Nga Armir Shkurti
- Doktor Gëzimi! Doktor Gëzimi! Oh i mjeri unë! Po më ikën gruaja…
Në çast del një mjek i shkurtër, pak tullac, me përparësen e bardhë krahëve.
- Kush është mor? Ça ka që bërtet?
- Doktor Gëzimin po kërkoj..
- Unë jam doktor Gëzimi….
- Oh ty të rujt i madhi Zot – dhe rrufeshëm i fut në xhep 50 euro – aman se po më ikën gruaja
Dhe e tërhoqi doktorin deri në një dhomë ku dergjej një grua gjysmë e zhveshur. Domethënë thjesht me rroba banje. Trupin e kishte krejt të kuq e vende – vende edhe me flluska uji prej djegies. Ndërkohë e sëmura përpëlitej dhe fliste përçart
- Nga se ankohet e sëmura? – pyeti me zë autoritar mjeku.
- Ah mor doktor Gëzimi 😥😥 – dhe lotët i rrodhën faqeve – Ka dy ditë që rri në diell sa zbardh dita deri kur perëndon. Është përcëlluar si mos më keq!
- Po pse e sollët tek unë? Duhet ta çoni urgjent tek reparti i djegieve.
- Doktor! Për ju na thanë se jeni më i miri.
- Ore drejt ju kanë thënë.- dhe me gishta Gëzimi fërkoi 50-çen e eurove. Po unë jam psikiatër dhe këtu jeni tek psiqiatria, spitali 5!
- Pikërisht doktor! Është për ju dhe jo dermatologun. Ma shpëtoni gruan! Ju lutem! S’mjafton që është përcëlluar si pula në prush por këmbëngul të dalë prapë edhe nesër në diell se i thonë shoqet “sa e bardhë je”