Home KRYESORE Akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, arrestohen 4 zyrtarë të bashkisë Dimal

Akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, arrestohen 4 zyrtarë të bashkisë Dimal

Katër zyrtarë të Bashkisë së Dimalit janë arrestuar nga autoritetet me urdhër të Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të arrestuarit akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre si dhe për ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Në pranga janë vënë edhe 2 punonjës të një firme private. Të gjithë janë lënë në burg, përveç ish-shefes së Urbanistikës.

Tre zyrtarët që kanë rënë në pranga janë, Altin Pali, Drejtor i Urbanistikës, Agim Cuni, Specialist te Emergjencat dhe Arben Guraj, Përgjegjës i sektorit të Shërbimeve.

Njoftim i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.214 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 8 datë 12.02.2023, ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A.Ç. (me detyrë shef transporti në kohën e kryerjes së veprës penal pranë Bashkisë Dimal), i dyshuar për veprat penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 /2 dhe 25 i K.Penal dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim A. P. (me detyrë drejtor i Zyrës së Urbanistikës, Bashkia Dimal), i dyshuar për veprat penale të “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248, 259/1, 245/1 dhe 25 i K.Penal.
3. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V. J. (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale shefe urbanistike pranë Bashkisë Dimal), e dyshuar për veprat penale të “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1, 259/1, 248 dhe 25 i K.Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A. Ç. (me detyrë shef i IKMT, Bashkia Dimal), i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
5. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A. D. (me profesion inxhinier pranë një shoqërie tregëtare), i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të Ndikimit të Paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i K.
6. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim V. K. (me profesion ekonomist, menaxher i një shoqërie tregëtare), i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i K. Penal.
Në datën 14.02.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.8 datë 12.02.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

Share: