Nga Aleksandër Çipa
Këtu, është e frikshme harresa. Ka një harresë të cilën përsëritshëm e perceptoj se qenka gati në gjendjen e pashmangshme të ajrit. Edhe kur përpiqemi të kujtojmë, dëshmojmë se mund të harrojmë talentueshëm.
Milan Kundera diku flet për harresën. E diskuton atë si temë. Ndër të tjera thotë:
“…Ky është problem i madh privat i njeriut: vdekja si humbje e vetvetes. Por, çfarë është vetvetja? Shuma e gjithçkaje që ne mbajmë mend. Pra, ajo që na tmerron te vdekja nuk është humbja e së shkuarës. Të harrosh është një formë vdekjeje përherë e pranishme në brendinë e jetës…”
Në popujt e vegjël përsëriten shpesh harresat e mëdha. Madje, harresat tronditëse. Jo në gjithë kohësi. Shqiptarët e kësaj kohe harrojnë frikshëm. Ky është një problem që as e kuron kush. Madje, gati si në një roman të pashkruar grotesku, sot në shoqërinë tonë, harresën më shumë duket se e ndihmojnë institucionet.
Harresën e shumëfishon përfaqësimi përmes anonimatit. Për këtë arsye Kundera e konsideron faktin se :”…të harrosh është edhe problem i madh i politikës. Kur një fuqi e madhe do t’ia heqë një vendi të vogël ndërgjegjen kombëtare, ajo përdor harresën e organizuar”.
Në Shqipërinë tonë ka shtuar provë dhe realitet të frikshëm harresa e organizuar.