Në një darkë pune të organizuar nga kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Lubjanë, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bled, që zhvillohet nesër.
Pasi janë përshëndetur dhe kanë bërë foto, liderët janë ulur në darkën e punës të rrethuar nga mediat.
Së bashku me Edi Ramën, të pranishëm janë edhe presidenti i KE-së Charles Michel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Kristo, si dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.
Në një postim në Instagram të Ramës, ai dhe Kurti shihen duke buzëqeshur teksa shtrëngonin duart, ndërsa edhe në tavolinë janë ulur pranë njëri tjetrit. Pas tensioneve të fundit, ku ka pasur edhe refuzime takimesh për sa i përket situatave në Veri të Kosovës, marrëdhënia mes tyre duket se është e mirë.
“Lubjanë, Slloveni – Në darkën e mikëpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit nesër”, ka shkruar Rama.
Në postimin mbi darkën znj.Fajon theksoi se Sllovenia do vijojë të jetë një suportuese e madhe e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Europë, ndërsa nënvizoi qëndrimin se procesi i zgjerimit duhet përshpejtuar në kushtet aktuale.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut këtë vit hapën negociatat për në BE. Vendi ynë këtë vit do të jetë edhe mikpritësja e takimit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit, ku gjashtë liderët e Ballkanit pritet të intensifikojnë përpjekjet e tyre në iniciativat ekonomike./Top Channel