Home Gjeo-Ekonomia “Shqipja e rrezikuar tek arvanitasit në Greqi dhe arbëreshët në Itali”

“Shqipja e rrezikuar tek arvanitasit në Greqi dhe arbëreshët në Itali”

AkademikU Rexhep Ismajli thotë se Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë më shumë për të ruajtur gjuhën shqipe, e cila është aktualisht në krizë për shkak të diasporizimit të saj dhe dygjuhësisë së përdoruesve të saj. Ai mbajti një ligjëratë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë me titull “Shqipja sot: Reflkse për ‘krizën’ në gjuhë”.

Akademik Ismajli tha se demokratizimi i shoqërive, integrimi i tyre në bashkësi më të mëdha, lëvizja e banorëve në shtete të tjerë, globalizmi si dhe revolucioni i shpejtë teknologjik kanë sjellë ndikime të forta mbi gjuhën shqipe.

“Janë shtuar anglikanizmat e paintegruara në gjuhën e lajmeve, muzikës dhe spektakleve të argëtimit. Po shtohen gjermanizmat dhe italianizmat, ndërsa ndikimi nga serbishtja është në pakësim. Shqipja ka nevojë për një hapje të kujdesshme, por jo për një liberalizim të plotë në huazimet. Shqipja fitoi hapësira të reja këtë shekull pas zhvillimeve në rajon, por vazhdon të jetë e rrezikuar tek arvanitasit në Greqi, tek arbëreshët në Itali dhe në diasporë gjithandej botës”, tha akademik Ismajli.

Ai theksoi se bashkësia e folësve të shqipes me rreth 7 milionë folës sa llogaritej, tani ka zbritur ndjeshëm në vend, për shkak të diasporizimit të përshpejtuar si në gjithë rruzullin, edhe ndër shqiptarët.

“Mungesa e mbështetjes efikase prej shteteve amë po krijon frikë për reduktimin drastik të përdoruesve të shqipes si gjuhë të parë të jetës dhe të punës, si parakusht për qëndresë dhe zhvillim normal”, tha akademik Ismajli.

Ai shtoi se Shqipëria dhe Kosova, ashtu si i tërë Ballkani qendror dhe jugor, si hapësirat më të mëdha të folësve të shqipes, po shndërrohen në hapësira, ku mbizotërojnë folës të moshuar, ekonomikisht gjithnjë e më të varur.

“Qysh në brezin e parë në diasporën e lënë në mëshirën e fatit, po na krijohet shtresa e gjysmëfolësve, apo edhe të atyre që jetojnë me kujtimin për prejardhjen. Ku do të arrijmë me këto rrjedha të ikjes? Kriza në gjuhë në këtë aspekt, as menaxhohet as zgjidhet nga gjuhëtarët. Janë mekanizma të tjerë shoqërorë, politikë dhe shtetërorë, që duhet t’i dalin përpara. Në afat të gjatë kjo mund të jetë kriza më e madhe e mundshme”, tha gjatë ligjëratës akademik Ismajli.

Ndërsa në një bisedë për Zërin e Amerikës pas tubimit me kolegë gjuhëtarë, profesorë, studentë dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar, zoti Ismajli tha se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë institucione për të mbrojtur gjuhën shqipe, por kanë institucione për kultivimin e gjuhës dhe për zhvillimin e saj.

“Institutet e gjuhësisë, Instituti Albanologjik, Akademitë, universitetet, që janë bërë shumë, duhet të ngremë cilësinë e punës në këtë drejtim. E dyta: duhet të krijojmë hapësira për përdorimin e saj”, tha akademik Ismajli.

Ai shprehu brengën se arsimtarët e rinj po lakmojnë të botojnë anglisht ose në ndonjë gjuhë tjetër, sepse sipas tij, administrata ua vlerëson më shumë atë se ato që botojnë në shqip.

“Jam dakord që të rinjtë tanë duhet të integrohen në botë, por nga ana tjetër duhet të ngremë cilësinë e botimeve tona, në mënyrë që edhe këto të jenë konkuruese njësoj si në gjuhë të huaj.

Mungon vëmendja për gjuhën, sepse mendohet që njerëzit vetvetiu do t’a mbrojnë gjuhën. Jo. Vetvetiu nuk shkon asgjë. Duhet edhe këtu të kemi organizim”, tha akademik Ismajli.

Ai theksoi se është koha e fundit që të ndërmerren nisma që e fuqizojnë shqipen dhe e mbrojnë atë.

“Mbrojtja e gjuhës nuk bëhet me dekrete, por bëhet përmes përdorimit, zgjerimit të hapësirës ku do të zhvillohet veprimtaria gjuhësore. Nëse nuk zhvillohet veprimtaria në shqip, ai rrafsh i përdorimit bie, harrohet dhe me kohë humbet. Pastaj mësohen njerëzit në atë rrafsh të flasin anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht. Ne duhet t’i bëjmë, që ata të mos kenë nevojë t’i marrin të gatshme tjetërkund, por t’i kenë tonat”, tha zoti Ismajli.

Ai shtoi se pedagogjia ka nevojë shumë të mësojë për mënyrën më të lehtësuar të përcjelljes së gjuhës, ku një përparësi është që gjithë tekstet janë unike, si për shembull, tekstet e gramatikës janë të Bahri Becit kudo, në Prishtinë, Tetovë dhe këtu në Tiranë.

“Për fëmijët e vegjël fare kemi mungesa të mëdha të veprimtarive filmike vizatimore dhe programeve të atilla në shqip. Ato po na i mbizotëron anglishtja. Këtë nuk mund ta kapërcejmë duke u thënë fëmijëve: “Mos i shikoni!”. Duhet t’u japim edhe ne. Diçka ka, por jo mjaftueshëm”, tha akademik Rexhep Ismajli./Zëri i Amerikës

Share: