Home Gjeo-Ekonomia Vuçiq: Sulmi ndodhi pasi “disa serbë nga Kosova” u rebeluan kundër Kurtit

Vuçiq: Sulmi ndodhi pasi “disa serbë nga Kosova” u rebeluan kundër Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se sulmi i së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë, ndodhi pasi “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e policisë së Kosovës.

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë të dielën gjatë këtij sulmi të armatosur. Policia ka thënë se është sulmuar në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku janë plagosur edhe tre zyrtarë policorë.

Duke folur drejtpërdrejt për media në Beograd mbrëmjen e së dielës, ai tha se “tre serbë nga Kosova u vranë – dy nga snajperët – dy u plagosën rëndë dhe ka frikë për vrasjen edhe të personit të katërt”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha më herët gjatë ditës se banorët lokalë serbë “nuk kanë automjete të tilla (të blinduara), dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës. Ai e quajti “formacion profesionist” grupin e personave që kreu sulmin e armatosur.LEXONI EDHE KËTË:Kurti, pas vrasjes në veri: Së paku 30 persona të armatosur rëndë nën rrethimin e forcave tona

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më herët se u arrestuan gjashtë persona – dy prej tyre sulmues dhe katër të tjerë që e mbështetën sulmin me radio-lidhje, dhe se aksioni i Policisë për kapjen sulmuesve të tjerë po vazhdon.

“Rreth orës 02:46 të natës së sotme, një grup serbësh nga ‘Kosova dhe Metohia’ vendosi dy kamionë si barrikada në Banjskë – në veri të Kosovës. Më pas shkoi policia e Kosovës dhe tentoi t’i largojë ato barrikada. Kishte një konflikt me serbët që vendosën barrikada dhe në atë konflikt mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe një person tjetër u plagos”, tha Vuçiq.

“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti”.LEXONI EDHE KËTË:Policia e Kosovës e konfirmon vrasjen e tre sulmuesve në veri

Presidenti serb tha se “në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.

Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti”.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë.

Vuçiq tha se në ditët në vazhdim do të marrë vendime, që do t’ua komunikojë “qytetarëve dhe popullit tonë në Kosovë”, por nuk specifikoi se me çfarë kanë të bëjnë ato vendime.

Ai tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por shtoi se është i gatshëm të bisedojë.

Kurti dhe Vuçiq u takuan më 14 shtator në Bruksel për një nivel të lart bisedimesh në dialogun e ndërmjetuar nga Bashkimi Evropian, por nuk arritën asnjë pajim për normalizimin e marrdhënieve

Informacionet e fundit për zhvillimet në veri, pas vrasjes së zyrtarit policor, i gjeni këtu.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës./Europaelirë.org

Share: