Nga Albert Vataj
Maria Kalas ishte dhe mbeti legjenda e skenave operistike të një shekulli. Shkëlqimi i fuqishëm i këtij ylli do të reflektonte në një qiell që nuk ishte gjithnjë i kthjellët. Megjithatë ajo u shua duke mbetur një vezullim në universin e lavdisë.
Maria Callas konsiderohet si një nga sopranot më të arrira të koloraturës së shekullit të kaluar. Ajo ishte e rëndësishme në rigjallërimin e operës me aftësinë e saj dramatike, diapazonin dhe teknikën që la audiencën të magjepsur. E lindur nga prindër grekë në Amerikë, nëna e saj u zhvendos në Greqi. Atje, Maria filloi të merrte trajnime formale në këndimin e operës. Marrëdhënia me nënën e saj dominuese ishte e tensionuar. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo u transferua në Itali për të rinisur karrierën e saj atje. Debutimi italian ishte performanca e ‘La Gioconda’ në Verona Arena. Virtuoziteti i dëshmuar në ‘Tristan dhe Isolde’ dhe ‘Turandot’ e bëri atë një personazh të famshëm në Itali. Ajo ka interpretuar shumë herë ‘Norma’-n e Bellinit. Ajo u martua me Giovanni Battista Meneghini, një industrialist, dhe bëri një turne në Amerikën e Jugut. Bashkëpunimi i saj me gjeniun italian, Tullio Serafin, ishte shumë produktiv. Përveç interpretimit në La Scala të Milanos, shtëpitë më të dashura dhe më të njohura të operës, ajo performoi në operën Lyric të Çikagos dhe në Operën Metropolitan të Nju Jorkut. Marrëdhëniet e saj me manjatin e biznesit, Aristotle Onassis dhe ndarja nga i shoqi ndikuan në jetën e saj personale dhe karrierën. Shumë shfaqje u anuluan dhe kjo ndikoi negativisht në karrierën e saj. Humbja dramatike e peshës e rriti bukurinë, por dukej se kishte ndikuar në brishtësinë e zërit. Ajo u nderua me një Grammy për arritje jetësore pas vdekjes.
U tha se ishte një fëmijë i padëshiruar, sepse lindi vajzë. Prindërit e Maria Kalas, pas vdekjes së djalit të vetëm Vassilis, të dëshpëruar, shkuan aq larg me padurimin e tyre për të patur një djalë, sa të këshilloheshin me një astrolog. Kur Maria lindi, e ëma ishte aq e shqetësuar dhe e zhgënjyer sa refuzoi ta shihte vajzën e vogël për katër ditë më radhë. Ndoshta edhe për shkak të këtij fillimi të keq, marrëdhënia e Marias me të ëmën kaloi për një farë kohe nëpër një terren të thyer. Vetë ajo rreket ta dëshmojë, duke shtuar se: “Motra ime ishte elegante, e bukur dhe miqësore dhe nëna ime preferonte gjithmonë atë. Unë isha rosa e shëmtuar, e shëndoshë dhe e plogët dhe jopopullore. Është mizore të bësh një fëmijë të ndihet i shëmtuar dhe i padëshiruar… Nuk do ta fal kurrë që më largoi tutje fëmijërinë. Gjatë gjithë viteve mund të kisha luajtur dhe të isha rritur, unë isha duke kënduar ose duke bërë para”. E megjithatë nëna mbetet nënë, dhe nëna e Marias e dëshmoi këtë përmes një sakrifice ngadhënjyese për të ndjekur me insistim ëndrrën e madhe të së bijës. Me mundësitë kundër ajo u përpoq dhe arriti.
Maria Kalas ishte dhe mbeti legjendë e shekullit që lamë pas. Çdo përpjekje e saj për të arritur majat do të kalonte nga një dritë e fuqishme si një shkrepëtime. Ajo diti se si të hidhte hapat për tu ngjitur në skenën e operës dhe atë të lavdisë. Kishte gjithnjë diçka ndryshe, një vezullim të hirshëm dhe një vokal të fuqishëm, melankolik, të mallshëm, pikëllues dhe shpërthyes. Zotëroi skenat e mëdha dhe pushtoi zemrat e një admiruesi të rafinuar mbarëbotërorë.
I ra të hidhej hovshëm në krahët e dashurisë dhe t’i blatonte një shpirt të pastër dhe të dritshëm këtij vullneti. U desh edhe të rrëzohej me plagë të rënda, të ringrihej dhe të luftonte, të dashuronte dhe të rrezatonte. Jetoi tragjikisht në skenë, në personazhe, por edhe në jetë.
Vallë po e ndiqte mallkimi i fëmijës së padëshiruar? Ndoshta shpesh shumë gjëra janë të parathëna, sepse përvojat e kaluara i ushqejmë hera-herës, siç bëri Maria, e cila megjithëse arriti të ngjitej ndoshta më lart se asnjëra e kohës së saj, zemra e çoi në delir, sikurse e degdisi në zemërthyerje. Faji i saj, i fatit, apo çfarë?!
Megjithatë ajo ishte dhe mbeti Maria Kalas, legjenda e një shekulli që u shua më 16 shtator 1977, nga një atak në zemër, kur ishte vetëm 53 vjeçe, kur kishte bërë të pavdekshëm kreshtat operistike, Violetta, Tosca dhe Norma,
“Shpërndani hirin tim në detin Egje. Do të përqafoj Ariston tim, nëpërmjet ujërave të detit?”.
Ky do të ishte amaneti i fundit i divës, këngëtares lirike Maria Kalas. Shkoi me paqe në shpirt dhe me plagë në zemër. Vdekja e saj ishte shuarja e një ylli. Ishte mbyllja e një sipari që magjepsi botën, fikja e një zëri që ende përshkon kujtesën e sublimes së artit. Ishte kapitulli mbyllës i një legjende, i një jete mbushur me lavdi dhe humbje, përshkruar nga lumturia e pamasë dhe hidhërimi i thellë; nga duartrokitjet e pambarimta, shprehje e suksesit në skenat botërore si dhe vuajtjet e shpirtit; një karakter dëshmues i një force të madhe dhe i një brishtësie delikate; një gërshetim cilësish dhe dobësish njerëzore, si rrallë herë të ndeshura tek një njeri, të mbizotëruara nga fama dhe dështimi, që përcaktojnë dritëhijet e jetës së artistes, por dhe të femrës së jashtëzakonshme.
Kalvari i gjatë i jetës artistike dhe i asaj private do të gërshetohej në mënyrë të tillë sa duket e pabesueshme për të qenë e vërtetë. Bota e artit do të kishte të pamundur të pikaste mes yjeve të shkëlqimta të skenës së një shekulli një personalitet të përmasave të tilla si Maria Kalas. Ajo jetoi duke rrokur një interesim të pagjasë të publikut, një ngulm të medies, një lavdi që ishte shkruar në skenë për të reflektuar në qiell. Edhe vdekja e saj e parakohshme rroku një pikëllim të të njëjtave përmasa sa dhe të gjallët, gjithçka e saj, nga hapi fillues në sfidat e skenës deri në pragun e beftë të ndalimit të zemrës./AlbertVataj.com