Home KRYESORE Kush është komandanti në hije i Hamasit i njohur si “macja me...

Kush është komandanti në hije i Hamasit i njohur si “macja me 9 jetë”, Izraeli kërkon ta “eliminojë” me çdo kusht që prej vitit 1995

Mohammed Deif është jashtëzakonisht i pakapshëm, mban fytyrën e tij jashtë domenit publik dhe rrallë herë shfaqet në video-mesazhe. Prestigjiozja britanike “Sky News” ka sjellë një artikull rreth komandantit të Hamasit që njihet me nofkën “Mysafiri” ose “Macja me 9 jetë”.

Komandanti i fshehtë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën është një figurë e errët.

Mohammed Deif, komandanti i krahut ushtarak të grupit militant, njihet si “Mysafiri”, ose ndonjëherë “macja me nëntë jetë”.

Pseudonimi i parë është marrë nga emri i tij “Deif” do të thotë mysafir në arabisht, duke iu referuar zakonit të tij për të qëndruar me simpatizantë të ndryshëm çdo natë për të shmangur zbulimin.

E dyta është një referencë për aftësinë e tij për shmangien e tentativave të Izraelitë për ta vrarë.

Paraqitja e rrallë në publik

Në orët pas sulmit të papritur të Hamasit ndaj Izraelit, Deif u shfaq në një video-mesazh të regjistruar, duke njoftuar fillimin e atij që ai e quajti “Operacioni Al Aksa Storm”.

“Mjaft është mjaft”, tha ai në mesazh, ndërsa u bëri thirrje palestinezëve që t’i bashkohen luftës.

Ai tha se inkursioni ishte në përgjigje të bllokadës 16-vjeçare të Gazës, bastisjeve izraelite brenda qyteteve të Bregut Perëndimor gjatë vitit të kaluar, dhunës në Al Aksa, vendi i shenjtë i diskutueshëm i Jeruzalemit, rritjes së sulmeve nga kolonët ndaj palestinezëve dhe rritjes së vendbanimeve.

“Ne kemi vendosur t’i japim fund gjithë kësaj,” tha ai.

Deif iu bashkua Hamasit rreth vitit 1990 dhe mësoi aftësinë e prodhimit të bombave nën drejtimin e Yehya Ayyash, një prodhues i njohur bombash i njohur si “inxhinieri”.

Ai u akuzua për organizimin e një sërë sulmesh nga viti 1995 e tutje dhe u konsiderua personalisht përgjegjës për vdekjen e dhjetëra izraelitëve.

“Mysafiri” u vlerësua gjithashtu si arkitekti i një rrjeti të sofistikuar tunelesh nën Rripin e Gazës dhe projektimi i raketës Qassam.

Një burim nga Hamasit, i cili e njeh Deifin që nga vitet 1990, tha për Reuters se ai ka qenë në qendër të zhvillimeve brenda krahut të armatosur që nga viti 1994.

Në vitin 2002, ai u bë kreu i Brigadave Qassam, dega ushtarake e Hamasit, pasi Izraeli vrau ish-liderin e tij.

Profili i ulët i Deif është arsyeja e suksesit të tij, sipas një ish-lideri të lartë të Hamasit, i cili foli për Washington Post në 2014.

Nuk ka pothuajse asnjë foto të Deifit në domenin publik, dëshmi e natyrës së tij të fshehtë.

“Ai mban një profil të ulët dhe jeton i fshehur mes popullatës. Ai lëviz me pasaporta të ndryshme dhe identitete të ndryshme, Është i suksesshëm deri më tani, sepse rrethi rreth tij është shumë i vogël. Kjo është arsyeja pse ai është ende gjallë,” tha Imad Falouji.

“Macja me nëntë jetë”

Deif ka qenë njeriu më i kërkuar i Izraelit që nga viti 1995 dhe i ka mbijetuar tentativave të shumta për jetën e tij. Por nuk shpëtoi i padëmtuar. Ai është pjesërisht i paralizuar dhe thuhet se përdor një karrige me rrota. Gjithashtu thuhet se humbi një sy dhe një krah në një nga sulmet.

Një sulm ajror izraelit që shënjestruan Deif-in në vitin 2014 la të vdekur gruan dhe dy fëmijët e tij.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, ushtria vazhdon ta kërkojë atë.

Deif është renditur si një Terrorist Global i Përcaktuar Speciale (SDGT) nga Departamenti i Shtetit i SHBA.

Jeta e mëhershme

Mohammed Deif lindi në kampin e refugjatëve Khan Younis në vitet 1960.

Shumë pak informacion ka për arsimin e tij, por dihet se studionte shkencë në Universitetin Islamik të Gazës, ku ishte pjesë e një grupi teatror të quajtur “Të kthyerit”

Deif vazhdoi të aktrojë pasi iu bashkua Hamasit, ndonjëherë duke luajtur pjesë në video propagandistike, tha për Washington Post, Avi Melamed, një ekspert i Lindjes së Mesme në Institutin Eisenhoëer.

Kur ka thyer heshtjen për herë të fundit

Hera e fundit që zëri i tij u dëgjua ishte në vitin 2021, kur ai paralajmëroi se Izraeli do të paguante një “çmim të madh” nëse nuk i plotësonte kërkesat e Hamasit për Jerusalemin.

Në 11 ditët e konfliktit që pasuan, të paktën 250 njerëz u vranë në Gaza dhe 13 në Izrael.

Para kësaj, ai nuk kishte folur për 7 vjet.

360grade.al

Share: