Home KRYESORE Prezantohen në Akademinë e Arteve, skulptorët, Liu Ruowang dhe Alfred Mirashi –...

Prezantohen në Akademinë e Arteve, skulptorët, Liu Ruowang dhe Alfred Mirashi – Milot, dy artistë, një filozofi

Nga Albert Vataj

Paraditen e sotme, 15 qershor 2023, në sallën “Ibrahim Madhi” të Akademisë së Arteve, në një atmosferë mirëseardhjeje, u prezantuan dy skulptorët, kinezi Liu Ruowang dhe shqiptari-italiani, Alfred Mirashi -Milot, fitues të Konkursit Ndërkombëtarë, “Art në Hapsirën Publike”, shpallur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Në një ambient; studentësh dhe akademikësh, artistësh dhe kritikësh të artit, personalitetet të përfaqësisë diplomatike kineze dhe gazetarësh, skulptori Liu Ruowang dhe shqiptari-italiani, Alfred Mirashi – Milot, bënë prezent punën e tyre, simbolizmin dhe alegorinë shprehëse të artit në hapësirë publike.

Artistët e mirënjohur, punët e të cilëve ndodhen të ekspozuara në hapësira publike në vende të ndryshme të Evropës, por edhe në galeri prestigjioze ndërkombëtare, ndanë me publikun, veçantinë e artit të tyre, asaj marrëdhënie komunikimi, e cila jo gjithmonë ka gjetur dakordësi dhe mirëkuptim, por në një realitet diversitetesh të mendimit, botëkuptimeve dhe kulturave, arti dhe artisti kanë guximin të ndeshen për të ballafaquar të përbashkëtën, që shpirti krijues i sjell botës si një dhuratë.

Folësit në këtë tubim arti vunë gjithashtu theksin te rëndësia e artit në hapësirat publikë dhe skulptori kinez, Liu Ruowang dhe shqiptari-italiani, Alfred Mirashi – Milot, e kanë përmbushur këtë obligim. Duke e prezantuar mundësinë e këtij komunikimi, përmes një arti të madh, ata e kanë vlerësuar dhe konsideruar këtë privilegj, për të ndërtuar ura dhe davaritur mjegullat e divergjencave, përmes zërit të një arti konceptual, një arti; i cili më shumë thotë se sa është, një arti që ballafaqon sfidën në një botë të vërshimshme, në një realitet të progresit të hovshëm, ku artisti me krijimtarinë e tij tregon se është në koherencë me ndryshimet dhe nuk stepet në ndeshjet epike për t’i prezantuar shoqërisë një vlerë përfaqësimi, një ndërgjegjësim të ri të kuptimit të realitetit dhe trajtimit të prishjes së ekulibreve, një aftësi për të rrokur gjithëpraninë e qenies sonë me shpirtëroren në një shprehje të fuqishme përjetimi.

Pavarësisht se cilat janë mjetet shprehëse, me të cilat i qasen publikut, ata janë të bindur se me artin e tyre unik, me thellësinë dhe sublimen e mesazhit që përcjellin, të bëhen një arsye e krijimit të një vetëdijesimi për vlerat e artit novator, artit që vjen në të sotmen që t’i përkasë të ardhmes, artit që guxon të ngre zërin dhe të akuzojë, artit që sjell një kushtrim por njëkohësisht prezanton edhe një zgjidhje.

Skulptori kinez, Liu Ruowang ka në simbolikën e artit tij, ujqërit që po vijnë, e cila rreket të krijojë një marrëdhënie që sintetizon simbolikën e agresionit të njeriut në planet dhe reagimin e natyrës si pasojë e prishjes së këtij diversiteti. Një alegori e përgjigjes së natyrës ndaj shkatërrimeve dhe sjelljes asgjesuese të njeriut ndaj mjedisit. “Ulërima” e ujqve në sheshe të qyteteve të ndryshme të Evropës është një alarm, kambanave të së cilës i bie artisti në një nevojë të ngutshme për të reaguar, në një sensibilitet për të rikthyer harmoninë e asaj marrëdhënie që ka bashkëudhëtuar ekzistencën, në qendër të së cilës është njeriu dhe natyra.

Ndërsa skulptori dhe piktori shqiptaro-italian, Alfred Mirashi -Milot ka çelësin, në artin e tij shprehës. Ai me këtë alegori guxon të ngre zërin për një realitet mundësish dhe përmbushjes së ëndrrave, në një të sotme që na përket në të gjitha përmasat edhe në aspektin shpirtëror. Milot është artisti që i jep botës simbolikën e çelësit të hapjes së portave, çelësin si një hajmali për të dëbuar çdo paragjykim dhe paranojë, për të rrëzuar çdo mur dhe ndalim, për të udhëprirë kah dëshirimi çdo ambicie dhe ëndërr, në themel të së cilës qëndron nevoja jonë për të rrokur gjithçka me gjithëpraninë e shpirtërores. Ai nxori nga thellësia e kohës të drejtën legjitime për të merituar një botë pa ndalime, për të përftuar të drejtën për të zotëruar çdo mundësi përmes lirisë.

Përballë çdo dere, porte, çdo kyçjeje, Alfred Mirashi jep një çelës dhe çdo pengimi artisti ofron fuqinë e idesë dhe artit, shpirtin që i blatohet çdo perëndie dhe vullnetit që i jepet çdo force besimi.

Gjithashtu në këtë takim u hodh idea e një bashkëpunimi, bashkëkoordinimi dhe bashkëprezantimi të artit, atij shqiptarë dhe kinez, përmes komunikimit të garantuar nga artistët, si ambasadorët më të mirë të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, botëkuptimit dhe kulturave.

Share: