Nga Çapajev Gjokutaj
Ditët e fundit ka patur shumë reagime kundër Big Brother Vip. Nuk e ndjek, ndaj nuk mund të them sa të drejta janë kritikat aq shpesh të përziera me nervozizëm dhe qasje sarkastike. Gjithsesi thelbi i tyre ngjan racional se lidhet me një problem ashtor për shoqërinë tonë: çfarë modelesh i ofrojmë publikut dhe sidomos të rinjve; a i nxisim ata të priren nga puna e vlerat apo nga kotësia e vulgariteti?
Ky problemi i modelit m’u rikujtua mbrëmë pasi mbarova së pari filmin ‘Argjentina, 1985’, fitues i Golden Glob 2023 dhe njëherësh edhe i nominuar për Oscar, si filmi më i mirë i huaj. Subjekti rreket të tregojë sesi prokurori federal i Argjentinës, Julio César Strassera (Ricardo Darín) vë në bankën e të akuzuarve përfaqsuesit e juntës ushtarake, shkaktarë të mijra rrëmbimeve, torturave, vrasjeve e zhdukjeve.
Në rrjedhën e ngjarjeve shohim sesi gradualisht Strassera pranohet nga bashkëkohësit si hero kombëtar, si David që vë poshtë Goliathin fashist. Megjithatë para syve tanë si spektatorë nuk shfaqet ndonjë heroizëm impozant, përkundrazi prokurori na bëhet i dashur e i respektuar si një figurë thellësisht njerëzore që, krahas dramës, vendosmërisë, principialitetit përjeton edhe pasiguri, ndruajtje e frikë, ndriçuar të gjitha këto nga një humor i ngrohtë e dashamirës.
Me pak fjalë filmi sjell një hero që është në radhë të parë njeri, si unë dhe si ti dhe që na grish të mendojmë se heroizmi nuk zbret nga qielli, as nga legjendat, po është pjesë e të zakonshmes; nuk shfaqet me poza, pohë e bujë po me vlera e me modesti.
Ky rrafsh i filmit bëhet më i pëlqyer ngaqë klima e sotme kulturore përpiqet të na mbushë mendjen se heronj të kohës tonë janë ata që dalin shpesh në televizion: politikanë, këngëtarë tallavash, llafollogë studiosh, njerëz bjerrakohë që rrinë me javë e muaj në reality show etj., me një fjalë personazhet mediatikë.
Në fakt edhe shumë prej nesh janë të prirur t’i shohin këta si heronj, por harrojnë se ka disa ndryshime thelbësore mes heronjve të vërtetë dhe të famshmve mediatikë.
Kështu psh, heroi peshohet me vepra, me arritje, kurse personat mediatikë me famë, popullaritet a thjesht me klikime.
Mediatikët hyjnë në lajme, kurse heronjtë në histori, thoshte një historian.
Mbase s’do lenë mënjanë edhe një ndryshim tjetër: koha praron heronjtë dhe zbërdhul të pompuarit nga media. Harrohen në pak kohë, si të mos kishin frymuar kurrë.
Arritje e madhe: edhe ‘heronjtë’ po na i bëjnë njëpërdorimsh, si gotat plastike a, më sakt akoma, si bebelinot🤡