Home KRYESORE Njeriu inteligjent dhe inteligjenca artificiale (I.A.)

Njeriu inteligjent dhe inteligjenca artificiale (I.A.)

Nga Artur Beu

Mendoj se beteja e së ardhmes për njeriun do të jetë rreth kësaj teme. Rreziku i I.A. po bëhet gjithnjë e më prezent e kërcënues dhe ajo që është më preokupuese lidhet me faktin se vetë njeriu po e nxit këtë proces.

Në fakt, po të shohim historinë e debatit për I.A. ka filluar dhe i përket epokës së shpikjeve të para duke filluar me rrotën e duke mbërritur tek pajisjet më të fundit inteligjente. Nuk besoj se menjëherë pas shpikjes së rrotës kishte ndonjë që ka menduar se rrota do të mund të na kthehej kundër një ditë. Procesi në fakt ka qenë i ngadaltë deri para rreth 300 vitesh dhe mund të pranojmë të gjithë se I. A. ka përshpejtuar me ritme të shpejta këto 100 vitet e fundit e frikshëm këto tri dekadat e fundit.

Mendoj se pothuajse asnjëherë njeriu e ka kuptuar rrezikun e teknologjisë në kohën që ka jetuar vetë. Ndoshta këtë herë e mesa duket e kemi kaluar edhe këtë cak.

Deri tani jemi mësuar me mënyrat e të vepruarit të njeriut dhe mendoj, se mund t’i përmbledhim duke thënë, se njeriu inteligjent vepron e ka vepruar sipas kritereve që bazohen në dije e kulturë të transferuar sipas trashëgimisë. Dija dhe kultura janë shprehja e mënyrës më të mirë që njeriu ka zbuluar gjatë ekzistencës së tij. Dija dhe kultura sfidë kanë patur gjithnjë të kohën e të mësuarit. E kam për kohën fizike që duhet për të mësuar. Pasi të nxënët si proces fillon me lindjen e shkon deri në vdekje e pavarësisht trashëgimisë gjenetike ai mbetet i varur në mënyrë perfekte nga koha.

Natyrisht që dikush mund të thotë se edhe inteligjenca artificiale produkt i dijes së njeriut është ndaj edhe kjo fazë do kalojë për t’i lënë vendin një faze tjetër që nuk e dijmë tani. Patjetër do thoja unë që ashtu është, por edhe pse aktualisht nuk e dijmë e kemi një opsion në tavolinë, atë të imagjinatës.

Këtë herë koha nuk punon për ne njerëzorët. Duket se koha ka projekte të tjera pasi ka filluar të vrapojë ndryshe e me ritme që e kalojnë atë të rritjes fizike të njeriut. Nëse zgjidhjet e problemeve do na vijnë pa dashur kohë, procesi i rritjes fizike të njeriut nuk do të ketë kohë. I.A., ashtu siç e njohim deri tani i përket një fushe të shkencave ekzakte, sepse bën llogari e përllogaritje të përqindjeve se si do të vepronte një njeri në një situatë të caktuar për të përfituar maksimumin e mundshëm në terma praktikë.

Ndërkohë që njeriu inteligjent deri tani ka përdorur imagjinatën për të rritur inteligjencën, I.A. përdor përvojën e njeriut dhe jep sugjerime rreth mënyrës më të mirë të të vepruarit.

Vazhdoj të mendoj se imagjinata është shprehja e vërtetë e inteligjencës më të lartë, e cila vështirë se mund të replikohet. Por, duke ndjekur po këtë logjikë të imagjinatës, kjo e fundit nuk është e thënë të jetë e pa replikueshme nga vetë I.A.

P.sh njeriu mund të vuajë nga deliri i madhështisë, sepse pushteti e bën të tillë e këtë na e ka mësuar përvoja e historia. Inteligjenca artificiale nuk ka nevojë të vuajë, as që e ka në opsion vuajtjen, sepse thjesht do të jetë ashtu pa asnjë hezitim për shkak të mungesës së emocioneve e jo sipas logjikës njerëzore. Pra, problemet do të shndërrohen në thjesht gjetje të një zgjidhjeje ku nuk do të ketë lodhje mendore dhe do të fillojë të bjerë imagjinata sikurse edhe ka filluar të ndodhë.

Kujtoj me mall kur lëviznim pa përdorimin e tashmë të famshmit navigator. Truri i njeriut përdorte jo vetëm dijen (topografike), por edhe dhe mbi të gjitha imagjinatën dhe atë që quanim sensi i orientimit duke shfrytëzuar çdo pikë referimi përfshirë edhe të harruarin tashmë “të pyeturit në rrugë”.

Kjo e fundit një mënyrë shumë e mirë e relacionimit me të tjerët. Sot përdorimi i navigatorit pothuajse është i detyrueshëm pasi duket se sensi i orientimit ka filluar të na lërë të gjithëve dhe për më tepër ka gjithnjë e më pak njerëz në rrugë e rrugë që kalojnë nga qytetet akoma më pak.

Për t’u vazhduar…

Share: