Home KRYESORE Të plakesh është privilegj, jo të gjithë kanë shansin ta gëzojnë!

Të plakesh është privilegj, jo të gjithë kanë shansin ta gëzojnë!

Nga Çapajev Gjokutaj

Parmbrëmë po rishihja ‘Stacioni i fundit’, film që sjell muajt e mbramë të Leon Tolstoit. Siç më ndodh shpesh kur rilexoj a rishikoj, edhe kësaj here vura re një tufë gjërash që herën e parë më kishin lenë thuajse indiferent.

Fjala vjen më shtyu të meditoj skena e intimitetit në shtrat mes Tolstoit dhe të shoqes, Sofisë. Thuajse gjatë gjithë filmit çifti është në mosmarrëveshje, mëri e zënka, ndaj skena e intimitetit vjen si oaz paqeje, si kontrapunkt që të shtyn të mendosh se lidhja e tyre bashkëshortore është shumë më komplekse e më njerëzore sesa duket në vështrim të parë.

Regjisori ishte kujdesur t’i jepte në një paralojë të këndshme e gazmore, por ndërronte skenë në çastin kur Tolstoi dhe Sofia do të nisnin të putheshin. Po të ishte një çift të rinjsh, mendova, regjisori s’do t’i kishte shpëtuar ngasjes për pak erotikë. Marrdhënia seksuale e një çifti pleqsh, (Tolstoi atëmot ishte 82 vjeç), mund të jetë e këndshme për ta, por jo për t’u parë nga të tjerët. Perveç që s’është e bukur, ngava përsiatjen më thellë, mund të ngjajë e shëmtuar, madje të të ngjallë edhe gërdi.

Dhe s’dija të thoshja ndodh kështu ngaqë seksi i të moshuarve është i shëmtuar prej vetiu, dmth prej natyre apo na ngjan i tillë ngaqë kështu thotë kultura ku rritemi dhe kështu na pëshpërit në vesh mentaliteti me të cilin na kanë mbrujtur.

Kjo puna e trupit të plakut a plakës më solli në mend Elin, një shoqe shumë e afërt e viteve të rinisë. S’jemi parë prej dekadash ngaqë qysh në fillimet e tranzicionit emigroi në Australi, por para ca muajsh gjetëm njeri-tjetrin online dhe herë pas here shkruhemi në messenger.

Do e kisha të vështirë, në mos të pamundur, të bisedoja ballëpërballë me Elin për lakuriqsinë, qendrimin e të moshuarit a të moshuarës ndaj trupit dhe turpe🤪 të tjera të kësaj natyre. Po messenger të çliron nga ndruajtja e turpi, të bën më të shpenguar e më të çiltër.

Një ditë Eli ishte gdhirë mahmur, ndaj nisi të qahej se po plakej e po shëmtohej. Për t’i dhënë sadopak kurajo i kujtova se kur ishim të rinj shumica e djemve nuk i thoshnin Eli apo Elvira, po Helena e Trojës. Pastaj, gjysëm me shaka e gjysëm seriozisht shtova se Helena e Trojës është bukuri e pasosur, ka hire me bollëk dhe pleqëria, sado të marrë, nuk i shteron dot.

Iku e vate bukuria, ma ktheu, sot pas dushit të mëngjesit pashë veten në pasqyrën përballë dhe s’ta them dot me fjalë sa e mjerë u ndjeva.

Pe veten si të ka bërë nëna?!, e ngacmova për t’i shpëtuar sentimentalizmit me ahe e uhe që shoqëron biseda të tilla.

Ma ktheu se nëna kishte bërë krejt tjetër gjë, një njomëzake me lëkurë rozë e me aromë dehëse; jo fëmijë po gonxhe në agim, gati për t’u çelur. Trupi në pasqyrë, shtoi, vërtet ishte lakuriq, vetëm se jo si ai që pat bërë ime më po si e kanë katandisur gjashtëdhjetë e shtatë vjet: i rudhur e i reshkur, mbuluar me njolla e lapa. Sa herë e shoh kam një ndjesi të trazuar: keqardhje përzier me neveri.

Po janë trupat tanë e nuk i flakim dot në koshin e mbeturinave, e ktheva në shumës për të zbutur sidokudo dramën.

Edhe një gjë tjetër nuk di ta shpjegoj, vazhdoi ortekun e ankesave ajo, nuk ndjej kurrfarë neverie kur shkoj në pishinë e shoh moshatare a moshatarë, kënaqem në shoqërinë e tyre pavarësisht se trupat i kanë të zhubrosur.

S’qënka fajtor trupi, mendova, kurse Elit ia ktheva me humor se duhej të këmbente qarjet me qejfet, kurrë nuk është vonë për njëçikë qejf, çfardolloj qoftë shtova dhe fjalëve u bashkëngjita emotikonin 😜 që përcjell shaka e nënkuptim.

Më vonë gjatë ditës e solla disa herë në mend bisedën dhe s’dija të thoshja ku i kishin rrënjët qarjet e shoqes së rinisë. Ishte vallë një gjendje psikologjike momentale apo fillim i një depresioni, që me kalimin e viteve do rritej pikë e nga një pikë për të marrë trajtën e një mekanizmi psikologjik vetmbrojtës: ashtu e zhvleftësuar, si gjithë të moshuarit, do ta kishte më lehtë të bashkëjetonte me idenë e vdekjes e ta priste jo si tmerr por si diçka të natyrshme.

Tekstin e mësipërm ia dërgova Elit dhe e pyesja nëse ishte dakord ta postoja për miqtë e fejsbukut. Postoji e mos ki gajle fare, m’u përgjigj, ke hyrë aq thellë sa as unë nuk e njoh veten, pa le më të më identifikojnë të tjerët. Dhe pastaj shtonte se duke lexuar përsiatjet e mia i ishte kujtuar Floberi, që pyetjes se kush i kishte shërbyer si prototip për zonjën Bovari, iu pat përgjigjur: zonja Bovari jam unë.

Bukurinë dhe freskinë e trupit mund ta kesh në ikje, iu përgjigja, po batutat i ke po aq të mprehta sa pesëdhjetë vjet të shkuara😍 Dhe pastaj shtova thënien: Të plakesh është privilegj, jo të gjithë kanë shansin ta gëzojnë🧐🤫

Share: