Nga cikli ‘Zgara e meditimeve të çastit’ të
Çapajev Gjokuaj
Në shumicën e familjeve, kudo në botë, gatuajnë gratë. Vështirë të shpjegosh pse kuzhinierët më të famshëm në restorante janë burra.
Diskriminim? Gruaja bën të përditshmen, atë që s’bie në sy, kurse burri bën atë që ngjall vëmendje e vlerësim publik?
Forcë zakoni? Gruaja brenda, burri jashtë; gruaja në shtëpi, burri në shoqëri?
Pushtet patriarkal? Shefi i guzhinës jo vetëm gatuan, por edhe menaxhon, vë të tjerët në punë, koordinon; punë këto që tradicionalisht mentaliteti ia ka rezervuar burrit?
Rastësi? Kështu e ka prurë hera; kur u ndanë ato u ranë: gruas i ra në pjesë intimja, familjarja; burrit publikja?
Apo: kjo dukuri i takon historisë dhe jo të sotmes?
( Nga cikli ‘Zgara e meditimeve të çastit’ )