Home Gjeo-Ekonomia Gjithsesi flini të qetë pagat e deputetëve u dyfishuan, të punonjësve u...

Gjithsesi flini të qetë pagat e deputetëve u dyfishuan, të punonjësve u indeksuan.

Nga Çapajev Gjokutaj

Dje deputetë votuan rritjen e pagave për sektorin publik, po nuk harruan dhe të tyre. Si gjithnjë edhe dje për popullin menduan. Rrogën e mësuesit psh e rritën me 3400 lekë ose 5.5%, kurse rrogat e veta i dyfishuan nga një milionë e gjysëm në tremilionë e kusur. 🤡

Po meseleja nuk mbaron këtu. Po të marrësh parasysh rritjen e çmimeve të rezulton se paga reale e mësuesit nuk është rritur, përkundrazi është ulur 1,5 %. Po të hidhesh tek kategori të tjera si mjekë, policë, nëpunës etj. rezulton se rritja e pagave është thuajse e barabartë me rritjen e çmimeve, dmth jo rritje po indeksim.

Gjithsesi flini të qetë pagat e deputetëve u dyfishuan, të punonjësve u indeksuan. Kësaj i thonë ‘dhënt e dhitë e Zeres/ nami i Hasan Qeres’.😂

Edhe një tjetër lajm i gëzuar qarkullon këto ditë: nga vjeshta do rriten dhe pensionet.

Pse në vjeshtë dhe jo tani, pyeti Ilmiu. Epo ne pleq jemi e të ardhmen përpara e kemi😜, ia ktheu Lilua.

Qaniu, që ka qenë financier, na shtiu xixat. Inflacioni pritet të bjerë, bashkë me të do zvogëlohet edhe rritja e pensionit.

Ka dhe një hile tjetër, ndërhyri Naqja, inflacioni vitin e kaluar ishte 6.7%. Po kjo shifër është për të gjitha mallrat, përfshi dhe parfumet e tromobilat. Ne të pensionit vetëm ushqime dhe ilaçe blejmë. E dini sa ishte inflacioni i ushqimeve gjatë 2022-shit? Jo pak po 14.2 %.

Pse s’e thua shqip: sido që të vejë puna e çfarëdo të thonë borderotë, nga vjeshta pensionet reale do i kemi më të ulëta se një vit më parë – u nervozua Beqiri.

Më gënjeve me gëneshtra, më thoshje sa të vijë vjeshta ia mori me të qarë Lilua.😢

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: