Nga Adnand Lleshaj
Në të është gjendur arkitrau i Stemës dë Arbërit mesjetar nga Akademik Mark Tirta, është nxjerrë Alfabeti i Gjuhës së Sotme Shqipe nga Abat Prend Doçi, është mbledhur Kanuni i Lekë Dukagjinit nga At. Shtjefën Gjeçovi që e konsideronte trevën mirditase si një ndër krahinat e vetme që kishte të ruajtur të paprekura nga ndikimet turke traditat, gjuhën, e doket (zakonet), të trashëguara në pastërti arbërore.
Por nëse aty gjejmë studiues nga Hann, Edith Durham, Aleksandër Meksi (duke e konsideruar edhe si një qendër ballkanike që pregatiste priftërinj e shuguronte kisha deri përtej shtetit shqiptar të sotëm), sot Mirditën nuk e shohim më si të vizituar turistikisht, dhe pse ndër vite ka tërhequr vëmendjen e francezëve, e deri të Ambasadorëve gjermanë, suedezë, danimarkas, etj… të cilët në fakt e njihnin Mirditën më shumë përmes historisë së saj vetëqeverisëse edhe nën periudhën e perandorisë më të fuqishme të kohës – Osmane – kur gjithë Ballkani, Azia perendimore e Afrika verilindore ishin nën pushtimin e saj.
Vitet e fundit një filantropiste, quajtur Marianne Graff, bëri atë që për turizmin e kësaj treve nuk e kishin bërë afro 60 vjet histori, por prapë, kontributi i saj mbeti i përqëndruar përreth qyetit të Rrubikut -si psh. “Infokulla”, etj- por pa arritur të depërtojë deri në qytetin e Rrëshenit, e për të shkuar më tej: në rrënjët e hershme, në zemrën e vjetër mirditase, Oroshin.
Këtë vit Profesori i Skulpturës. Benard Lekgegaj – i cili është i njohur për veprat e tija në mirditë si: Busti i Anton Çetës në Rrëshen, i Gjeneralit të Skënderbeut “Pjetër Perlati” në Përlat, veprat në Muzeun e Rrethit, apo dhe të tjera që kanë kaluar kufinjtë e shqiptarisë, Gadishullit të Ballkanit, Europës, e deri kaluar oqeanin në Kontinentin Amerikan- sëbashku me z.Arben Doda -Drejtues i Lartë i kompanive ndërkombëtare të Industrisë Bankare, Financiare, e së fundi i Administratës Publike- organizuan një ekspeditë turistike, itinerari i së cilës filloi me:
-ndalesën tek “Memoriali i Ded Gjo Lulit” (të cilit do i shkonte një Bust përkujtues që gjithë kalimtarët e Rrugës së Kombit të krijonin një ide për këtë) figurë atdhetare që ka çfarë tu kujtojë brezave të ardhshëm;
-një ndalim në qytezën e Repsit, e cila e rikonstruktuar e me çatitë e kafta të pallateve, do të mund të ishte një tip rezidence e bukur, nëse do ti kthente ndërtesat e gjysmëtëbraktisura në bujtina a fjetore;
-vizitë në Kisha e Oroshit, të cilën e gjejmë të rindërtuar pas viteve 90’, e prej ku mund të shihen trojet e Sarajeve të Familjes Princërore të Gjomarkajve, ishkonvikti i Oroshit, e deri tek Akademia që ngritën austriakët që populli e njeh si “Shkolla e Dragomanëve”, apo “Shkolla e Dragonjve”;
-prej aty, u ngjitën shtegut -të pashtruar me asfalt- për në fshatin Nënshejt (që banorët e zonës e quajnë “Nanshejt”, e nëse do të donim ta letrarizonim do e quanim “Nënshent”, por do i largoheshim njërit prej versioneve etimologjike të prejardhjes së emrit të tij nga “9 shenjtër/ Nan(të)shejt(ë)”; kur më i besueshëm është versioni “Nanshejt” për “Nën/poshtë” “Shenjtit” duke nënkuptuar “poshtë manastirit mesjetar që ka qënë mbi majën e malit të këtij fshati”) ku bënë një pushim tek burimi i fushës që toponimia e zonën e ka quajtur: “Lugj’t”;
-do vazhdonin pastaj lart, duke kaluar përmes “Qafës së qirit” ku banorët e zonës e konsiderojnë si një tip vendi mistik e të shenjtë, e deri në dhjetëvjeçarin e fundit është ruajtur tradita që kur e dërgojnë një të vdekur për në varrezën e fshatit, e ndalonin kufomën “të pushojë” e madje ndiznin dhe “qirinj” në atë qafë, anët e së cilës të rrethuar nga shpatet e malit ndalojnë erën, e burrat shkëmbenin cigare;
-kaluan varrezën e vazhduan në këmbë deri në një ndër 9 majat e malit të “Nanshejt-it”, në “Fushatlugja” (fusha të lugëta) prej ku mund të vërehet fshati përposh, Kisha (e Re) e Oroshit, e deri Liqenet e Mirditës tej në horizont; e ku besohet se ka qënë Manastiri Mesjetar që dogjën osmanët; vend i cili s’ka në fakt asnjë përkujtimore, por që të vjetrit e kujtojnë që aty ka qënë “Kisha e Vjetër”, “Shën Llezhdri”, apo “Saint Alexandris” siç del nga dokumentacionet e studimet mesjetare;
-më pas do të ktheheshin me makina mespërmes “9-shejtit” për të marrë një shteg jugor, qorrsokak ku makinat nuk mund të depërtojnë më tej, por që mund të vazhdohet në këmbë përmes shkrepave për të kaluar “Amanetin e Kryqit”, “Kepin e Skënderbeut”, “Vorret e Serbit”, e për të zbritur në fshatin “Konaj”. Shteg që fare mirë mund të quhej edhe në gjuhën angleze “Hi-king”, sepse mund të kalohet vetëm me marshim malor; megjithëse mundet gjithashtu që të kalohet dhe me kuaj ose me mushka, ashtu siç aventurierët e studiuesit e huaj të thellësive shekullore e kanë vizituar Mirditën.
Në Konaj – fshat i krahinës Fanë të Mirditës – ekspedita përfundoi në bujtinën “Koni Farm”, një projekt etnokulturoromodern ku ndërthuret Kulla autoktone me dizajnet e inovacionet më të fundit të arkitekturës, dhe vjen si investim i “Gruppo Koni”, ku Mark Nikolli është bashkëinvestues; Marku është Presidenti Eksekutiv i “Green Universe” (një grup kompanish të specializuara në Ekonominë e Gjelbër e në Çështjet Mjedisore) me zyrat në Dubai – dhe ka një sërë kompanish të ndryshme në Zvicër, Milano, Shqipëri, e gjer në Lindjen e Mesme të Afrikës; por që është kthyer për të kontribuar në vendlinjen e të parëve. Ky është një gjest tepër fisnik, atdhetar e largpamës dhe më kujton atë shprehjen e juristit Alfred Duka që “Herët a vonë, të gjitha udhët do shkojnë në vendin e vet” i cili gjithashtu ka investuar e ngritur një projekt të ngjashëm në Perlat të Mirditës.
Mordita si thesar turistik është ende tepër larg po ta krahasojmë me Thethin e ngjashëm. Mungon një tabelë në rrugë, mungon sinjalistika, një hartë memece për turistët e huaj, megjithëqë ajo është e pasur kulturalisht, historikisht e për nga bukuria e natyrës: 23 varreza mesjetare të “Kulturës së Komanit” janë zbuluar vetëm nga etnologu Mark Tirta, asnjëra nuk mban një tabelë; kalatë shekullore, kishat mesjetare, e deri tek “Guri i Gjugjës” që mendohet të jetë dokument i një civilizimi mbi 5000-vjeçar.
Sidoqoftë, Mirditën vitet e fundit po e vizitojnë përherë e më tepër vizitorë vendas e deri francezë, gjermanë, danezë, suedezë, austriakë e anekënd botës.
Adnand LLESHAJ