Nga Çapajev Gjokutaj
Grindje për të sotmen e grindje për të shkuarën. Gërrham në parlament, në media e doemos edhe në kafene.
Grindje për çdo gjë, për socialistët e për demokratët, për ballistët e partizanët, për dialektet e standardin, madje edhe për Skënderbeun, për nënë Terezën etj. etj.
Kaq shumë grindje e zhurmë, sa që ndonjëherë njeriu zë e dyshon: dëshmon kjo se jemi popull i lashtë dhe i kulturuar? Apo se jemi komb në formim?
Para se t’i biem gjoksit e të mburremi me lashtesi e pellazgë, mbase duhet të gjejmë: Si shpjegohet që ende nuk kemi arritur të krijojmë një panteon heronjsh dhe vlerash, që t’i pranojnë thuajse gjithë bashkëkombësit?
Dhe bashkë me këtë: si shpjegohet që gjenerojmë kaq shumë grindje, zhurmë e mërira dhe aq pak debat e mendim? Shumë kashtë e byk dhe pak apo aspak drithë…
( Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )