Home KRYESORE SPAK-u! Sot e vetmja shpresë për demokracinë në Shqipëri!

SPAK-u! Sot e vetmja shpresë për demokracinë në Shqipëri!

Nga Artur ZHEJI

Revolucionet gjithmonë kanë filluar, kur padrejtësia e pandëshkuar është bërë një zullum kombëtar në një vend të caktuar. Sepse në ato kohëra, drejtësinë duhet ta jepte mbreti ose mbretëresha dhe populli i tërbuar, mendonte se kokëprerja e tyre, do vinte drejtësinë në vend.

Pas dështimeve dëshpëruese të revolucioneve, aristokracia mendore e botëqeverisjes, shpiku dhe vuri në veprim: pushtetin e pavarur të Drejtësisë. Shumë herë e përdorur apo e kapur, por edhe shumë herë goditëse, popujt e qytetëruar, filluan të shpresojnë te drejtësia, më shumë se sa te revolucioni.

Ndoshta pas 30 viteve në Shqipëri, në kulm të zullumeve shumëvjeçare, shqiptarëve ju dhurua SPAK, një gijotinë me teh të mprehtë, që po rrëzon kokat e shumë të paprekshmëve të djeshëm. Milionerë arrogantë me gra dhe dashnore me vila dhe vetura të shtrenjta, injorantë e të pashkollë që me një tabelë shumëzimi të mësuar në 8 vjeçare, mbledhin e zbresin në bilancet e tyre elefantike, qindra e mijëra metra katrorë ndërtime apo qindra miliona euro.

Thuhet dhe shpresohet se, pasi të fshihet gjaku i kokëprerjeve të deritashme, gijotina e drejtësisë së SPAK, e ndihur underground nga FBI, po e mpreh përsëri tehun e saj.

Kokëprerje të tjera priten dhe prej mijra vitesh, gjynah është ta pohojmë, por popullit i pëlqejnë shumë kokëprerjet, qofshin këto sipas trendit të sotshëm: burgosje dhe mbi të gjitha kënaqësia që ka populli: kur pordhët u bien përtokë dhe kur dashnoret i braktisin ish të pushtetshmit e varfëruar…

Arrestimet e fundit dhe investigimi në themel i konçesionit të “sterilizimit”, padyshim që hap perden e “Mafias me bluza të bardha” në mjeksi. Në rradhë me siguri është edhe konçesioni i Check-up-it. Nuk ka tym, pa zjarr thotë një fjalë e urtë.

Përfolja për check-up, është një kënetë e thellë, me plot stisje dhe bilance të falsifikuara check-up-esh të paqëna.

Por duhet të themi dy fjalë në krye.
Vullneti i kryeministrit për të privatizuar disa shërbime, nuk është një shpikje shqiptare apo një shpikje e Ramës. Anglo-saksonët janë kampionë të ndërthurjes së suksesshme të privatizimit të shërbimeve, në trupin e superkorruptuarës të ndërmarrjeve apo institucioneve shtetërore.

Gjermania dhe SHBA, janë në krye të kësaj liste, përmes formës së rimbursimeve shtetërore, të shërbimeve të domosdoshme, të zbatuara me një çmim fiks, të kontraktuar me privatët.

Në Perëndim, kjo formulë shtet-privat, kursen shumë para, ose “dëmi” korruptiv, integrohet në çmimin e shërbimit dhe bëhet i parashikueshëm dhe ndërkohë shërbimi ndaj qytetarit është më serioz.

Mirëpo difekti i rëndë shqiptar, janë sistemet e kontrollit të zbatimit të kontratave, të cilat bëhen nga segmente të korruptuara të shtetit. Këto segmente shtetërore bëhen ortake me agjencitë private që “fitojnë” apo ju dhurohet konçesioni, duke dyfishuar korrupsionin.

E pra, duke e bërë të kotë konçesionin, duke e shndërruar atë në një superfitim, herët a vonë, superkorruptiv.

Duke sjellë dështimin uluritës të këtyre konçesioneve, që në Perëndim janë shpikur si formula kontrolli anti-korrupsion në trupin e sëmurë të ndërmarjeve shtetërore.

Kush mendon apo shkruan se SPAK, kontrollohet nga qeveria, domethënë nga Rama, gënjen me dashje.
SPAK-u sot, është pak të themi Opozita e vërtetë dhe shpresa themelore për një shoqëri moderne që vetëpastrohet në sistemin e vet, nga Drejtësia.

Teoria dhe parashtrimi konspirativ, që SPAK-u po jep goditje Majtas, që më pas të japë goditje të shënjestruara Djathtas, është një rrëfim, në një natë dimri me zjarr dhe gështenja të pjekura.

SPAK-u nuk mund të jetë taktik, sepse taktika në Drejtësi, është veprimtari politike. Deri më tash numri i pushtetarëve në burgje apo në kërkim është më i lartë se asnjëherë.

SPAK-u godet, ku ka prova të freskëta dhe më të lehta për tu mbledhur dhe paketuar në një strukturë akuze. Fëlliqësirat e qeveritarëve të tashëm, janë më të freskëta se sa fëlliqësirat e para ca viteve, të ish qeveritarëve, sot opozitarë.

Dhe duket se tërmeti, sapo ka filluar dhe klasa politike shqiptare, po transferon kapitale të mëdha financiare jashtë Shqipërisë (duke lënë shumë gjurmë), ose po investon në ndërtime marramendëse, duke gënjyer veten se po pastron paratë në tulla dhe kulla.

Për investigimin, njeri veprim është më idiot se tjetri, sepse gjurmët e krimit, mbeten gjithmonë e më të mëdha dhe gjithmonë e më të patundshme.
Skenari amerikan me SPAK-un, mund të themi se është në lulëzim të plotë.

Qeverisja duhet të përshtatet me shpejtësi përmes vetëpastrimit politik, përpara se krejt godina të shëmbet. Ritmet e rrënimit të klasës politike, në qark 360gradë, janë shumë të shpeshta dhe shumë të thella.

Të penduarit, do ndjekin menjëherë të dëshpëruarit që po ndrojnë banesë: nga vilat e shtrenjta në qelitë me minj dhe me fasule të prishura në pjata alumini.

Hapni librat e historisë moderne italiane të 30 viteve më parë. Korrupsioni italian, asokohe u bë shumë arrogant dhe pikërisht atëhere, u godit në ballë!
Pikë për pikë, ajo po ndodh edhe në Shqipëri! Arroganca e të pasuruarve përmes konçesioneve, përbën sot një fodullëk të neveritshëm.

SPAK, dukshëm ka rrafshuar shënjestrën drejt këtij objektivi.

Dhe komedia njerëzore, do të mund të kthehet shumë shpejt në një: Tragjedi Njerëzore.

360grade.al

Share: