Home Gjeo-Ekonomia Mbreti Putin lakuriq, Frankeshtajni i vet që desh i hëngri kokën (dhe...

Mbreti Putin lakuriq, Frankeshtajni i vet që desh i hëngri kokën (dhe rrenat e një avokati të Putinit këtu afër nesh)

Nga Shaban Murati

Që nga tetori i vitit 1917 i revolucionit të njohur rus, që përmbysi regjimin carist dhe vendosi regjimin bolshevik, Rusia nuk ka ka pasur kurrë një kryengritje të armatosur kundër regjimit, si kjo që i ndodhi presidentit Putin në 24 qershor 2023.

Kanë ndodhur rregulisht grushte shteti pallati brenda në Kremlin, por asnjëherë kolona ushtarake të armatosura, që ndërmarrin “marshim mbi Moskë” si tani. Pushteti absolutist i Vladimir Putinit nuk është goditur kurrë kaq fort me këtë forcë diskredituese si kjo e tanishmja gjatë 23 viteve të sundimit të perandorak në Kremlin.

Kryengritja e armatosur e 24 qershorit 2023  e nxorri për herë të parë lakuriq dobësinë dhe errozionin e thellë të pushtetit putinist dhe i zbuloi popullit rus dhe shteteve të botës se imazhi i presidentit të hekurt Putin u shemb si një kolos prej argjili, po të parafrazojmë udhëheqësin e revolucionit rus të 1917, Vladimir Lenin.

Vetë Putini u frikësua në 24 qershor si asnjëherë tjetër për fatin e tij dhe të pushtetit të tij. Kjo ishte edhe arsyeja përse Putini u çfaq aq i trembur dhe në panik në fjalimin drejtuar kombit për rebelimin e armatosur në orën 10 të 24 qershorit, duke akuzuar rebeluesit e armatosr për tradhëti ndaj shtetit rus dhe thikë pas shpine ndaj popullit rus.

Ishte një rebelim i armatosur, që vinte nga vetë strukturat e brendshme shtetërore të dhunës, që presidenti Putin i ka krijuar me dorën e vet. E sintetizuar shkurt, nuk ishte ndonjë protestë popullore spontane apo i grupeve opozitare në Rusi, por ishte konflikt brenda elitës së pushtetit në Kremlin, pra që është për carin më e rrezikshme se çdo revoltë popullore.

Drejtuesi dhe pronari me letra i kompanisë së madhe të mercenarëve “Wagner”, Evgenij Prigozhin, njeri i shërbimit sekret ushtarak rus GRU, ishte mik aq i afërt me Putinin, sa që në rrethin presidencial e quanin “kuzhinieri i Kremlinit”.

Ngjarja e 24 qershorit shkërmoqi parzmoren e hekurt dhe të pathyeshme, që kishte krijuar për figurën e presidentit Putin makina e fuqishme propagandistike ruse benda e jashtë vendit. Mbreti Putin doli lakuriq me dobësinë e tij fatale, duke i përsëritur publikut rus dhe publikut ndërkombëtar të vërtetën mbi lehtësinë e mundësisë së rrëzimit të çdo autokrati dhe të çdo mbretërie absolutiste si kjo e Putint.

Ushtria mercenare e Progozhinit brenda ditës pushtoi me lehtësi qytetin njëmilion banorësh të Rostovit mbi Don, Voronezhin dhe komandën e përgjithshme të distriktit ushtarak të Rusisë së Jugut, e cila drejton gjithë agresionin ushtarak rus në Ukrainë.

Forcat e armatosura mercenare kapën peng zëvëndësministrin e mbrojtjes të Rusisë dhe zëvendëskomandantin e shërbimit sekret rus, GRU. Është vërtetë e vështirë të shpjegohet se si kolonat e kryengritësve të armatosur brenda ditës arritën t’i afrohen Moskës 200 kilometra, duke përshkuar me shpejtësi 1000 kilometra, në një kohë që ushtrisë gjermane në Luftën e Dytë Botërore iu deshën gjashtë muaj në vitin 1941 për të përshkuar distancën nga kufiri rus në dyert e Moskës.

Ushtria e fortë e mercenarëve të Prigozhinit nuk hasi asnjë rezistencë nga ushtria, nga forcat speciale të shërbimit sekret rus FSB, nga garda kombëtare dhe nga policia e shtetit. E vetmja pengesë mbrojtëse, që menduan gjeneralët e Putinit në Moskë ishte të çanin asfaltin e rrugëve që çojnë në Moskë për të penguar marshimin e kolonave të kryengritësve të armatosur, marshim të cilin shtypi rus e përkufizoi si “marshim mbi Kremlinin dhe mbi Putinin”.

Ajo që bën përshtypje është fakti që asnjë grup apo organizim popullor popullor apo i fansave të Putinit nuk u mblodh në rrugë të ngrinte barrikada në mbrojtje të idhullit të tyre të Kremlinit. Presidenti Putin u ndje aq i pasigurt nga zhvillimi i ngjarjes, sa që në kulmin e marshimit të kryengritësve drejt Moskës, kreu i Kremlinit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Rusisë e braktisi me urgjencë Moskën në orën 14 të 24 qershorit me avionin e tij presidencial II-96-300 PU, që u zhduk nga radarët në qiellin mbi rajonin rezidencial të Tverit dhe thuhet se u strehua në bunkerin e lëshimit të raketave bërthamore.

Të gjithë oligarkët e Kremlinit me familjet e tyre braktisën me shpejtësi Moskën në 24 qershor me avionët e tyre private për të shpëtuar kokën.

Forca ushtarake kryengritëse dhe drejtuesi i tyre Prigozhin nuk ia fërshëllyen fare fjalimit kërcënues të presidentit Putin kundër tyre në paraditën e 24 qershorit dhe vazhduan marshimin drejt Moskës. Populli rus e shoqëroi me indiferencë zhvillimin e ri, sepse e kuptoi se kjo ishte një luftë për pushtet brenda elitës dhe grupeve sunduese politiko-ekonomiko-ushtarake në Moskë.

Se sa domethënëse është mungesa e reagimit popullor rus, e kupton po ta krahasosh me atë, që ndodhi në grushtin e shtetit gulenist në Turqi në 15 korrik 2016 dhe kur presidenti Erdogan në pamundësi t’i drejtohej popullit nga ekranet kombëtare, iu drejtoi një thirrje në celular, që e transmetoi një stacion televiziv, dhe populli doli në rrugë me dhjetëra mijëra vetë për të mbrojtur shtetin dhe presidentin.

Kryengritja e armatosur e 24 qershorit në Rusi zbuloi dobësinë fatale të presidentit rus dhe kjo është humbja më e madhe morale, politike dhe pushtetore për Putinin, më e madhe se sa vetë ngjarja. Si konflikt brenda elitës së pushtetit në luftën për pushtet, komplote që kanë qenë tradicionale në Kremlin që nga 1917 e deri sot, përplasja u mbyll në mënyrë të papritur, pa u zbuluar se kush ishin forcat dhe personalitetet në prapaskenë, që përplasën brirët në 24 qershor.

Natyrisht është tepër naive të besosh se atë konflikt të ashpër e zgjidhi një mikrodiktator si presidenti bjellorus Lukashenko, emri i të cilit u përdor si gjethe fiku për t’i shpëtuar nderin të dy palëve ruse, që kryqëzuan shpatat në 24 qershor. Sepse del pikëpyetja e madhe që çfarë është kjo Rusi, që pretendon të ribëhet superfuqi dhe nuk mundet dot të zgjidhë një konflikt pushteti brenda dhe paska nevojë për ndërhyrjen mikroshtetit vasal të saj si Bjellorusia.

Vërtet kryengritja e armatosur u mbyll në një ditë, por ajo la pas një çarje të madhe të pariparueshme në imazhin dhe në fuqinë politike dhe sunduese të presidentit Putin.

Gazeta ruse “Moscow Times” në 25 qershor në analizën e saj me titull ”Desakralizimi i Putinit”, shkruante: “Pasoja kryesore e grushtit të shtetit të 24 qershorit është destabilizimi i Putinit”.

Destabilizimi i Putinit si pushtet nga goditja e rebelimit të armatosur është i pariparueshme, sepse konfliktin për jetë a vdekje brenda grupeve të fuqishme të pushtetit ekonomik, politik dhe ushtarak në Kremlin, e nxorri dobësinë e tij në publik dhe kjo nuk mund të fshihet dot. Madje Putini 70 vjeçar nuk ka as kohë biologjike për të  rivendosur autoritetin absolut që kishte para 24 qershorit.

Fakti që CIA amerikane i dinte më parë përgatitjet e rebelimit ushtarak rus, kurse Putini u gjet në befasi, tregon se një pjesë e mirë e strukturave të shërbimeve sekrete ruse ishin me Prigozhinin dhe grupin antagonist të Putinit.

Është e pariparueshme goditja që pësoi Putini, sepse i erdhi nga vetë strukturat e besuara të sigurisë dhe të shërbimeve sekrete ruse. Në rradhë të parë, brigada e mercenarëve “Wagner” si strukturë ilegale dhune është krijim i tij, siç është dhe vetë kryemercenari Prigozhin, një njeri me të kaluar kriminale, i burgosur dy herë për krime nga autoritetet ruse.

Në mediat ruse po shkruhet tani se Putini krijoi Frankeshtajnin e vet, që desh i hëngri kokën, dhe nuk dihet kush është tani prapa tij brenda mureve të Kremlinit. Putini e nxorri xhindin nga shishja si arkitekt i krijimit të organizatës jo zyrtare të mercenarëve të dhunës, që ta përdorë jashtë strukturave institucionale të ministrisë së mbrojtjes dhe të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.

Ato u krijuan si një strukturë ushtarake goditëse e varur direkt nga presidenti Putin dhe ai i përdori ata për të kamufluar ndërhyrjen ushtarake ruse në agresionin e parë rus në Ukrainë për të pushtuar Krimenë dhe në atë kohë ata u quajtën “ushtarë jeshilë”, sepse nuk kishin as uniforma dhe asnjë shenjë dalluese se cilit shtet i përkisnin.

Pastaj i përdori për ndrhyrjen ruse në disa shtete afrikane, në luftën e Sirisë, në Libi dhe në agresionin e tanishëm të dytë ushtarak rus kundër Ukrainës. Me lejen e presidentit serb Vuçiç kompania mercenare ushtarake “Wagner” hapi në dhjetor 2022 një qendër rekrutimi në Beograd me qellimin për t’i përdorur mercenarët e saj në destabilizimin e Veriut të Kosovës dhe në vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor si Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

E verteta e madhe, që as presidenti Putin dhe as zyrtarët e lartë rusë nuk po guxojnë t’ia tregojnë opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, është se brigada ilegale ushtarake “Wagner” është një program i posaçëm e shërbimit sekret ushtarak rus.

GRU e ka krijuar dhe e ka financuar dhe gjithë stërvitjet ushtarake dhe diversioniste mercenarët i kanë zhvilluar brenda bazës ushtarake të GRU. Për herë të parë në 27 qershor Putin në një takim në Kremlin me krerët ushtarakë pranoi se kompania “Wagner” është mbajtur potësisht nga shteti, se vetëm për produkte ushqimore kompania ka marrë 80 miliard rubla nga shteti, dhe vetëm nga maji i vitit të kaluar e deri tani shteti rus u ka dhënë paga luftëtarëve të “Wagnerit” 86, 3 miliard rubla.

Ajo që provon gjithashtu se kompania e mercenarëve “Wagner” ëshë instrument i GRU, është se gjithe zixhiri komandues i saj janë oficerë të lartë të GRU, me karrierë të gjatë në rradhët e tij. Komandanti i forcave ushtarake të rebelimit të armatosur, që marshuan aq shpejt drejt Moskës, ështe koloneli i GRU, Dmitri Utkin, i cili ka mbaruar shkollën ushtarake në Leningrad dhe Akademinë e Lartë të komandës shumëarmëshe “Kirov”, ku laurohen vetëm ushtarakët e lartë të shërbimit sekret ushtarak.

Deri në vitin 2013 ka qenë komandant i brigadës së misioneve të posaçme të GRU dhe është dekoruar nga presidenti Putin me urdhërin e “Kavalierit të burrërisë”, është ftuar në pritjet e zgjedhura presidenciale në Kremlin dhe ka dalë në fotografi me presidenti Putin në Kremlin. Ky kolonel i GRU është nën sanksione nga SHBA, BE, Britania e Madhe, Kanadaja, Zvicra, Japonia, Australia, etj. dhe në Ukrainë i është hapur padi penale për krime lufte.

Komandanti tjetër, ndër kryesorët i marshimit ushtarak të mercenarëve drejt Moskës, është gjeneral-koloneli i GRU, Mihail Mizincev, që ka qenë komandat i grupeve të zbulimit në regjimentin tankist të ushtrisë sovjetike të dislokuar në Gjermaninë Lindore. Deri në shtator 2022 ka qenë zëvendësminister i mbrojtjes i Rusisë. Ai është nën sanksione nga SHBA, BE, Britania e Madhe, Kanadaja Japonia, Australia dhe Ukraina etj.

Komandanti tjetër i marshimit të kryengritjes së armatosur drejt Moskës është koloneli i GRU, Andrej Troshev, i dekoruar në 2016 nga presidenti Putin me urdhërin e lartë “Hero i Rusisë” me motivacionin “për kryerjen e misioneve të posoçme”.

Kjo është komanda ushtarake e rebelimit të armatosur, që udhëhiqte kolonat e një force të fuqishme prej 25 mijë ushtarakësh të kualifikuar, shumica operativë të GRU.

Enigma e madhe që u ngrit me këtë rast është se përse GRU-së, e cila me porosi të presidentit Putin ka financuar, stërvitur dhe menexhuar këtë strukturë jozyrtare ushtarake, i doli nga duart dhe u bë këcënim direkt për pushtetin e Putinit.

Është folur në qarqet diplomatike për një përplasje të fortë kulmore midis shërbimit sekret ushtarak GRU dhe shërbimit sekret FSB, të drejtuar nga N.Patrushev, dora e djathtë e presidentit. Është folur për konflikt të ashpër për pushtet brenda kupolës së ngushtë të oligarkisë financiare dhe ushtarake në Kremlin.

Rebelimi i amatosur u mbyll, por në asnjë mënyrë nuk u mbyll lufta e ashpër për pushtet pas mureve bizantinë të Kremlinit.

Pas 24 qershorit presidenti Putin nuk është dhe nuk shtiret dot si presidenti i plotfuqishëm, që ka qenë para kësaj date. Siç  shkruante në 25 qershor analisti rus Lev Shlosberg: “Putini ishte banor i Olimpit, një perëndi, i cili nuk mund të gabojë, nuk mund të humbasë, nuk mund të jetë i dobët. E gjithë kjo u rrëzua në 24 qershor 2023”.

Dhe është aq i dobët sa që detyrua të kaperdijë dhe të falë “tradhtarin e shtetit dhe kombit” Prigozhin dhe ta lejojë atë të fluturojë dhe të shkojë me avionin e vet personal në Bjellorusi, megjithëse forat rebeluese rrëzuan shtatë helikopterë ushtarakë dhe një avion ushtarak të ushtrisë rusë dhe vranë 20 pilotë e ushtarakë.

Në këtë situatë të re, ku del lakuriq cari i Kremlinit, tingëlloi komike dalja në skenën diplomatike e një oborrtari të vogël rus në Ballkan me emrin Aleksandër Vuçiç. Avokati rus i Beogradit nxitoi ta paraqiste presidentin Putin si një hero dhe një perëndi, që shpëtoi tani Rusinë dhe që me një deus ex machina e zgjidhi konfliktin e rrezikshëm.

Në 25 qershor Vuçiç, i vetmi në gjithë Europën dhe botën, mori rolin e avokatit të presidentit Putin, me deklaratat se gjithçka përfundoi me “happy end” falë reagimit të fuqishëm, shumë vendimtar, të qartë dhe të prerë të presidentit Putin.

Sipas avokatit rus Vuçiç, presidenti Putini me autoritetin e tij ndaloi zhvillimin negativ të ngjarjeve në Rusi, dhe falë autoritetit të tij personal dhe veprimit të vendosur arriti të ndalojë zhvillimin negativ të ngjarjes së rebelimit të amatosur “Wagner”, dhe askush nuk mund ta bënte këtë përveç presidentit Putin.

Kjo ishte rrena e parë e avokatit rus nga Beogradi, që u përpoq të manifestonte menjëherë vasalitetin ndaj Kremlinit. Jo rastësisht e gjithë propaganda qeveritare ruse menjëherë i bëri jehonë të madhe avokaturës dhe glorifikimit të Vuçiçit për presidentin Putin.

Rrena e dytë, që përhapi presidenti serb në 25 qershor, ishte se grushti e armatosur kundër pushtetit të Putinit, kishte përfshirjen e shërbimeve sekrete perëndimore: “Në përpjekjen e rebelimit të armatosur të kompanisë “Wagner” ishte e pranishme ndërhyrja e huaj. Nuk dua të flas kush mori pjesë nga jashtë, por as mos dyshoni, nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Tek ne në Serbi shërbimet e huaja sekrete gjithmone janë të përfshira në një numur të pakufizuar çeshtjesh”.

Rrena e presidentit serb është kaq e madhe, sa që mjafton të shohesh se as vetë presidenti Putin, një spiun i vjetër profesionst i KGB, nuk guxoi të thonte të paqenën e Vuçiçit as në fjalimin dramatik të 24 qershorit, ditën e grushtit të armatosur, dhe as në fjalimin patetik të 26 qershorit, dy ditë pas mbylljes së rebelimit.

Rrena dhe shpifja e presidentit serb mund të shpjegohet vetëm me devocionin allafetar servil ndaj Putinit, dhe Vuçiç lumturohet se shpëtoi protektori i tij i madh.

Me rrenën dhe shpifjen e tij antiperëndimore Vuçiç tenton të riparojë disi imazhin e shembur ndërkombëtat të presidentit të Rusisë. Qarqet diplomatike dhe mediatike serioze nëpër botë bashkohen në konkluzionin se presidenti Putin del tani pas ngjarjes së 24 qershorit më i dobësuar se kurrë në raportet e tij ndërkombëtare. Ka një rezonancë vlerësimi  në këtë pikë nga Uashingtoni e e Brukseli e deri në Pekin.

Gazeta qeveritare kineze “Gobal Times” në 25 qershor shkruante se “Putini do të përpiqet të mbyllë gropën, që hapi Prigozhini në rendin politik rus, por nuk dihet nëse do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”.

Presidenti Putin dhe Moska u demostruan fuqive të mëdha dhe gjithë botës se Rusia nuk bëhet dot superfuqia, që ka qenë në kohën e luftës së ftohtë, dhe se ëndrrat imperialse për rikrijimin e perandrisë së dikurshme sovjetike janë jo vetëm mision i pamundur, por sjellin rënien e paevitueshme të udhëheqësve jorealistë të Kremlinit./gazeta dita

Share: