Home KRYESORE Migrimi/Qëndrimi

Migrimi/Qëndrimi

Nga Artur Beu

Të migrosh apo të qëndrosh, kjo është çeshtja që në fakt është një tematikë që e ndjek njeriun nga origjina.

Së pari mendoj se duhet sqaruar se çfarë është njëri term dhe çfarë tjetri.

Migrimi është lëvizje njerëzve në mënyrë të organizuar ose jo nga njëri vend në tjetrin. Besoj se ky është një përkufizim i thjeshtë. Një shpërngulje që nënkupton jo vetëm lëvizjen, por edhe gjetjen e një strehe të re për të kërkuar një jetë të re. Migrimi nënkupton papërshtatshmëri me vendin, shoqërinë dhe kohën.

Qëndrimi lidhet me status kuonë, me faktin se lind në një vend të caktuar dhe qëndron aty duke jetuar pa lëvizur duke u përshtatur me atë territor e me atë shoqëri. Qëndrimi nënkupton përshtatshmëri me vendin, shoqërinë dhe kohë. Natyrisht që ky term nuk duhet marrë si statik, përkundrazi ai evoluon gjatë kohës.

Në fakt dhe siç e shohim, dy termat janë në kundëvendosje të njëri-tjetrit dhe përbëjnë një nga përplasjet më logjike të qenies njerëzore.

Nga ana tjetër, kafshët migratore nuk e kanë këtë problem pasi ndjekin instiktet për t’u shpërngulur dhe kur është nevoja e koha. Këto kafshë, dhe i referohem atyre që njeriu nuk i ka tjetërsuar, nuk kanë as problem hapësire dhe as kohe.

Por, le të kthehemi tek njerëzit.

Migrimi, në konceptim e tij më të lashtë, pra siç edhe e cekëm më lart lidhet me nevojën e lindur të njeriut për të mbijetuar. Kur ishim gjuetarë mbledhës kemi lëvizur pa problem e pa kufizime. Koha ishte e tillë dhe hapësira pa limite.

Të migrosh sot në konceptimin logjik duhet që të kesh nevojë së pari e pastaj të konsiderosh disa faktorë të tjerë që janë socialë, ekonomikë, teknologjikë e kulturorë.

Po, kush migron sot?

Zakonisht migrojnë ata që e ndjejnë të nevojshme të kërkojnë mundësi të reja pasi në vendin e lindjes nuk i kanë ose iu janë hequr. Ky duket të jetë edhe migracioni më i logjikshëm pasi konsideron fakte:- “S’kam mundësi në vendin e lindjes dhe e kërkoj atë në një vend tjetër.” Arsyet e mosgjetjes së mundësive janë të shumta. Shoqëri në luftë që të cënon jetën e kufizon lirinë, shoqëri me gjendje ekonomike të dobët, shoqëri jo koheze, shoqëri që diskriminon, shoqëri që ka një nivel të lartë të paragjykimit racial e kështu me radhë. Pra, një sërë faktorësh që mund të ndikojnë thellë në kufizimin e mundësive për gjetjen e një stabiliteti duke përfshirë punën, shtëpinë, shoqërinë për të kaluar kohën dhe për të krijuar familje, etj., etj.. Në këto kushte lëvizja duket fare e logjikshme.

Nga ana tjetër, ka një “por”, duhet të plotësohen disa kushte për të lëvizur. Nuk mjafton të kesh nevojë dhe kaq. Dalim gjithnjë tek dy parametrat themelorë të jetës: “Hapësira dhe koha”. Hapësirat janë të zëna. Shoqëritë janë të ndërtuara dhe kanë rregulla social-kulturore që janë të ndryshme në vende të ndryshme. Shoqëritë kanë stade zhvillimi të ndryshme. Bota sot nuk është në të njejtin nivel të zhvillimit, si ekonomiko-shoqëror ashtu edhe të zhvillimit teknologjik e kulturor. Për të gjetur një territor për të qëndruar do të duhet të plrshtatesh me rregullat e shoqërisë që e zotëron atë territor, do të thotë të kapësh ritmin e saj, pra kohën e saj. Të qëndrosh në shoqërinë e re do të duhet të kapësh shpejtësinë e saj të lëvizjes, nivelin kulturor, nivelin teknologjik, nivelin arsimor etj., etj.. Nuk jemi përpara lëvizjeve sikurse mund të ishte ajo e tribuve të lashta në kërkim të ushqimit e klimës më të mirë, pra thjesht për territor pa patur problemin e hapësirës dhe të kohës.

Nëse shikojmë historinë e njerëzimit do të kuptojmë fare lehtë, se për shkak të këtyre problematikave popujt kanë bërë luftë mes tyre duke u përpjekur të gllabërojnë territorin (hapësirën), të mbjellin fara të reja e të krijojnë shoqëri të reja e kultura të reja duke sjellë shpesh përplasje mes kulturash.

Sot, nëse konsiderojmë hapësirat tona ku jetojmë dhe i referohem miqve që lexojnë këtë post, jetojmë në ato pjesë të botës ku ka patur zhvillim social-kulturor që ka sjellë në një nivel tjetër shoqërinë. Këtu nuk bëhet fjalë për ta konsideruar më të mirë apo më të keqe një shoqëri apo një tjetër. Jam shumë larg dhe i druhem krahasimit të shoqërive e nuk ka as kuptim ta bëjmë këtë sepse do gabonim shumë. Thjesht marrim fakte në konsideratë.

Tani, në pamje të parë dhe me logjikë, duket se qëndrimi në një territor të caktuar kërkon demonstrim fuqie konstante. Nuk mjafton “çertifikata e pronësisë” për të qenë të qetë. Nëse duam të bëjmë një shembull, marrim një mjet çfarëdo. Nëse posedoni autoveturë apo motorr do të thoni se është i juaji.

Kjo është logjika e ky është rregulli. Po a mjafton çertifikata e pronësisë që të thoni që është juaji? Në vendin tuaj po, sepse kështu është rregulli. Po një person që jua vjedh mjetin e çon në një vend ku s’ka nevojë për të demonstruar një çertifikatë pronësie a konsiderohet ai pronar pasi e zotëron atë? Po patjetër edhe në këtë rast kështu është, sepse kështu e ka rregulli në atë vend. A sjell kjo përplasje mes rregullave e shoqërive? A duket qartë ndryshimi i standardit? Besoj që po!

Në Shqipëri, ka plot raste të njerëzve që jetojnë ende në pronat e të tjerëve për shkak të problemit të krijuar nga epoka e “komunizmit” (1944-1991). Ata s’kanë çertifikatë pronësie dhe vazhdojnë të jetojnë në pronat e të tjerëve. A nuk përbën ky një rast të përplasjes së standardit? Patjetër që po. Siç e dijmë ky rast përputhet edhe ka qenë edhe për shkak të migrimit të brendshëm në vitet Nëntëdhjetë sidomos.

Sot, migrimi më tipik prek shoqëri me probleme ku jeta e njeriut është e cënuar dhe mundësitë janë pothuajse zero. Askush s’mund të shprehet kundër një migracioni për shkak të luftës besoj.

Ndërkohë që, të kërkosh vetëm përmirësim të gjendjes ekonomiko-sociale nuk më duket migrim i mirëfilltë. Ka anëtarë të disa shoqërive që lëvizin thjesht për të provuar nëse ka shoqëri të tjera ku ata mund të gjenden më mirë. Raste të tilla ka plot. Shumë mirë do të bënin dhe bëjnë, por në fakt, duhet të kenë parasysh se:

Të kërkosh përmirësim nuk do të thotë domosdoshmërisht ta gjesh në një vend tjetër.
Të kërkosh përmirësim nuk do të thotë të zaptosh hapësirën e tjetrit kundër rregullave të asaj shoqërie.
Të kërkosh përmirësim nuk do të thotë të përdorësh mekanizma jo konvencionalë (të vjedhësh e grabitësh).

Të kërkosh përmirësim nuk do të thotë të shkosh në shtëpinë e tjetrit dhe t’i marrësh atij atë gjë që ka pa e paguar atë dhe pa dëshirën e tjetrit për t’a shitur atë.

Të kërkosh përmirësim duhet të jetë, përmirësim pa cënuar lirinë, pronën, jetën e shoqërinë e tjetrit.
Të kërkosh përmirësim duhet të jetë shumë më e vështirë se të pranosh status kuonë.

Të kërkosh përmirësim duhet të jetë e mundimshme dhe mësim gjatë gjithë jetës e më shumë se të tjerët.
Të kërkosh përmirësim duhet t’i japësh, falësh kohën tënde tjetrit në një shoqëri tjetër.

Të kërkosh përmirësim do të thotë që edhe mund të gjesh më keq se ku ishe.

Kështu e ka migrimi dhe nuk është e mundur ndryshe.

Ndryshe migrimi do sjellë gjithnjë trazira, përplasje kulturash dhe mendimesh e destabilizim.

Kura e një shoqërie të sëmurë është vetëm arsimimi e mësimi gjatë gjithë jetës. Kura e një shoqërie të pashpresë është krijimi i shpresës aty ku ajo jeton e punon.

Po e mbyll këtu, sepse u zgjata, por tema ka kaq shumë për të folur sa duhet një jetë e tërë e ta kuptosh mendoj se nuk mjafton.

Një fundjavë të mbarë e fat!

Share: