Vende të ndryshme të botës i kanë shprehur solidaritetin por dhe mbështetjen maksimale Marokut për të përballuar pasojat që la tërmeti i të premtes mbrëma ku deri tani janë raportuar mijëra të vdekur dhe po aq të plagosur.
Algjeria ka thënë se është gati të hapë hapësirën e saj ajrore për fluturime humanitare dhe mjekësore në Marok, pavarësisht ndërprerjes së lidhjeve me fqinjin e saj dy vjet më parë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Të dy vendet janë përfshirë në një mosmarrëveshje diplomatike dhe në vitin 2021 Algjeria ndërpreu marrëdhëniet me Marokun.
Masa përfshinte pezullimin e fluturimeve direkte në të dy drejtimet.
Por pas tërmetit, presidenca e Algjerisë ka thënë në një deklaratë se është e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare dhe njerëz “në solidaritet me popullin vëlla maroken, nëse Maroku kërkon një ndihmë të tillë”.
Udhëheqësit botërorë duke përfshirë Rishi Sunak të Britanisë dhe presidentin e SHBA Joe Biden i ofruan ndihmë Marokut pas pasojave që la tërmeti i të premtes.
Presidenti i Italisë Sergio Mattarella në një mesazh dërguar mbretit Muhamed VI, shkruante se “ne jemi pranë jush me ndjenjat e solidaritetit autentik dhe i urojmë të lënduarve shërim të plotë, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në punën komplekse të shpëtimit”.
Po ashtu kryeministra Meloni shprehu “mbështetjen e plotë” të qeverisë së saj për zonat e prekura nga tërmeti në Marok ku sipas saj jetojnë edhe shumë italianë.
Po ashtu Papa Françesku shprehu “solidaritetin e tij të thellë me ata që janë prekur me mish dhe në zemër nga kjo tragjedi”, thuhej në një telegram dërguar Marokut nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Pietro Parolin.
British Airways tani po përdor aeroplanë më të mëdhenj në rrugën e saj për në Marrakesh, nëse turistët e bllokuar në Mbretërinë e Bashkuar duhet të kthehen në shtëpi
Top Channel