Në seancën e parë të procesit ku kundërshtohet harta e re gjyqësore, avokatët paralajmëruan se tarifat për të realizuar mbrojtjen do të shtrenjtohen me 2.5 herë më tepër, në rast se Gjykata Kushtetuese do të lërë në fuqi shkrirjen e 18 gjykatave.
“Mbajeni shënim këtë që ta sillni në seancë, ta depozitoni ku kini dalë në përfundimin se nëse qëndron harta tarifa shkon 2.5 herë më shumë”,tha Holta Zaçaj-gjyqtare Kushtetuese.
Me kundërshtimet se bllokohet aksesi në drejtësi dhe se nuk u mor parasysh infrastruktura duke dëmtuar interesat e qytetarëve, palët pro dhe kundër janë në kushtetuese më pak se një vit mbasi kjo hartë ka nisur të zbatohet.
“Meqë më pyete për Beratin, po ta sjell shembullin. Që të vish nga Malësia e Skraparit në kohë dimri ku bie dëborë ku rruga është e prishur, ku aksesi i transportit urban është jashtë loje, sigurisht që ndikon dhe në faktorin kohë përveç faktorit kilometrik”, u shpreh Edmond Konini-Sekretar i Përgjithshëm i Avokatisë.
Por më e kritikuara është gjykata e apelit juridiksioni i përgjithshëm, hapur në 1 shkurt 2023 dhe ku qytetarë e gjyqtarë po përballen me vështirësi.
Eksperimenti i Gjykatës së Apelit do të zgjasë pesë vjet në varësi të suksesit apo dështimit që do haset nga aplikimi i saj. Kështu iu përgjigjën përfaqësuesit e KLGJ pyetjes së anëtares së Gjykatës Kushtetuese Marjana Semini:
Marjana Semini: Si u vlerësua nga ju fakti që Shqipëria e braktisi këtë model të një gjykate të vetme?
Këshilli i Ministrave: Në këto kushte që jemi duhet vetëm një Gjykatë Apeli.
Avokatët janë përballë qeverisë së gjyqësorit pra KLGJ dhe Këshillit të Ministrave në këtë proces.
Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit solli shembuj në Gjykatën Kushtetuese se si reduktimi i gjykatave ndikoi në stokun e dosjeve dhe në zvarritjen e gjykimeve, më i rëndi ai i një çifti të divorcuar jashtë vendit dhe që kanë depozituar kërkesë për njohje vendimi në gjykatën e Korçës, por ende nuk janë ndarë
Top Channel