Seanca gjyqësore për ‘vulën’ e Partisë Demokratike do të mbahet më 27 dhjetor në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë pritet të shprehet për rekursin që grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar për vendimin e 3 marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës.
Në mars të këtij viti Gjykata e Apelit vendosin rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese.
Kujtojmë se gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim, ndërsa Enkelejd Alibeaj, në atë kohë kryetar i komanduar i PD-së, ankimoi vendimin.
Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës rreth një muaj më parë vendosi pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.
Gjyqtari Niko Rapi ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mbajtur më pas apo Statut i ndryshuar.
Në këtë mënyrë Statuti i dalë më 2 Shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe Kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur nga gjykata.
Grupi i deputetëve të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi kërkoi nga gjykata pezullimin e çështjes, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.
Me statutin e 2 shtatorit, Basha përqendroi pushtetin në duart e tij, duke marrë jo vetëm postin e kryetarit të partisë, por edhe të kryetarit të grupit parlamentar. Një tjetër ndryshim ishte përjashtimi nga anëtarësia e demokratëve që kanë garuar për subjekte të tjera zgjedhore, pra mbështetësit e Sali Berishës që kandiduan në zgjedhjet e 14 majit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Top Channel