Lajm i mire nga Besiana Kadare
Qeveria shqiptare ka vendosur të përgatisë dosjen e kandidaturës për të regjistruar lumin e Vjoses, i cili konsiderohet si lumi i fundit ende i egër në Evropë, si Rezervat Biosferik i UNESCO-s, me qellim mbrojtjen e qëndrueshme te biosferes se këtij thesari të jashtëzakonshëm kombëtar. Njoftimi u bë nga Ministrja Kumbaro gjatë një vizite qe zhvilloi në Shqiperi javen e kaluar Drejtoresha e Pergjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay.
Ujërat blu të lumit Vjosa rrjedhin lirshem dhe pa asnje pengese nga burimi në Greqi e deri sa derdhen në detin Adriatik. Pellgu i lumit Vjosa është habitat per gati 1,100 lloje kafshësh dhe bimësh, përfshi 13 specie shtazore dhe 2 specie bimore të kërcënuara në mbarë globin.
C’jane rezervatet biosferike të UNESCO-s
Ne kuader te Programit nderkombetar te UNESCO-s « Njeriu dhe Biosfera », Rezervatet e biosferës promovojne zgjidhje te ekuilibruara ku mbrojtja e biodiversitetit nderthuret me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrale. Pra Rezervatet e biosferës jane konceptuar edhe si hapesira eksperimentimi për nje zhvillim të qëndrueshëm në kontekste të ndryshme ekologjike, sociale dhe ekonomike, duke prekur jetën e më shumë se 250 milionë njerëzve ne botë. Roli i tyre është i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e vlerave dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore, por edhe për zhvillimin e qëndrueshem dhe ndërtimin e sinergjisë ndërmjet mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Aktualisht UNESCO ka 738 Rezervate të Biosferës në 134 vende që i përkasin “Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës”. Rezervatet e reja përcaktohen dhe zgjidhen çdo vit nga Këshilli Koordinues i Programit Ndërkombëtar (International Program Coordinating Council – IPCC), organ i përbërë nga përfaqësues të zgjedhur nga 34 shtete anëtare të UNESCO-s.
Vlen të theksohet se Shqipëria ka regjistruar ndërkaq në 2014 Zonen e liqeneve te Ohrit dhe te Prespes si “Rezervat biosferik ndërkufitar” te UNESCO-s, se bashku me Maqedonine e Veriut. Kjo zone ka biodiversitet tejet te pasur, me ekosistem unik ku jetojne specie te rralla dhe te rrezikuara ne nivel global.
Jam e lumtur dhe entuziaste per punen e rëndësishme qe na pret per te pergatitur dosjen dhe regjistruar pellgun e lumit Vjosa si Rezervat biosferik te UNESCO-s! Duke u mbeshtetur edhe në ekspertizën dhe mbështetjen që do të na ofrojë UNESCO dhe programi MAB në mbrojtjen e ekosistemit të lumit të Vjoses dhe përdorimin e qëndrueshem të burimeve të tij natyrore, menaxhimi i pellgut te Vjoses mund të bëhet një histori suksesi dhe best practice në gjithë Evropen, dhe pse jo, ndoshta në mbarë botën!
Dallimi mes Rezervateve te Biosferes dhe Listes se Trashegimise Boterore te Konventes së 1972
Duhet bere dallimi midis « Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës », menaxhuar nga IPCC ne kuader te programit MAB, dhe Listes se Trashegimise Boterore ku regjistrohen pasuri kulturore dhe natyrore me Vlere te Jashtezakonshme Universale (Outstanding Universal Value ose OUV). Ky kriter specifik i perket vetem Konventes se 1972. Në kuader te Konventes së 1972 për mbrojtjen e Trashëgimise botërore kulturore dhe natyrore, ratifikuar nga Shqiperia ne 1989, Lista e Trashëgimise botërore miratohet dhe menaxhohet nga Komiteti i Trashegimise Boterore (përbërë nga 21 vende anëtare të UNESCO-s) dhe organet ekperte këshillimore ICOMOS dhe IUCN (te cilet vendosin se cilat pasuri natyrore dhe kulturore plotesojne kriteret për t’u regjistruar në Listë.
Në këtë Liste Shqiperia ka regjistruar deri tani kater pasuri.
Dy pasuri kulturore :
- Butrinti
- Qendrat historike te Beratit dhe Gjirokastres
Nje pasuri natyrore :
- Pyjet e lashta te ahut te Karpateve dhe rajoneve te tjera te Evropes (pasuri e regjistruar se bashku me 17 vende te tjera)
Nje pasuri mikse :
- Trashegimia natyrore dhe kulturore e rajonit te Ohrit (pasuri e perbashket me Maqedonine e Veriut.