Në një raport të publikuar këtë të hënë Europol zbulon se gati 70 perqind e rrjeteve kriminale që veprojnë në vendet e Bashkimit Europian përdorin forma të pastrimit të parave për të financuar aktivitetet e tyre dhe fshehur pasuritë.
Raporti i Europol për krimet financiare dhe ekonomike thotë se kriminelët kanë krijuar një ekonomi të nëndheshme për të mbështetur operacionet e tyre të paligjshme. Sipas agjencisë së zbatimit të ligjit më shumë se 60% e rrjeteve kriminale që veprojnë në BE përdorin metoda korruptive për të arritur qëllimet e tyre të paligjshme. Dhe 80% e rrjeteve kriminale aktive në BE keqpërdorin strukturat legale të biznesit për aktivitete kriminale.
“Krimi i organizuar ka ndërtuar një ekonomi kriminale globale paralele rreth pastrimit të parave, transfertave të paligjshme financiare dhe korrupsionit. Me teknologjinë moderne, ata kanë bërë të shumëllojshme mënyrat e punës së tyre për të shmangur zbulimin”thuhet në raportin e Europol.
Raporti paralajmëroi gjithashtu se teknikat dhe mjetet e përdorura nga kriminelët përparojnë shpejt, duke përfituar nga zhvillimet e shpejta teknologjike ose duke përfituar nga zhvillimet gjeopolitike.
“Ky raport parashtron metodat gjithnjë e më të sofistikuara të krimit të organizuar dhe sukseset e zbatimit të ligjit evropian në luftimin e tyre. Nëse vendet anëtare të BE-së punojnë së bashku edhe më afër në këtë luftë, ne mund të arrijmë rezultate të mëdha”, thotë Ylva Johansson, komisionerja evropiane për punët e brendshme.
Rikuperimi i aseteve është një nga mjetet më të fuqishme për të luftuar kundër krimit financiar, por Europol zbulon se autoritetet e vendeve të BE konfiskojnë vetëm 2% të të ardhurave vjetore të vlerësuara të grupeve të krimit të organizuar.
360grade.al