Formimi i kësaj lidhjeje ishte një nismë e domosdoshme dhe e para në diasporë. Duke u bazuar në kushtet dhe sistemin italian (duke mos pasur një marrëveshje ndërshtetërore), si dhe për një mënyrë më të mirë të funksionimit u hodh ideja e krijimit të një lidhje të shkollave me njëra-tjetrën nga shoqatat, shkollat dhe mësuesit që veprojnë në Itali.
Itali/Dritan Mashi
Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë ka karakteristikat e veta në çdo shtet ku zhvillohet. Ka shtete që e kanë në sistemin shkollor dhe shtete që e mundësojnë nëpërmjet kurseve të varura nga shoqatat kulturore, si; Italia, Greqia, Turqia, etj…
Funksionimi i këtyre kurseve(shkollave) në Itali bëhet krejtësisht mbi baza vullnetare dhe mundësohet nga këto shoqata, bazë materiale dhe ambiente, gjë që bëjnë të mundur edhe afrimin e mësimdhënësve pa pagesë (pjesa dërrmuese). Në të njëjtën kohë që të jetë sa më funksionale dhe e suksesshme kërkohet një kombinim dhe bashkëpunim i ndërsjellë dhe i shëndoshë, raporton Dijasot.com
Duke u bazuar në kushtet dhe sistemin italian (duke mos pasur një marrëveshje ndërshtetërore), si dhe për një mënyrë më të mirë të funksionimit u hodh ideja e krijimit të një lidhje të shkollave me njëra-tjetrën.
Shkolla e shoqatës dhe mësuesit e shkollës, çelës që hap derën e një komuniteti të ngushtë, kurse shumë shkolla me shoqata dhe shumë mësues të kualifikuar dhe përditësuar, të bashkuar, që komunikojnë, ndajnë eksperiencat e bashkëpunojnë, formojnë një çelës të madh për të hapur një derë të madhe për një komunitet më të gjerë. Lidhja e shkollave të gjuhës shqipe në Itali do të mundësojë ngritjen e nivelit mësimor mbi bazën e bashkëpunimit të trekëndëshit: shkollë-shoqatë-mësues, ngritjes professionale të mësuesve dhe ruajtjes së dinjitetit të tyre, si dhe një komunikimin e bashkëpunim mbi baza të shëndosha me institucionet e shteteve amë.
Lidhja e shkollave të gjuhës shqipe në Itali u krijua me vullnetin dhe bashkëpunimin e 17 shoqatave dhe shkollave të tyre, si dhe 2 shkolla të pavarura, ku prej tyre 2 nuk ishin të pranishëm(distanca e largët), por që përshëndetën me mesazh urimi dhe bashkëpunimi. Gjithashtu, u zgjodh një kryesi prej 7 vetash (mësues), gjë që përbën një hapësirë më të madhe idesh, territoriale dhe vendimmarrjeje.
Në këtë takim udhëheqës të kësaj lidhjeje u zgjodhën Dritan Mashi, kryetar, Anila Berberi nënkryetare, Eglantina Likaj sekretare. Njëkohësisht u vendos që kryetari e asamblesë të jetë Besnik Veselaj.
Gjithçka për këtë event të shkollave të gjuhës shqipe në Itali u mundësua nga shoqatat dhe mësuesit që duhen përgëzuar e falënderuar që u bashkuan në Reggio Emilia nën kujdesin dhe mikpritjen e shoqatës “Shqiponja” me kryetar z. Haki Maze. /Dijasot.com