Home Gjeo-Ekonomia Luftë për mbijetesë, banorët e Gazës “mësyjnë” në depot e ushqimeve

Luftë për mbijetesë, banorët e Gazës “mësyjnë” në depot e ushqimeve

Situata e vështirë e mungesës së ushqimeve në Rripin e Gazës ka shtyrë mijëra palestinezë të hyjnë me forcë në depot ku janë vendosur ndihmat ushqimore.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara njoftoi se kanë hyrë për të gjetur ushqime, të cilat tashmë shihen si element mbijetese për ata.

Thomas White, drejtues i agjencisë së OKB-së në Gazë, deklaroi se kjo hyrje në depot e ushqimeve është një shenjë shqetësuese se rendi civil ka filluar të prishet pas tre javësh luftë mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Komunikimet në Gaza u rivendosën pjesërisht këtë të diel, pas dy ditësh shkëputje, që shkaktuan probleme gjerësisht për personat që ndodhen në ato territore. Linjat e komunikimit njoftuan se shërbimet fikse, telefonike dhe lidhja e internetit po riktheheshin gradualisht, pavarësisht se gjendja në terren mbetet serioze pas shkëputjes së 2.3 milionë banorëve me komunikimin me botën e jashtme.

Sulmet po vijojnë ende në Rripin e Gazës, kryesisht pranë spitalit më të madh në vend. Sulmet ajrore nga avionët izraelitë po ndodhin pranë spitalit Shifa që është i tejmbushur me pacientë dhe civilë që kërkojnë strehim, pasi autoritetet dyshojnë se militantët e Hamasit kanë një qendër komanduese aty.

Mijëra persona po kërkojnë mjekim në qendrën mjekësore, ndërsa numri ka ardhur duke u shtuar edhe si pasojë e shpërthimeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vlerësohet se 1.700 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja të ndërtesave të shkatërruara.

Top Channel

Share: