Afati prej gjashtë orësh, i dhën nga ushtria izraelite për evakuimin e civilëve përfundoi në orën 16:00.
Izraeli i la disa orë kohë palestinezëve të largoheshin nga Gaza drejt Luginës në jug, duke shpërndarë njoftimin në platformën “X”.
Tashmë afati ka përfunduar, por është e paqartë sa prej civilëve i janë bindur thirrjes së ushtrisë izraelite, duke marrë parasysh se Gaza është pa energji elektrike dhe pa internet.
Një ditë më parë, ushtria izraelite u tha 1.1 milion njerëzve që jetonin në Gazën veriore të linin shtëpitë e tyre.
Pika kufitare Rafah e pasigurt, vazhdojnë bombardimet
Por, pika kufitare Rafah, për të kaluar nga Gaza drejt Egjiptit raportohet se nuk është e sigurt.
Për BBC-në, Mohamed Aborjelaa ka treguar se sot janë përpjekur të kalojnë kufirin rreth 500 persona me pasaporta të huaja, por pa sukses.
“Vetë vendkalimi kufitar nuk është i sigurt, ka bombardime dhe nuk ka strehim. Njerëzit morën mesazhe ku u kërkohej të ishin aty nga ora 12:00 deri në orën 15:00, por në asnjë moment gjatë kësaj kohe, kalimi nuk ishte i hapur”.
Pranë këtij kufiri ndodhen shtetas me pasaporta amerikane, britanike, franceze, kineze, zvicerane dhe suedeze. Shumica kanë shtetësi të dyfishtë dhe mbajnë gjithashtu një pasaportë palestineze.
Kryeministri izraelit viziton ushtarët izraelitë pranë kufirit të Gazës
Ndërkohë, në vijën e frontit pranë kufirit të Gazës, ka shkuar vetë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. Para ushtarëve, ai u shpreh se janë gati për fazën e ardhshme të luftës.
“Me luftëtarët tanë në zarfin e Gazës, në vijën e frontit. Ne jemi të gjithë gati”, shkroi Netanyahu në platformën “X”.
Top Channel