Sot sjellim për lexuesit biografinë dhe vargjet e poetit Piro (Minella) Millona.
Piro (Minella) Millona ka lindur në Gjirokastër më 18 maj 1955.
Ai ka mbaruar shkollën 8 – vjeçare “Koto Hoxhi” në Gjirokastër në vitin ’70, kurse gjimnazin e kreu në Shkollën e Mesme “Asim Zeneli” (Gjirokastër) në vitin ’74 si edhe Fakultetin Ekonomik Dega Kontabilitet (Financë) 1975 – 1979.
Piro Millona ka qenë:
– Financier në Uzinën e Kokso – Kimikut Kombinati Metalurgjik Elbasan (1978-198)
– Financier Uzina Petëzimeve Kombinati Metalurgjik Elbasan (1981-1987)
– Shef Finance Uzina Nikel – Kobaltit Kombinati Metalurgjik Elbasan (1987-1991)
– Revizor Dega Sigurimeve Shoqërore Elbasan (1991-1993)
– Shef Finance Bashkia Elbasan (1993-1994)
– Shef Finance Ndërmarja Energjetike Elbasan (1994-1998)
– Shef Finance Dogana Elbasan (1998-2001)
– Audit KESH Tiranë (2001-2006).
– Shef Finance TEC Fier (2006-2007)
– Financier Profesion të Lirë Zyrë Kontabiliteti (2007-2010)
– Shef Finance Shpërndarja e Librit Shkollor (2010-2012)
– Audit Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (2012–2014)
– Specialist Finance Drejtoria e Kujdesit Shëndetësor Tiranë (2014-2018)
– Finacier Profesion i lirë (2018)
në vazhdim Kualifikime në Sektorin e Financës.
Millona ka thurrur mbi 2600 skica dhe esse të zhanreve të ndryshme si: “Kujtime nga jeta ime”, “Kujtime për Çarshovën”, “Kujtime për Përmetin”, “Kujtime për Gjirokastrën”, “Kujtime për Elbasanin”, “Kujtime të Jetës Studentore”, “Kujtimet e një Audituesi”, “Dedikime për njerëzit e larguar nga jeta”, “Romanca”, Intervista me njerez të profesioneve të ndryshme dhe figura të njohura.
Gjithashtu Millona ka edhe shkrime me karakter social dhe problematikat aktuale:
“Kujtimet nga jeta e një financieri”, “Portrete të ndryshme të njerëzve të njohur”,
Rubrika “Ekonomistët ndër vite…”
Rubrika: “Mes miqve të mi letrarë”,
“Unë Financieri Romantik… !!!”
Më datën 24 Nëntor 2022 Piro ka botuar vëllimin e parë “Romanca”, botimin “Kujtime” dhe më 18 maj 2023 “Unë Nipi i Çarshovës”, Vëllimi i dytë “Romanca”, (24 Qershor 2023), “Zyshe Zhaneta Nova Kujtime” (Tetor 2023), “Ne asimzenelasit ndër vite”, (Nëntor 2023), “Gjirokastra Pjesë e jetës time” (Nëntor 2023), “Ne jemi kotohoxhas”, “Lulet e Shqipërisë”, “Shqiponjat e Shqipërisë” (Nëntor 2023).
Shumë skica janë përfshirë në botime në libra apo antologji, në portale të ndryshme, artikuj gazetash, etj…
Në platformën You Tube në adresën Pirro Minella Millona janë të disponueshme 72 video të realizuara mbështetur nga skicat.
DO MARR BORXH NJË JETË
DO marr borxh një jetë
ndoshta dy jetë
të shlyej “borxhin” që të kam ty,
për dashurinë që më fale mua…”
Çdo ditë e më shumë,
që parakalon në jetën time,
aq më shumë shtohet malli për ty.
Sa borxh të kam dashuria ime!
Lum unë, që të njoha Ty,
që isha pranë teje në ato momente të magjishme. Lundroja në detin herë të qetë dhe herë të trazuar
të pasionit tënd.
I lumtur isha une, që përjetuam bashkë tërë fantazitë tona aty në orët e vona të natës.
Sa herë kemi ëndrruar një jetë të dytë
për të plotësuar lumturinë tonë.
Nuk më mjaftonte kjo lumturi,
por edhe në gjumin e thellë
në ëndrra të geja vetëm Ty.
Lumturia jonë zgjaste deri në agimin e praruar
dhe unë gjëndesha pranë kurmit tënd lakuriq,
pas asaj nate të zjarrtë,
thithja aromën tënde,
aromë që më dehte papushim…
Por të humba,
ose më mirë humbëm njëri tjetrin,
në rrjedhën e jetës, ishim në parajsë
dhe tani ndihem në ferr,
lutem dhe thërras në kupë të qiellit:
Të kam borxh:
Të qeshurat e tua që më gjallëronin shpirtin tim.
Të kam borxh edhe lotët që t’i shkaktoja unë.
Të kam borxh çdo gjë të bukur tënden,
kohën që rrije dhe bisedonim sy ndër sy.
Të kam borxh ato netë të gjata pa gjumë,
kur rrije më prisje të trokisja lehtë
tre herë në derën tënde.
Të kam borxh ato puthjet e zjarrta,
ledhatimet, ato përqafimet,
fjalët rrëzë veshit tim.
Të kam shumë borxh
edhe gjumin e ëmbël që ta rrëmbeva.
Të kam borxh edhe zgjimet tona të bukura,
të përgjumura, ato shtriqet e trupit
dhe përqafimet e ngrohta.
Të kam shumë borxh
ato valët e pasionit tënd të shfrenuar.
Prandaj i lutem Zotit të më japë “borxh” një jetë,
jo nuk më arrin të laj borxhet për Ty,
mbase më duhen dy jetë që të jem i qetë
të mos kem asnjë borxh ndaj teje…
(Tiranë, 04 Dhjetor 2023)
“Po ikën vjeshta
vjen dimri i acartë
kam mall të të shikoj….”
Mbasdite vonë doli për kafe. Duke pritur të vinte porosia telefoni mbi tavoline u drodh lehtë.
E kuptoi erdhi një mesazh. Vështroi një moment telefonin dhe i shtyrë nga një ndjesi e largët e hapi dhe lexoi mesazhin:
“Më premtove që në vjeshtën e dytë do të vije stinët po ndrohen përsëri, vjen dimri i acartë”.
Duke rufitur ngadalë kafen e nxehtë i ktheu përgjigje:
– “Më ka marë shumë malli, por edhe për të mbajtur fjalën që të kam dhënë”.
Nuk vonoi dhe përsëri dridhje telefoni.
“Ti e di qyteti im përgatitet për dimrin e acartë është stinë e zahireve, eja t’i shijosh! Qyteti ka veshur një petk të argjendë. Mos e humb rastin ta shijosh në shpirtin tënd”.
Të nesërmen ishte e shtunë ditë pushimi. U nis rrugën e kishte shumë të dashur të njohur, kushedi sa herë të shkelur në çdo stinë dhe në çdo moshë të tij. Pas disa orë udhëtimi në mbasdite arriti.
Kishte hedhur shtat muzgu i bukur i vjeshtës. Mendoi të shëtiste njëherë në qytet të rikujtonte ato kohë dhe nostalgjinë e fituar ndër vite. Mbushej me frymë ajër i pastër dëgjohej shushurima e ujit që rridhte diku poshtë në lumin në këmbët e qytetit.
Kudo kishte ngjyra të bukura, njerëzit që lëviznin nëpër rrugë, ngarkuar me mendime të bukura si vetë jeta e këtij qyteti. Nxitonin për të kryer sa më shpejt punët para mbrritjes së dimrit të ashpër. Përshëndeste njerëzit dhe ata me buzëqeshje ia kthenin. I dukej sikur ishte banor i këtij qyteti të vogël, por të dashur për të. Hyri në rolin e gazetarit
duke bërë reportazh me veten e tij.
“E dua këtë qytet se është i bukur,
por e dua edhe më shumë se është qyteti yt,
këtu çdo gjë lidhet me ty”- nxorri zë.
Kthehu kokën dhe e kuptoi që i foli asaj në heshtje.
Ecte poshtë pemëve dhe gjethet në këmbët e tij i uronin mirëseardhen. Nxori telefonin dhe formoi numrin e saj. Ajo qeshi me atë të qeshur që e çarmatoste gjithmonë, kishte të qeshur të çiltër të mrekullueshëm.
“Më thuaj ku je? Edhe pak dhe këtu nis dimri dhe ti e di nuk dalim dot më, vetëm kur të vijnë dallëndyshet që lajmërojnë pranverën”.
Ndjeu që ajo heshti një çast dhe:
-Erdha…- dëgjoi zërin e ëmbël dhe mbylli telefonin.
I erdhi mirë që kuptoheshin kaq shpejt e në çdo fjalë, në çdo mendim. Nuk vonoi dhe e pa që vinte nxitimthi. Fytyra e saj në sinfonomi me vjeshtën e artë, ngjyrë bronxi. U përqafuan. E puthi në qafë, por nuk e lejoi të putheshin në buzë.
Kthehu kokën rreth e rrotull dhe me shpoti i tha:
-Është qytet i vogël për këto puthje të nxehta në mes të rrugës, – tha duke e parë drejt në sy dhe duke shtrënguar duart e tij me duart e ngrohta të saj. Fytyra e saj e qeshur ndrinte e tëra nga malli i akumuluar për shumë kohë.
Shiheshin në sy dhe ata sy qeshinin ëmbël dhe më shumë qeshnin shpirtërat e tyre.
Aroma e saj ishte përzier me aromën e frutave të pjekura, aq të bollshme për atë qytet.
Nuk ngopej dot me atë aromë. Me ngadalë i rregulloi flokët që era ia kishte prishur dhe duart rrëshkitën në faqet e nxehta, pak gushën fshehurazi. Ajo i ndjente, nuk kundërshtoi, por u mbështet në kraharorin e tij.
-Të pëlqen qyteti im? – pëshpëriti ajo rrëzë veshit.
-Po çdo gjë e qytetit tënd që ka jet unë e dashuroj, është bukur.
Ecën dhe pak ashtu të përqafuar deri tek shkëmbi madhështor dhe qëndruan. U kthye nga ajo dhe me ton solemn sikur i recitonte vargje të një vjershe:
“Qënka vërtet mahnitës qyteti yt i veshur me petkun e vjeshtës, ka kaq ngjyra të praruara”
Ajo e shikonte dhe qeshte. Ndjente qetësi në shpirtin e saj, një siguri të brëndshme, të ëmbël.
Ca pika shiu ranë…
-Nxitojmë, pas pak këtu fillon rrebeshi…
Kishte trishtim në zërin e saj.
Ajo buzeqeshi gjatë dhe iu mbështet mbi sup përkëdhelshëm.
Po e shikonte me ëndje të madhe, i dukej se kështu kishin për vite e vite me rradhë. U përkund si në një ëndërr të madhe të bukur.
U kthye, ia mori fytyrën mes duarve dhe i puthi buzët, aq të bukura të kuqe të fryra. Iu dukën si frutat e pjekura të qytetit të saj të bekuar.
Ndjeu trupin e saj që avullonte, aromë vjeshte nga gjoksi i saj, aromë jete, aromë frutash të pjekura…
U ulën në tavernën e vetme të qytetit të pagëzuar me emrin e gruas së Pirros të Epirit.
Ishin në një qoshe me ndriçim pak të zbehtë, rrinin pranë njëri – tjetrit ngrohtë.
Shiheshin në sy, mendonin për tërë këtë kohë larg njëri – tjetrit, ëndërronin njëlloj dhe kishin të njëjtën dëshirë e pasion.
-Ikim?- i pëshpëriti lehtas në vesh, – kam bërë goxha rrugë e di që më pret dhomëza jote e ngrohtë, mos të humbim çastet.
Jashtë koha ishte e pastër, shiu ia kishte lënë vëndin yjeve që i përgjonin nga lart dhe mundoheshin të kapnin çdo gjë e pëshpëritur rrëzë veshit të saj.
-Qyteti im është i vogël, e shikon nuk ka më njerëz rrugëve, – tha me kokë ulur ajo.
-Qyteti yt është i vogël, por me shpirt të madh, se është bujar, i pret e përcjell miqtë duke i respektuar shumë.
– Është pak ftohtë…
Asaj ju drodh shtati. Ai e pushtoi në krahët e tij dhe nxituan për në strehëzën e tyre të ngrohtë të përgatitur me kujdes për stinën që kishte ndryshuar në qytetin e vogël.
Ishte vjeshtë e tretë, dimri kishte trokitur në portat e qytetit….
Redaktoi dhe pregatiti Angela Kosta Akademike, përkthyese, poete, shkrimtare, eseiste, gazetare.