Home KRYESORE Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër!

Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër!

In memoriam për Bujar Lakon

Nga Dorian Koçi

Më ndodh shpesh që njerëz simbole të kulturës sonë t’i takoj nëpër rrugët dhe aktivitetet kulturore të Metropolit shqiptar. Nuk është se me të gjithë kam njohje të afërt, por për të gjithë pa përjashtim ndjej një respekt të madh për emocionet që na kanë dhuruar si dhe vlerat kulturore që kanë promovuar. Në Shqipëri nuk është e lehtë të mbetesh njeri, e aq më pak njeri artist. Sot është ndarë nga jeta një njeri i radhë, aktori Bujar Lako që në mënyrë të pavetdijshme, jo përmjet një roli, po përmes një shëtitje të zakonshme në rrugët plot erë të Tepelenës, në vitin 1990, përçonte një imazh tjetër të një kohe që po ndryshonte. Ai gjendej aty për më tepër se një muaj, sëbashku me Guliem Radojën, për të xhiruar filmin “Kthimi i ushtrisë së Vdekur”, ku luante rolin e gjeneralit.

Bujari, me trupin prej atleti, pantollona xhins, një setër të zezë, me jakën e ngritur lart dhe me një mjekër të bollshme nuk shuante vetëm kuriozitetin tonë adoleshent për të parë nga afër një aktor që e kishim parë prej kohësh në kinema dhe TV, por sfidonte dhe kohën, moralin e ngurtë dhe edukatën spartane të modës komuniste që këmbëngulte që mjekrën ta konsideronte si shthurrje morale! Bujari sëbashku me Guljemin, të dy artistë të përkorë shëtisnin dhe i mbyllnin ditët e xhirimeve me një gotë konjak “Skënderbeu” në lokalin e Turizmit duke përshendetur njerëzit rreth e rrotull që ndoshta dhe i bezdisnin me kuriozitetin e tyre të tepërt. Në atë qytet të vogël të qeverisur prej disa sekretarë të ashpër e besnikë të dogmës në vitet 70’-80’, nuk kishte pasur vend për thyerje të moralit të imponuar komunist. Djemtë e tij, Petrit Ruka dhe Ilirian Zhupa nuk ishin më, kishin ikur në Tiranë, dhe në atë thatësirë idesh e mode, ajo xhiro e përditshme e Bujarit me Guliemin, por sidomos mjekra e Bujarit qoftë dhe e lënë për shkak të filmit, sfidonte kohën e ngecur të ndryshimeve. Një vit më vonë do shkërmoqej regjimi komunist, shumë prej djemve të qytetit do të emigronin e do të sillnin moda të çuditshme por për fat të keq njerëz të kulturës nuk do të kishte mysafirë për një kohë të gjatë si ai dimër i xhirimeve të filmit, ku të dy aktorët kishin bujtur në të.

Shumë vite më vonë, në vitin 2005, do ta takoja në Kajro, Bujarin, ku kësaj radhe do të nderohej nga në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me “Palmën e artë” si aktori më i mirë i festivalit me filmin “Magic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Modest, i qetë si në të gjitha rolet e tij, me një tragjizëm që mund të shpërthente nga momenti në moment, më dëgjoi me një lloj indiference për urimet, por kur i kujtova qendrimin me xhirime në Tepelenë u gjallërua. Pasi e dëgjoi deri në fund rrëfimin tim qeshi dhe shtoi “nuk e dija se një mjekër tjetër përveçse asaj të Ali Pashës paska lënë gjurmë në Tepelenë”. Bujar Lako ishte një artist i madh, një aktor që dinte të nxirrte vlagën nga shpirti i vet e ta kthente në një vlagë përfaqësuese siç e bën në mënyrë të përkryer te “Gjeneral Gramfoni”. Dëgjojmë shpesh se këtij vendi i duhet më tepër infrastrukturë urbane e finaciare, duke anashkaluar kulturën, por a mund të zhvillohet një vend dhe gjallërohen ndryshimet pa kulturë?

Lamtumirë aktor i madh Bujar Lako. Atje ku të shkosh mos harro të intepretosh rënien e një kabaje për ne të tjerët këtu. “Ars longa, vita brevis”-Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër dhe t’i do kujtohesh përherë artist, në memorien e eterin e kohës.

Foto nga Fate Velaj

Share: