Home KRYESORE Këngëtari…”Mora Fjalë” e kam kënduar para Shkurtes! Me një fjalë ‘tokë e...

Këngëtari…”Mora Fjalë” e kam kënduar para Shkurtes! Me një fjalë ‘tokë e xanun’

Nga cikli “Kafe për Llafe”

Nga Çapajev Gjokutaj

Kënga “Mora fjalë” po këndohet masivisht në ndeshjet e kombëtares. Ka mendime të ndryshme për këtë por të gjitha palët nuk mund të mohojnë se tifozeria e ka pranuar gjerë. Dhe një gjë që ‘votohet’ nga shumica nuk mund të mohohet e denigrohet a, larg qoftë të çensurohet. Nejse, për këtë mund të shkruaj herë tjetër. Sot doja të tërhiqja vemendjen tuaj për diçka tjetër.

Kënga është bërë e njohur nga këngëtarja Shkurte Fejza. Rastisi që e dëgjova në një intervistë këngëtaren e njohur dhe më vrau veshin sa herë përsëriste togfjalëshin ‘kënga ime’. Diku më ka zenë syri qarjet e një këngtari tjetër që thoshte se e kishte kënduar ‘Mora fjalë’ para Shkurtes, ndaj kënga ishte e tij. Me një fjalë ‘tokë e xanun’

Këngëtarët kanë rol të madh në popullarizimin e një kënge, por shumicën e rasteve kjo i takon më së pari krijuesit, dmth kompozitorit. Në këtë rast mijëra vetë këndojnë në stadium jo këngën e asaj apo atij, po këngën e kompozitorit Naim Gjoshi, i njohur për kontribute të hershme në jetën tonë muzikore.

Përfytyroni sesi do na tingëllonte në vesh nëse diva shqiptare, Tefta Tashko Koçoja këngën ‘Kroi i fshatit tonë’, fjala vjen, do ta kishte quajtur ‘kënga ime’, duke mohuar me një fjalë goje si kompozitorin edhe krijuesin e tekstit, të respektuarin Kristo Kono dhe të madhin Lasgush Poradeci.

Kur e biseduam këtë në kafene Qaniu tha se Tefta iku shumë kohë para se të fillonte epoka ‘tokë e xanun’, kurse Lilua imitoi zërin e Mirush Kabashit dhe përsëriti batutën e Nikollaq Jorganxhut ‘jeta është arithmetikë, Olimbi’.

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: