Home Gjeo-Ekonomia Takova një Italian në Shqipëri dhe më habiti si na kish kuptuar...

Takova një Italian në Shqipëri dhe më habiti si na kish kuptuar aq mirë!

Nga Sonila Alushi

Para pak ditësh, kur isha në Shqipëri, gjatë një takimi me një personalitet italian të cilit i drejtova pyetjen banale se si gjendet në Tiranë, m’u përgjigj shumë thjesht: “Gjendem tej mase mirë, kam lirinë të punoj me ritmet e mia dhe të realizoj projekte që më japin shumë satisfaksione. Pjesa shqiptare, përfshi institucionet dhe personalitet, është shumë bashkëpunuese. Zonjë, e kam kuptuar që herët se shqiptarët problemet i kanë me shqiptarët, jo me të huajt e sidomos nëse italianë.”

Ç’mu desh, mendova. Mund të ja kisha kursyer vetes këtë të vërtetë, e sidomos thënë prej një të huaji. E meqë ka ca vite tashmë që nuk i marr më të tilla gjykime si qortime, edhe pse më dhembi deri në palcë, nuk u përgjigja me një tjetër banalitet si: “hë se ju italianët nuk jeni më të mirë se ne me njëri tjetrin”.

Biles biles nuk pipëtiva fare, pata (çuditërisht) mençurinë të ndërroja muhabet. Punë llogarish që, me moshë besoj, fillon t’i bësh pa nxitimin e rinisë: më mirë një heshtje e urtë se një diskutim nacionalist steril.

Nuk ndjeva zemërim, ndjeva dhembje për këtë mallkim që na përndjek brez pas brezi. Na kanë shitur, e kemi shitur gjithashtu, si vlerë traditën e të konsideruarit shtëpinë tonë më parë të zotit e të mikut se të babës e të nanës që i dhanë djersë e gjak. Kemi therur me kranari, ende e bëjmë, edhe delen e vetme të qumështit për fëmijët për të ushqyer mikun e rradhës paçka se ky krejt i huaj.

Kemi marr gjak për të huajin, e kemi krahasuar e trajtuar si zotin, i kemi dhënë kreun e tavolinës jo se i mençur, jo se ne në borxh, jo se i mirë (pa përzgjedhje fare), por se thjesht i huaj. Mik i themi ne, po kaloi pragun e derës.

Për të gjithë botën miku është shuma e sfidave të kapërcyera sëbashku, e kohës së kaluar në shoqëri të mirë, e ndihmës reciproke në ditët e zeza, e gëzimeve të ndara pa ndjenja e sjellie ziliqare. Kurse tek ne miku ka qenë dhe, me sa duket ende është, gjithkush i troket derës.

Tani, personaliteti në fjalë, me ç’di e ç’munda të vlerësoj unë sidomos gjatë atij takimi, është vërtetë mik i Shqipërisë e kur gjeti shesh, bëri një goxha byrek. Thjesht fat, këtë herë, se mazokizmi ynë kaq i jashtëzakonshëm, lejon të bëhet një goxha përshesh e të ngopemi sëbashku me “mikun”.

Për të tjerat, shkruan Darieni këtu poshtë shumë më bukur se unë. Si gjithmonë.

Share: