Home Gjeo-Ekonomia Bashkohu me kauzën e madhe: Të frenojmë braktisjen e vendit nga të...

Bashkohu me kauzën e madhe: Të frenojmë braktisjen e vendit nga të rinjtë!

Të dashur miq, të njohur e të panjohur!

Prej 13 vjetësh, kam punuar sëbashku me mijëra vajza, djem, burra e gra, me lëvizjen vullnetariste mjedisore Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve. Jam pafund mirënjohës ndaj atyre që u bashkuan me kauzën e mjedisit dhe kontribuan për të. Jam krenar për çfarë kemi bërë e do të bëjmë, për punën e mrekullueshme dhe për edukatën që kemi mbjellë. Ka ende shumë për të bërë dhe ne do të vazhdojmë….

Por sot po ju drejtohem me një apel, për të kërkuar ndihmën tuaj, për t’iu kushtuar një kauze të re.

Ikja e të rinjve është sot një plagë e madhe. Kam udhëtuar në shumë qytete të vogla, zona periferike e rurale, ku situata është vërtet dramatike. Ikja është bërë një qëllim jete për të rinjtë. Duke folur vetëm për ikje, ikje, braktisje, fshatra e lagje pa fëmijë e pa të rinj, shtëpi të mbyllura, pleq të vetmuar, shkolla që mbyllen e klasa që mpaken, largimi ka marë trajtën e një epidemie.

Jemi bërë bashkë një grup njerëzish që duan të bëjnë mirë për këtë vend. Dhe do të nisim një fushatë. Ne duam të flasim në forma të ndryshme me të rinjtë dhe njërëzit në përgjithsi.

E dimë që ikja nuk ndalohet me fjalë, as me thirrje, as me vendime qeverie, as duke bërë shqiponjën me duar, as duke iu thënë që Shqipëria është më e bukur se Maldivet, as duke u thënë se Atdheu juaj është këtu….

Ne duam tu bëjmë thirrje atyre që ikin, atyre që ikin për arsyen se “ky vend nuk bëhet, sepse ky vend ka mbaruar, sepse nga këtu duhet ikur natën…”, pra këtyre duam tu themi se para se të vendosin të ikin, të provojnë të bjnë diçka tjetër. Të tentojnë të ndryshojnë atë që mendojnë se është keq këtu.

A keni menduar se është më mirë që të përpiqesh ta ndryshoh situatën, pra ta zgjidhësh problemin, se sa të ikësh nga shtëpia dhe vendi jot?

A keni menduar për prindërit tuaj, si do të jetojnë ata vetëm këtu?

Nëse qytetarët mendojnë se bashkia nuk po punon mirë, atëherë nuk duhet të braktisin qytetin, por ti kërkojnë llogari dhe të vënë bashkinë para përgjegjësisë.

Nëse qytetarët mendojnë se qeveria e tyre nuk po punon mirë, ata nuk duhet të braktisin vendin, por ta vënë qeverinë e tyre para përgjegjësisë.

Nëse qytetarët mendojnë se klasa politike që i drejton është e korruptuar, ata sërish nuk duhet të ikin ata nga vendi i tyre, por ti përdorin të gjitha mekanizmat që u jep demokracia për ti larguar politikanët e korruptuar.

Të dashur miq!

Ky nuk është një projekt, nga ata që përfundojnë me disa takime “sensibilizuese”. Jo! Kjo është nismë e një grupi njerëzish që mendojnë se ky vend po kërcënohet seriozisht nga braktisja dhe zbrazja dhe nuk duam që nesër të themi: Po unë ku isha?

Për ti shërbyer këtij qëllimi, ne duam të organizojmë grupe vullnetarësh në qytete të ndryshme të vendit.

Ndaj kam një lutje të sinqertë:

Para se të lëshoheni me kritika, se “si do ti bindësh ti njerëzit të mos ikin”, etj etj, ju lutem konsiderojeni këtë një përpjekje në shërbim të vendit dhe shoqërisë.

Shpërndajeni, ju lutem, këtë postim sa më shumë dhe nëse mendoni se mund t’i bashkoheni kësaj kauze, apo mund t’ia sygjeroni dikujt, bëjeni.

Shkruani në inboks nëse doni të komunikoni më shumë.

Ju faleminderit të gjithëve!

Mentor Kikia

Share: