër e Gjermanisë , Merkel shënoi me të vërtetë një epokë, ku secili mund të ketë këndëvshtrimet e opinionet e tij pro dhe kundra , por një gjë mbetet e pandryshuar: duke përballur me gjakftohtësi krizat e shumta që e shoqëruan ndryshoi Gjermaninë e zgjodhi të vetëlargohet me dinjitetin e një zonje…

Share: