Home Gjeo-Ekonomia Trump paraqet mocion, kërkon skualifikimin e gjykatëses në çështjen federale për zgjedhjet

Trump paraqet mocion, kërkon skualifikimin e gjykatëses në çështjen federale për zgjedhjet

Ish-Presidenti Donald Trump paraqiti një mocion të hënën duke kërkuar skualifikimin e gjykatëses Tanya Chutkan nga çështja penale ku ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Zoti Trump, kandidati kryesor për të marrë emërimin e partisë republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, tha muajin e kaluar se planifikonte të kërkonte zëvendësimin e gjykatëses Chutkan si dhe zhvillimin e gjykimit në një vend tjetër. Ish-Presidenti Trump argumentoi në mocion se deklaratat e mëparshme të gjykatëses Chutkan, që duket se i referohen rolit të tij në ndikimin e trazirave në ndërtesën e Kongresit më 6 janar 2021 nga mbështetësit e tij, ngrenë pikëpyetje në lidhje me paanshmërinë e saj në këtë çështje.

Deklarata gjyqësore thekson një vërejtje nga gjykatësja Chutkan gjatë një seancë dëgjimore të vitit 2022 për një të pandehur lidhur me trazirat e Kapitolit, në të cilën ajo sugjeroi se protestuesi ishte i motivuar nga “besnikëria e verbër ndaj një personi, i cili, meqë ra fjala, mbetet i lirë edhe sot e kësaj dite”, thuhet se ishte shprehur gjykatësja.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se komenti tregonte besimin e gjykatëses se zoti Trump “duhet të ndiqet penalisht dhe të burgoset”. Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ngriti akuza ndaj ish-Presidentit Donald Trump për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij ndaj Kapitolit.

Kjo është një nga katër çështjet penale me të cilat përballet zoti Trump ndërsa kandidon për të marrë emërimin republikan për zgjedhjet e vitit 2024. Ai ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat. Zoti Trump e ka kritikuar shpesh gjykatësen Chutkan që kur ajo u caktua për të kryesuar çështjen në gjykatën federale të Uashingtonit. Gjykatësja Chutkan, e emëruar nga ish-Presidenti Barack Obama, hodhi poshtë kërkesën e zotit Trump në vitin 2021 në një çështje civile që ai ngriti në përpjekje për të mbrojtur të dhënat e tij në Shtëpinë e Bardhë nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat në Kapitol. Në arsyetimin e vendimit të saj, gjykatësja Chutkan shkroi mes të tjerash: “Presidentët nuk janë mbretër dhe Paditësi nuk është President”./VOA

Share: