Home Gjeo-Ekonomia 75-vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut

75-vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut

Data 10 dhjetor është shpallur si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në përkujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që të shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Asambleja e Përgjithshme shpalli këtë deklaratë si ideal të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë deklaratë, të përpiqet që me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vet shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.

Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i të drejtave dhe lirive, standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Presidenti i vendit, Bajram Begaj për 75-vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut theksoi rëndësinë e anëtarësisë për herë të dytë të Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, si dhe garanton angazhimin e institucioneve shqiptare në mbrojtjen dhe promovimi e të Drejtave të Njeriut.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut- Dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut mbush sot 75 vjet.
Kjo Deklaratë është ideali i përbashkët për t’u arritur nga të gjithe popujt e gjithe kombet me qëllim që çdo individ të gëzojë në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminin liritë dhe të drejtat themelore njerëzore. 
Është një përkim i bukur që në 75 vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë e promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë” , shkruan Presidenti i Republikës në mesazhin e tij.

Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se Kuvendi është i vendosur në mbrojtje të të drejtave e lirive të qytetarëve.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e cila shënon gjithashtu 75-vjetorin e miratimit nga OKB të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Prej 10 tetorit 2023, Shqipëria është për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB dhe është tashmë në vijën e parë të mbrojtjes së këtyre të drejtave. Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur në mbrojtje të të drejtave e lirive të qytetarëve, përmes modernizimit të legjislacionit, mbikqyrjes së institucioneve shtetërore dhe mbështetjes së institucioneve të pavarura. 
Dita e të Drejtave të Njeriut shënon fundin e fushatës botërore dhe fushatës sonë kombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Të drejtat e grave e vajzave dhe mbrojtja e tyre nga dhuna me janë në krye të prioriteteve të Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne po punojmë për përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave e vajzave, rritjen e aksesit të tyre në burimet e shoqërisë dhe adresimin e kësaj çështjeje si një problem i të gjithë shoqërisë”, shkruan znj.Nikolla.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca theksoi se angazhimi ynë ndaj të drejtave të njeriut duhet të matet me veprimet konkrete që ndërmarrim për të hequr barrierat, për të përforcuar zërat e margjinalizuar dhe për të korrigjuar padrejtësitë sistematike.

“Sot, le të reflektojmë dhe të përballemi me realitetet brenda kuadrit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, ndërsa analizojmë rrugëtimin e Shqipërisë drejt drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit për të gjithë. Në ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në rolin tim si Avokate e Popullit, nuk mund të mos theksoj domosdoshmërinë e një reflektimi gjithëpërfshirës mbi sfidat aktuale. Shqipëria ka bërë hapa të qenësishme, megjithatë ne duhet jo vetëm të evidentojmë arritjet, por të kemi guximin për t’u përballur me dështimet dhe të zotohemi e të marrrim hapa korrektues menjëherë. Kjo ditë duhet të jetë dhe duhet të ndihet për këdo si një katalizator për ndryshimin, një moment ku ne angazhohemi kolektivisht për të adresuar shkaqet rrënjësore të shkeljeve të të drejtave të njeriut, për të shkuar përtej retorikës dhe për të siguruar që kornizat tona ligjore dhe shoqërore të mbrojnë dhe fuqizojnë vërtet çdo qytetar. Angazhimi ynë ndaj të drejtave të njeriut duhet të matet me veprimet konkrete që ndërmarrim për të hequr barrierat, për të përforcuar zërat e margjinalizuar dhe për të korrigjuar padrejtësitë sistematike”, tha Ballanca.

Top Channel

Share: