Bota e Akullit dhe e Borës e Harbinit(Foto CFP)
Të hënën e kaluar, Bota e Akullit dhe e Borës e Harbinit filloi të presë për të 25-tin vit vizitorët. Festivali i këtij viti ka si temë kryesore Lojërat Dimërore Aziatike 2025 të Harbinit për të shprehur mirëpritjen e këtij qyteti për këtë takim madhështor sportiv.
Harbini është kryeqendra e provincës Heilongjiang në skajin më verior të Kinës. Ai është një qytet i famshëm turistik me kulturën e akullit e të borës. Në qytet ka shumë ndërtesa të stilit evropian, prandaj Harbini quhet gjithashtu “Moska e vogël” ose “Parisi i vogël” i Lindjes. Këtu gjendet kisha më e madhe ortodokse në Lindjen e Largët.
Harbini ka dimër të gjatë e verë të shkurtër.
Temperatura mesatare në dimër mund të arrijë në minus 20 gradë celcius. Kushtet e motit në Harbin janë shumë të favorshme për zhvillimin e sporteve të akullit e borës e të aktiviteteve të tjera argëtuese në dimër.
Bota e Akullit dhe e Borës e Harbinit është një park i madh tematik akulli e bore. Këtë vit sipërfaqja e parkut arrin në 810 mijë metra katrorë, ku vizitorët mund të shijojnë skulptura e llamba akulli e bore, shfaqje me këngë e valle dhe akrobaci në akull, mund të bëjnë ski e rrëshqitje mbi akull ose të luajnë lojëra mbi akull e borë, si për shembull biçikletë mbi akull etj.
Mbretëria e Përrallave(Foto CFP)
Bota e Akullit dhe e Borës e Harbinit nisi në vitin 1999 dhe sot ajo ka fituar famë të madhe dhe është bërë një markë e qytetit Harbin në dimër, që tërheq çdo vit shumë vizitorë kinezë e të huaj.
Viti 2024 do të jetë 60-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Francës dhe Viti Kulturor e Turistik Kinë-Francë, prandaj Bota e Akullit dhe e Borës e Harbinit sivjet përmban posaçërisht një kopsht skulpturash prej akulli me temën “Mbretëria e Përrallave”. Frymëzimi për projektimin e këtij kopshti vjen nga marka e Vitit Kulturor e Turistik Kinë-Francë 2024, dhe Katedralja “Notre-Dame” e Parisit dhe Tempulli i Qiellit i Pekinit janë dy skulpturat kryesore në kopsht. Dy skulpturat lidhen me një urë akulli që simbolizon miqësinë ndërmjet të dy vendeve.
Pas errësimit, në park ndizen të gjitha llambat e akullit dhe tërë Bota e Akullit dhe e Borës bëhet vërtet një “Mbretëri e Përrallave”. (Fani)/Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI. cN