Home KRYESORE “Një budalla i ditur është më budalla se një budalla injorant” SPAK...

“Një budalla i ditur është më budalla se një budalla injorant” SPAK & politika

Ata panë të njëjtën lojë…

Nga Irena Beqiraj

Në vitin 1954, Albert Hastorf psikolog në Universitetin e Dartmouth -it dhe Hadley Cantril homologu i tij në Universitetin Princeton, u kërkuan studentëve të tyre që të gjejnë gabimet dhe të vlerësojnë ashpërsinë e lojtarëve gjatë një ndeshjeje futbolli midis dy ekipeve të dy kolegjeve.

Ishte një lojë e ashpër, një qendërmbrojtës kishte thyer këmbën. Studentët e Dartmouth prireshin të anashkalonin faullet e Dartmouthit, por ishin të shpejtë për të kapur mëkatet e lojtarëve të Princeton. Studentët e Princeton kishin prirje të kundërt.

Studiuesit arritën në përfundimin se pavarësisht se u shfaqën të njëjtat pamje, studentët e Dartmouth dhe Princeton nuk panë të njëjtën ngjarje. Secili student kishte perceptimin e tij, të lidhur ngushtë me përkatësinë personale. Titulli që i vendosen studimit ishte “Ata panë të njejtën lojë”.

Njerëzve u pëlqen ta mendojmë veten si qenie racionale, por racionaliteti ynë dëmtohet kur angazhohet “arsyetimi i motivuar”.

Përshembull, arsyetimi i motivuar ishte një aleat i fuqishëm që u perdor nga industria e duhanit në vitet 1960, për të sfumuar lidhjen midis cigares dhe tumorit të mushkërive e cila u mbështet në atë kohë nga shkencëtarët kryesorë të mjekësisë në botë .

Nëse jeni të varur nga duhani dhe shumë shkencëtarë ju thonë se është vdekjeprurës, por industria e duhanit ju thotë se nevojiten më shumë kërkime për ta vërtetuar këtë, çfarë do të dëshironit të besonit?

Jon Christensen, gazetar edhe profesor në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, publikoi një studim në vitin 2008 për mënyrën se si industria e duhanit ngriti strategjinë e saj të komunikimit publik pikërisht mbi angazhimin e arsyetimin të motivuar .

Një memo famëkeqe e brendshme e kompanisë së duhanit Brown & Williamson, e shkruar në verën e vitit 1969, e parashtronte shumë qartë këtë strategji.

“Dyshimi duhet të jetë produkti ynë”. Pse? Sepse dyshimi është mjeti më i mirë për të konkurruar me faktet që po i serviren publikut të gjerë. Dyshimi është gjithashtu mjeti për të krijuar një polemikë. Mantra jonë duhet të jetë: Mbajeni të gjallë polemikën”.

Studimi i Christensen për fushatën e komunikimit publik të industrisë së duhanit zbuloi po ashtu se industria përdori besimin e shumë gazetarëve që ishin duhanpirës duke i bërë ata lajmëtarë idealë për industrinë. Këta gazetarë donin dëshpërimisht të besonin se zakoni i tyre ishte i mirë.

Debati i sotëm mbi drejtësinë, politiken edhe korrupsionin duket një debat i ndotur nga arsyetimi i motivuar, edhe është e pamundur që faktet të ndihmojnë.

Edhe pse duket sikur sigurimi i informacionit të saktë do ti bashkojë njerëzit, për një çështje të ngarkuar politikisht, kundërta është e vërtetë sepse :

  1. Njerëzit kur dëgjojmë fakte përthithin në mënyrë selektive ato fakte që u përshtatet besimeve te tyre injorojnë atë që nuk u përshtatet dhe riinterpretojnë gjithçka që mundem.
  2. Në këto kushte, më shumë fakte do të thotë më shumë lëndë e parë për tu bluar në mullirin e arsyetimit të motivuar.
    3.Përpjekjet për të mposhtur te pavërtetat ose gjysmë të vertetat me përgënjeshtrimet e pafundme e fakte thjesht e bëjnë genjeshtrën më të fortë. Shkatërrimi i mitive duket sikur funksionon, por më pas vetëm faktet zbehen , harrohen dhe njerëzit kujtojnë vetëm mitet .

Këto ditë nga bisedat edhe komentet me miqtë e mi kam vërtetuar katërciperisht atë që thotë Dan Kahan, profesor i drejtësisë dhe psikologjisë në Yale i cili shkruan: “Grupet me besime të kundërta shpesh bëhen jo më pak por më shumë të polarizuara, kur ekspozohen ndaj fakteve”

Mësimi që nxorra këto ditë është: Nëse doni t’i mbani miqtë edhe nëse nuk jeni të rinj mjaftueshëm për të bërë armiq , në këto kohë mos flisni për SPAK, politikën apo sistemin partiak, nuk i shërbeni askujt as vetes as miqve e aq më pak të vertetës.

Ps : jam ndjerë ashtu sic thotë Molieri:

“Një budalla i ditur është më budalla se një budalla injorant”

Share: