Gjykata e Lartë ka vendosur se nuk është kompetente gjykata e Durrësit por gjykata antikorrupsion në Tiranë, për shqyrtimin e kërkesës së Fredi Belerit për të marrë lejen e posaçme me qëllim betimin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës më 14 maj.
Në vendimin e gjykatës sqarohet se kompetencën për dhënien e lejes së posaçme e ka prokurori.
Më tej përmendet fakti se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka asnjë kompetencë për të miratuar leje për betimin, ashtu siç Beleri e ka kërkuar në muajin shtator.
Lutja për tu betuar në një fazë të hetimit paraprak të çështjes për të Belerin nën arrest me burg, i takon prokurorit të SPAK si titullar i procedimit penal thekson Gjykata e Lartë sipas të cilës prokurori vlerëson impaktin e dhënies së lejes nëse ndikon apo jo në rezultatin dhe fshehtësinë e hetimit.
Pra kolegji penal citon se, “aksesi i drejtuesit të institucionit të paraburgimit Durrës për të vlerësuar kushtet e aplikimit të kësaj lejeje është pothuajse inegzistent”.
Gjykata shton se përsa kohë çështja gjendet në Gjykatën Antikorrupsion, kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga trupë tjetër përtej gjykatës që ka gjykimin në themel. Pasi kolegji penal ka zgjidhur konfliktin se cila gjykatë duhet ta shqyrtojë kërkesën e Belerit për tu betuar, Top Channel u interesua pranë gjykatës së posaçme në Tiranë, nëse kishte caktuar apo jo një datë për ta shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut të votuar të Himarës, i cili prej shtatë muajsh mbahet në qeli nën akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Kjo gjykatë konfirmoi se nuk është caktuar ende seanca, ndërsa kërkesa e Belerit pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja antikoprrupsion, Fjorela Davidhi. Për Fredi Belerin janë dëgjuar disa dëshmitarë, midis tyre edhe Arsen Rama, i cili ka treguar se si u pagua për të siguruar vota në këmbim të 50 euro secila.
Ndërkohë pas votimeve vendore të 14 majit ku ai u shpall fitues, Beleri kërkon të lërë qelinë dhe të betohet. Kryebashkiaku i votuar i Himarës bazohet në precedentë të mëparshëm, në praktikën e ish deputetit Azgan Haklaj dhe Mark Frrokut, të cilët sipas të paraburgosurit Beleri, morën leje të posaçme për tu betuar.
360grade.al