Sufiçiti buxhetor i Shqipërisë, teprica mes të ardhurave që qeveria mbledh në arkën e saj dhe shpenzimet që ajo bën, arriti në 51.6 miliardë lekë ose mbi 490 milionë euro në fund të 9 mujorit. Të dhënat zyrtare të buxhetit tregojnë se sufiçiti i buxhetit vazhdon të rritet nga muaji në muaji teksa qeveria duket e paaftë të realizojë shpenzimet e planifikuara publike veçanërisht ato të investimeve.
Sipas të dhënave nga ministria e Financave për periudhën Janar Shtator të këtij viti, investimet publike rezultuan 46 miliardë lekë nga 65 miliardë lekë që kishte planifikuar të ekzekutonte.
Për të gjithë vitin 2023, shpenzimet për investime publike janë programuar në masën 123.9 miliardë lekë. Kjo do të thotë se në 3 muajt e mbetur të vitit, qeveria duhet të realizojë rreth 80 miliardë lekë ose gati 2 herë më shumë investime në vlerë se sa ka realizuar në këto 9 muaj.
Për shkak të ecurisë së dobët të shpenzimeve, në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave ndryshoi buxhetin e shtetit përmes një Akti Normativ. Ky Akt rishpërndau 46 miliardë lekë nga zërat e shpenzimeve me ecuri të dobët realizimi tek ato me ecuri më të mirë.
Por ekzekutim jo uniform i buxhetit të shtetit mund të krijojë një dallgë të re inflacioni në muajt e mbetur të vitit. Dhe teksa Banka e Shqipërisë lufton për të përmbajtur inflacionin, qeveria do të shpenzojë rreth 270 miliardë lekë në tre muajt e mbetur të vitit. Mesatarisht 90 miliardë lekë ose 860 milionë euro në muaj.
Problem moral i sufiçitit
Teprica e parave në arkën e shtetit krijon dhe një problem moral të qeverisë përballë qytetarëve. Ajo mbledh të ardhura nga taksat dhe tatimet më shumë se sa mund të shpenzojë. E thënë ndryshe administrata gropos paratë që u merr qytetarëve në thesar. Jo pak, por 2.5 për qind të PBB-së.
Teorikisht kjo do të thotë se barra e taksave që qeveria ka vendosur mbi qytetarët është më e madhe se sa fuqia absorbuese e ekonomisë për kapitale publike. Ose që qeveria është e paaftë të hartojë dhe realizojë vepra publike. Dhe këtu zë fill konflikti moral.
Nëse qeveria merr, por nuk kthen mbrapsht, qytetarëve u lind e drejta të mos paguajnë. Por në Shqipëri po ndodh një paradoks. Qytetarët dhe biznesi duket se janë të gatshëm të vazhdojnë të paguajnë, pavarësisht asaj që bën qeveria me paratë. Dhe kjo mund të ketë vetëm një shpjegim. Ekonomia duket se ka presion të madh për të pastruar para./Kapitali.al