Home Gjeo-Ekonomia Greqi, protestojnë studentët! Kundërshtojnë krijimin e universiteteve private, përplasen me policinë

Greqi, protestojnë studentët! Kundërshtojnë krijimin e universiteteve private, përplasen me policinë

Mijëra studentë të përkrahur edhe nga organizata të majta kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit grek Athinë për të protestuar ndaj projektligjit të ri të qeverisë për lejimin për herë të parë të krijimit të universiteteve private në Greqi.

Protestuesit kanë hedhur parulla ndërsa mbanin pankarta në duar ku shkruhej “Arsimi nuk është mall”.  Tek sheshi para parlamentit ata janë konfrontuar me forcat policore që kanë përdorur gaz lotsjellës .

Qeveria e konservatorëve në fuqi  pritet të dorëzojë projektligjin në parlament këtë muaj në një lëvizje historike duke shmangur nenin 16 të kushtetutës i cili ndalon krijimin e universiteteve private.

“Studentët e universiteteve në Athinë dhe në të gjithë Greqinë janë sot në rrugë sepse ne kërkojmë një universitet të mirë, modern, publik dhe falas. Duam të mos aprovohet ligji që do lejojë themelimin e universiteteve  private. Kjo do të sillte një përkeqësim të madh të studimeve tona dhe i hap rrugën tarifave të shkollimit në universitetet publike”, u shpreh njw student.

Greqia dhe Luksemburgu janë të vetmet nga 27 vendet anëtare që kanë ekskluzivisht arsimin e lartë falas në universitetet shtetërore. Por edhe në shtete e tjera të BE , përveç Qipros, Letonisë dhe Belgjikës ,gati 80% e studentëve preferojnë shkollat shtetërore të arsimit të lartë.

Megjithatë kryeministri Mitsotakis dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë thonë se reforma do t’i japë fund monopolit mbi arsimin shtetëror dhe do të forcojë ekonominë duke sjellë  studentë nga vende të tjera. Gjithashtu do të synojë kthimin e mbi 53000 grekëve që studiojnë jashtë vendit të frekuentojnë shkollat e larta private që do të hapen në Greqi.

Nga ana tjetër kritikët e projekt-ligjit, duke përfshirë edhe shoqatat studentore kundërshtojnë ashpër duke theksuar se ai sfidon të drejtat kushtetuese për arsimin falas dhe vendos fitimin përpara arsimit publik, si dhe krijon konkurrencë për të diplomuarit që kërkojnë një punë.

Protesta janë zhvilluar edhe në Selanik, Patra, Trikala dhe qytete të tjera të vendi të organizuara nga 115 shoqata studentore.

Top Channel

Share: