Deputetët e opozitës u futën në parlament me pankarta në duar dhe u bënë “gardh” para foltores.
Në momentin e nisjes së seancës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, deputetët ndezën zhurmuesit dhe kërkonin largimin e gardës nga salla.
Po ashtu ata kërkonin vendet e tyre në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Na jep komisionet hetimore,” i drejtohet Salianji, Nikollës.
Në këtë situatë, ashtu si edhe po ndodh prej disa muajsh, mazhoranca votoi projektligjet e ditës në pak minuta dhe mbylli seancën.
Deputetja Albana Vokshi ka tentuar t’i japë kryeministrit Edi Rama pankartën ku lexonte “vrasës i demokracisë”, por nuk është lejuar nga garda.
Opozita e ka bërë të qartë që nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protesta e tyre do të vijojë. Mbetet për të parë nëse do përdoren sërish flakadanë, ku me rregulloren e re dënimi është 60 ditë përjashtim nga Kuvendi. Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare me rend dite shqyrtimin e disa projektligjeve si ai i ratifikimit të marrëveshjes së financimit me Francën për programin (lnterreg VI-B) Euro Mesdhe (EURO MED) 2021-2027.
Në kalendar është edhe ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë.
Në rendin e ditës është Akti Normativ për shtesa dhe ndryshime në buxhetin e vitit 2023, për shtesa dhe ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat.
Po ashtu, pritet shqyrtimi i Aktit Normativ për masa urgjente për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotur. Kuvendi pritet të shqyrtojë dhe kalojë për votim dhe disa akte të tjera normative dhe projektligje.