Rusia dhe Kina bllokuan një përpjekje të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ndërmarrë veprime lidhur me konfliktin Izrael-Hamas. Në rezolutën e propozuar bëhej thirrje për ndërprerje të përkohshme të luftimeve për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare, mbrojtjen e civilëve dhe ndërprerjen e furnizimit të Hamasit me armë dhe militantëve të tjerë në Rripin e Gazës.
Shtetet e Bashkuara propozuan një projektrezolutë të shtunën ndërsa vazhdojnë të rriten reagimet ndërkombëtare lidhur me përkeqësimin e gjendjes humanitare në Rripin e Gazës dhe rritjen e viktimave në mesin e civilëve. Përpjekja e Shteteve të Bashkuara erdhi disa ditë pasi Uashingtoni i vuri veton një projektrezolute të Brazilit, të përqendruar në trajtimin e gjendjes humanitare në Rripin e Gazës, me arsyetimin se kishte nevojë për shumë kohë për përpjekjet e tij diplomatike.
Teksti fillestar i projektrezolutës amerikane tronditi shumë diplomatë me gjuhën e drejtpërdrejtë mbi të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe thirrjen që Irani t’i japë fund furnizimit të grupeve militante me armë. Në tekst nuk përfshihej thirrja për ndërprerje të luftimeve për t’i hapur rrugën ndihmave humanitare për civilët. Por, teksti përfundimtar i projektrezolutës, që u hodh për votim, kishte një gjuhë më të butë.
“Ne dëgjuam zërin tuaj”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield para 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, pas bllokimit të dy projektrezolutave, që ajo i quajti veprime zhgënjyese. “Ndonëse votimet e sotme ishin një hap mbrapa, kjo nuk do të ndalë përpjekjet tona”, shtoi ajo.
Kërkesa për veprime nga OKB-ja për situatën në Lindjen e Mesme ishte një lloj i veprimit, që Shtetet e Bashkuara nuk e ndërmarrin shpesh.
Dhjetë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan në favor të projektrezolutës amerikane, Emiratet e Bashkuara Arabe kundër, ndërsa Brazili dhe Mozambiku abstenuan.
“Projektrezoluta nuk pasqyron thirrjet e forta botërore për armëpushim, ndërprerjen e luftimeve dhe nuk ndihmon në zgjidhjen e çështjes”, tha ambasadori kinez në OKB, Zhang Jun pas votimit. “Në këtë moment, armëpushimi nuk është vetëm një kusht diplomatik, por edhe një lëvizje për të shpëtuar jetët e shumë civilëve”, shtoi ai.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutterres vazhdimisht ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar në Rripin e Gazës.
“Detyrim për të vepruar”
Pas ngërçit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, 193 vendet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të votojnë të premten për një projekt-rezolutë të hartuar nga vendet arabe, e cila bën thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës. Asnjë vend nuk ka fuqinë e vetos në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Zbatimi i rezolutave të këtij organi nuk është i detyrueshëm, por ato kanë një peshë politike.
Izraeli është zotuar se do të çrrënjosë Hamasin, grupin militant që ka pushtetin në Rripin e Gazës, në hakmarrje të sulmit të 7 tetorit në Izrael, në të cilin u vranë 1400 njerëz. Izraeli ka kryer sulme të shumta ajrore në Rripin e Gazës, e ka rrethuar atë rajon me 2.3 milionë banorë dhe po përgatitet për një operacion të gjerë tokësor. Autoritetet palestineze thonë se më shumë se 6500 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia akuzoi Shtete e Bashkuara për hedhjen për votim të një projektrezolute, që autorizonte ofensivën tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës, “ndërsa mijëra fëmijë palestinezë do të vazhdonin të vriteshin atje”.
Pas dy dështimeve të para, në Këshillin e Sigurimit u hodh për votim një projektrezolutë e hartuar nga Rusia, e cila bënte thirrje për një armëpushim humanitar dhe tërheqje të urdhrave të Izraelit për evakuim të civilëve nga veriu në jug të Rripit të Gazës para fillimit të sulmit tokësor.
As projektrezoluta e Rusisë nuk mori mbështetjen e nevojshme për miratim në Këshillin e Sigurimit. Vetëm katër vende votuan në favor të saj. Për miratimin e një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit duhen të paktën 9 vota dhe asnjë veto nga pesë anëtarët e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Rusia dhe Kina./ VOA