Ka përfunduar mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha. Mbledhja u mbajt në ambientet e Pallatit të Sportit Asllan Rusi prej mëngjesit të sotëm.
Kuvendi Kombëtar u mblodh me ftesë të Lulzim Bashës, ku u votuan dhe miratuan ndryshimet e reja statutore për partinë.
Gjatë mbledhjes u miratua Neni 48 që i jep kryetarit të partisë, Lulzim Bashës edhe postin e kreut të Grupit Parlamentar.
Çfarë përmban NENI 48
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË
1) Grupi Parlamentar i PDSH-së përbëhet nga deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
2) Kur PDSH është shumicë qeverisëse, Kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me propozim të Kryetarit të Partisë nga Këshilli Kombëtar, me votim të fshehtë, ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave.
3) Kur PDSH nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar.
4) Grupi Parlamentar i PDSH-së: a) përfaqëson në Parlament PDSH-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të PDSH-së;
- b) Harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në Parlament dhe në zonat elektorale përkatëse;
- c) Rregullorja e funksionimit dhe përfaqësimi institucional i Grupit Parlamentar, miratohet me vendim të Kryesisë së Partisë.