Në një kohë kur bota po përjeton zhvillime dramatike gjeopolitike, veçanërisht pas krizës së pandemisë më tragjikja që pas Luftës së Dytë Botërore dhe luftës shkatërrimtare që vazhdon në Ukrainë, ndër rajonet më të ndjeshme ndaj sfidave të shkaktuara prej tyre në shumë aspekte, por pikësëpari në ekonomi, janë Europa, dhe më dukshëm vendet anëtare të grupimit politiko-ekonomik të Bashkimit Europian. Ata po përballen me një botë, e cila po ndryshon me shpejtësi jo vetëm për shkak të konflikteve, por edhe si pasojë e daljes në skenën botërore të fuqive të reja ekonomike si në Azi, Amerikë Latine, Afrikë e Lindje të Mesme, të cilat në shumë raste kanë krijuar platforma bashkëpunimi të suksesshme. Ndër të gjithë këta vende dallon Kina, e cila unanimisht konsiderohet si fuqia më e madhe me një rritje të qëndrueshme ekonomike e tregtare dhe faktor determinues për të nxitur rritjen e ekonomisë globale dhe ruajtjen e ekuilibrave gjeostrategjike ne botë.
Prandaj marrëdhëniet me Kinën janë përparësi për pjesën dërmuese të vendeve në mbarë botën por dukshëm janë në rend të ditës në Bashkimin Europian dhe vendet anëtare të saj, që megjithëse ndodhen nën makthin e presionit konstant të politikës anti-kineze të aleatit strategjik SHBA, po i thyejnë barrierat duke vështruar gjithnjë e më shumë nga Kina, ekonomia dhe politika e saj e promovimit të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm multilateral. E duhet theksuar se në vendet europiane ndoshta më shumë se kudo tjetër mpleksen opinionet dhe interesat e ndryshme për qëndrimin ndaj Kinës midis politikbërësve, biznesit të madh, të mesëm por edhe të vogël, dhe opinionit të gjerë publik, që preken drejtpërdrejte nga pasojat e çdo krize ekonomike, sociale e politike.
CFP
Treguesi më i fundit i një interesimi të tillë është një sondazh i kryer këto ditë nga Këshilli Europian mbi Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR) ku shumica e të intervistuarve europianë shpehen se Europa dhe Kina janë partnerë bashkëpunimi, e jo kundërshtarë, si dhe preferojnë të rrinë asnjanës në rast të një konflikti të mundshëm midis SHBA-së dhe Kinës. Dhe tërheq vëmendjen fakti në këtë rast se me dhjetëra media prestigjioze e institucione studimore gjeo-politike dhe ekonomike i kanë pasqyruar gjerësisht gjetjet e sondazhit, kanë shkruar komente dhe analiza brenda një kohe të shkurtër, dhe titulli kryesor i përbashkët i tyre është ‘Europianët duan të qëndrojnë asnjanës në një konflikt të mundshëm SHBA-Kinë’ si dhe ‘Përse shumica e Europianëve preferojnë të qëndrojnë jashtë një konflikti SHBA-Kinë… Një sondazh që do t’ju çudisë!’.
Sikurse tregon sondazhi europianët e shohin Kinën si një partner strategjik më shumë se sa një rival. Konkretisht rreth 62% e personave të anketuar në 11 vendet e BE-së u shpehën se do të dëshironin që vendi i tyre të qëndronte asnjanës, zbuloi sondazhi i ECFR mbi qëndrimet evropiane ndaj SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, i publikuar më 7 qershor 2023.
Të anketuarit gjithashtu shikonin tek Kina më shumë një partner strategjik sesa një aleat, një rival apo një kundërshtar, zbuloi sondazhi.
“Rezultatet e sondazhit tregojnë se perceptimi i europianëve për Kinën ka ndryshuar çuditërisht pak në krahasim me rezultatet e sondazhit të kryer në vitin 2021”, vinin në dukje bashkautorët e raportit, Jana Puglierin dhe Pawel Zerka, duke iu referuar rezultateve të mëparshmes të sondazhit të tyre mbi qëndrimet europiane. “Tani, pikëpamja mbizotëruese në pothuajse çdo vend në të cilin ne anketuam është se Kina është ‘partneri i domosdoshëm’ i Europës dhe i vendit përkatës të të anketuarit”.
Gjetjet e sondazhit janë edhe reflektim i pikëpamjeve të ndryshme të disa udhëheqësve europianë, megjithëse ata nuk ishin pjesë e anketimit. Ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden ka paraqitur një qëndrim të ashpër kundër Kinës – duke e quajtur Pekinin si konkurrentin më serioz të Amerikës dhe duke u ‘zotuar’ të mbrojë Tajvanin- udhëheqësit europianë në BE kanë pasur pikëpamje më të rezervuara por me nuancana. Kështu për shembull bien në sy pretendimet e Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen për të “ç’rrezikuar” marrëdhëniet e bllokut me Pekinin ndaj qasjes më pajtuese të presidentit francez Emmanuel Macron, dhe jo vetem atij, për trajtimin e Kinës si një partner strategjik.
Xinhua
Kreu i shtetit francez Macron pas një vizite në Kinë në prill të këtij viti paralajmëroi se europianët duhet të shmangin kthimin në “pasues të Amerikës” kur bëhet fjalë për Tajvanin, duke vënë në dukje se Europa duhet të evitojë “kurthin” e përfshirjes në kriza “që nuk janë tonat”. Ai vuri në dukje se Evropa nuk duhet të bëhet një “ndjekse” e kësaj teme dhe “të përshtatet me ritmin amerikan dhe me atë kinez pa reagim të tepruar”.
Po përse në pjesën dërmuese të opinionit publik europian mbizotëron mendimi se Kina është “një partner i domosdoshëm” se sa një rival ose kundërshtar?
Në radhë të parë është e qartë për të gjithë se ekonomia kineze do të vazhdojë të rritet, duke shërbyer si një motor i rritjes dhe kontribuese në rimëkëmbjen ekonomike globale. Kështu Banka Botërore ka parashikuar se ekonomia e Kinës do të rritet me 5.6 për qind në vitin 2023, kurse Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) e vendosi këtë shifër në 5.4 për qind. Raportet e fundit të nxjerra nga Banka Botërore dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik vunë re se rihapja e Kinës do të japë shtysë për rritjen ekonomike botërore, sipas “Xinhua”.
Nga ana tjetër, bizneset e huaja vlerësojnë mundësitë e mëdha të sjella nga rimëkëmbja e fuqishme ekonomike e Kinës dhe e konsiderojnë përmirësimin e mjedisit të biznesit në këtë vend një shenjë të favorshme. “Ata janë optimistë për tregun kinez dhe janë të gatshëm të investojnë në të gjitha aspektet në Kinë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin në një konferencë shtypi më 8 qershor.
Wang theksoi se pala kineze është e gatshme të punojë së bashku me palën evropiane për të rifilluar kontaktet në të gjitha nivelet, duke gjallëruar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat.
Me këtë rast ai iu referua sondazhit të lartë përmendur bërë nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme ku, sipas Wang, shumica e të pyeturve janë të mendimit se Kina është, pikësëpari, një “partnere e nevojshme bashkëpunimi”. Kohët e fundit, kryetari i Këshillit Evropian Charles Michel, kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz etj. janë shprehur se “shkëputja” nga Kina nuk është as realiste dhe as e dëshiruar, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së kontakteve dhe të bashkëpunimit me Kinën, ai tha.
Xinhua
Sipas tij, Kina dhe Europa janë dy forca, dy tregje dhe dy qytetërime kryesore në botën shumëpolare dhe marrëdhëniet kino-europiane bazohen në vullnetin e fortë popullor, interesat e gjera të përbashkëta dhe kërkesat e përafërta strategjike, duke kaluar sprovat dhe duke treguar qëndrueshmëri e potencial të madh. Wang nënvizoi se këtë vit të dy palët kanë ruajtur kontaktet e nivelit të lartë. Udhëheqësit e të dy palëve kanë zhvilluar shkëmbime të thella mendimesh, duke arritur konsensus të rëndësishëm për shtimin e besimit të ndërsjellë strategjik, thellimin e bashkëpunimit, forcimin e bashkërendimit për çështjet ndërkombëtare dhe kontrollin siç duhet të mosmarrëveshjeve.
Në kontrast me Kinën prodhimi ekonomik i Bashkimit Europian regjistroi një rritje prej 0.3 për qind në tre muajt e parë të vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara në prill nga Eurostat. Rritja e PBB-së, sado e vogël, i mundësoi BE-së të shmangte me vështirësi një recesion teknik, i cili përkufizohet kur dy tremujorë radhazi kanë rritje negative të PBB-së. PBB-ja e BE-së regjistroi një tkurrje tremujore prej 0.1 për qind në tremujorin e katërt të 2022.
Megjithatë, kjo rimëkëmbje e ngadalshme e BE-së, që sapo ka filluar përballet me një gamë të gjerë sfidash, dhe ndër të tjera sipas analistëve një rimëkëmbje e qëndrueshme varet nga aftësia e saj për të shmangur situatën aktuale të balancimit të inflacionit me recesionin dhe ndikimin e potencialeve të rritjes së jashtme, të cilat, në një masë të madhe, do të rrjedhin nga bashkëpunimi i zgjeruar ekonomik me Kinën.
CFP
E këtij mendimi ka qënë edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila në ndryshim nga qëndrimet politike ka qenë gjithnjë optimiste për të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik midis BE-së dhe Kinës.
“Ne kemi shumë lidhje të forta dhe Kina është një partner jetik tregtar- tregtia jonë përfaqëson rreth 2.3 miliardë euro në ditë. Shumica e tregtisë sonë në mallra dhe shërbime mbetet reciprokisht e dobishme”, deklaroi ajo në seancën plenare të Parlamentit Europian më 18 prill.
Kina ishte burimi më i madh i importeve të BE-së dhe blerësi i tretë më i madh i mallrave të saj në vitin 2022, me importet dhe eksportet totale dypalëshe që arritën në 856.3 miliardë euro (959.96 miliardë dollarë amerikanë), sipas Eurostat, që thekson rëndësinë ekonomike të Kinës për Europën. Konflikti Rusi-Ukrainë, i cili shpërtheu në shkurt të vitit të kaluar, dhe pandemia COVID-19, e kanë bërë Kinën partner tregtar më të rëndësishëm për BE-në, tha Kresimir Macan, analist politik kroat në një intervistë me Xinhua më 7 maj 2023. “Ekonomia kineze do të vazhdojë të rritet dhe mendoj se e ardhmja e ekonomisë kineze është e ndritshme”, tha Macan, duke shtuar se Kina do të mbetet si lokomotivë e ekonomisë botërore.
Dhe është interesant në këtë kuadër se në mes qarqeve të ndryshme edhe të biznesit amerikan dhe opinionit publik një pjesë e konsiderueshme e njerëzve e shikojnë Kinën si një fuqi me të cilën bashkëpunimi është i domosdoshëm. Të rinjtë amerikanët, për shembull, shohin më shumë mundësi për të punuar me Kinën sesa amerikanët e moshuar tregon një sondazh i ‘Pew Research Center’ në mars të këtij viti në përputhje me sondazhet e kaluara, që kanë zbuluar se të rinjtë priren të kenë pikëpamje më pozitive për Kinën dhe t’i japin përparësi multilateralizmit, sipas portalit Responsible Statecraft më 8 qershor.
CFP
Mirëpo përveç aspektit ekonomik, që domosdo ka marr theks të veçantë gjatë këtyre viteve të fundit në qëndrimin e BE-së midis SHBA-së dhe Kinës, qëndrojnë edhe faktorë të tjerë politikë e ushtarakë, që në fakt herë zbehen herë dalin më shumë në pah.
Por në momentet e tanishme kur ka një vatër zjarri në tokën europiane (lufta rosu-ukrainase), ka ashpërsim tensionesh në disa pjesë të kontinentit të ‘vjetër’ si për shëmbull në Ballkanin Perëndimor midis Serbisë dhe Kosovës, fuqitë e mëdha europiane, shtyllat e BE-së, janë më të hapur në vënien në pikëpyetje publikisht të ‘besueshmërisë’ tek forca mbështetëse e Shteteve të Bashkuara. Shumica e europianëve besojnë në masë të madhe se Europa duhet të rrisë kapacitetin e saj të sigurisë dhe mbrojtjes dhe nuk mund të mbështetet gjithmonë tek Uashingtoni për të garantuar sigurinë e saj, sipas sondazhit të ECFR.
Kësisoj europianët dhe BE shikojnë përtej klishesë së vjetëruar sipas të cilës kontinenti europian ishte domen i SHBA-së, ku Uashingtoni diktonte strategjinë e tij hegjemoniste e ekspansioniste, e madje u përcaktonte aleatëve marrëdhëniet e tyre të jashtme, veçanërisht me ish – Bashkimin Sovjetik dhe Kinën.
Por kohët kanë ndryshuar sikurse edhe situata gjeopolitike dhe si pasojë balanca e forcave në botë ku tani Kina paraqitet si fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë me projeksione të qarta për tu kthyer në fuqinë më të madhe ekonomike. Në përputhje me këtë realitet Presidentja e KE-së e deklaroi qartë në fjalimin e saj të 18 prillit në seancë plenare se statusi ndërkombëtar dhe ekonomik i Kinës, si dhe interesat e vetë Europës, e bëjnë gjithnjë e më të rëndësishme, që ajo të menaxhojë siç duhet marrëdhëniet e saj me Kinën. Europa duhet të “formulojë qasjen tonë të veçantë europiane, që na lë hapësirë për të bashkëpunuar me partnerë të tjerë”, tha ajo.
CFP
Gjetjet e anketimit të ECFR tregojnë këndvështrimin popullor në gjirin e BE-së ndaj Kinës por pa dyshim ky qëndrim i europianëve ndaj kësaj fuqie të madhe ekonomike dhe politike influencohet qartazi nga fakti se thelbi i marrëdhënieve midis Unionit dhe Kinës është komplementariteti dhe përfitimi reciprok. Si Europa ashtu edhe Kina kanë nevojë për njëra-tjetrën në çështjet ekonomike dhe tregtare, si dhe në çështjet ndërkombëtare, kur kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë në botë janë rritur dhe në këto rrethana bashkërendimi i politikave ekonomike dhe gjeo-politike midis Brukselit dhe Pekinit është jo vetëm i mirëpritur por i domosdoshëm për të ardhmen e njerëzimit! /CRI.CN