Nga Irena Beqieaj
Mjafton të hapesh FB edhe nuk u shpëton dot lajmeve nga Big Brother. Jul Deda paskërkësh qenë kundër këtij formati, por tani është futur si konkurent. Mirë ka bërë. Madje, shumë mirë “, -do të thoja unë, – “vetëm gomari nuk ndryshon mendje”!
Drini Zeqo la shtëpinë për arsye familjare. Kaq mjaftoi që disa nga banoret që kishin më pak se një javë që jetonin me të, ti kaplonte një dëshpërim i thellë! Cfarë drame!
Nuk po bëj asnjë koment për fjalorin edhe batutat e Roza Latit në publik, për shkak të konfliktit të interesit. Sepse edhe ajo është nga Vlora, njësoj si unë.
Por sado fakte të rreshtojmë në rrjete sociale, e nëpër tavolina , e sado te distancohemi nga këto formate, një gjë duhet ta pranojmë; të ashtuquajturat reality show sot janë ngurtësuar e kthyer në institucionin më të sukseshëm në industrisë e argëtimit.
Jul Deda sot konkurent, në 2015-ën e pranonte se efektet e kësaj rrënjosjeje nuk janë inkurajuese. Shfaqjet e tipit reality show ndihmojnë në normalizimin e mizorisë, armiqësisë, mediokritetit, pabesisë, vulgaritetit, injorancës, mashtrimit, duke i shpërblyer njerëzit që i përdorin këto tipare. Madje edhe duke kurorëzuar përdoruesin më të mirë të tyre.
Fakti që ato janë sot emisionet më të ndjekura, shkon më tej sesa arsyetimi që ato paraqesin një projeksion të moçalit shoqëror.
Po të analizojmë modelin ekonomik që zhvillohet brenda tyre, ato janë produkt i pastër i ekonomise së lirë e të pa rregulluar të tregut mediatik.
Për ta berë sa më të prekshme këte analizë, po e filloj me komodifikimin, një vyrtyt bazë i kapitalizmit liberal.
Komodifikimi është bashkim i dy fjalëve: fjalës “commodity” që janë mallra ose shërbime me një vlerë ekonomike, dhe fjalës modifikim, që është ndryshim në funksion ose formë.
Komodifikimi është mënyra se si në kapitalizmin liberal realizohet objektivi i akumulimit të kapitalit ose vlerës, nëpërmjet shndërrimit në formë edhe në funksion të çdo gjejë të cilës mund t’i gjendet një vlerë këmbimi.
Për shembull, puna është komodifikim i njohurive, aftësive, talentit apo edhe i krahut të punës për të kryer procese të caktuara, duke i shëndruar këto të fundit në vlera monetare.
Profesori shpërndan njohuritë e tij edhe paguhet për këtë. Shkrimtari shkruan një libër edhe siguron përfitime monetare duke komodifikuar të drejtat mbi veprën. Shpikësi komodifikon të drejtat mbi përdorimin e shpikjes së tij, Punonjëset e seksit kanë komodifikuar marrëdhëniet seksuale, të cilat në funksionin e tyre të parë e kryesisht moral nuk janë për shitje. Ndërsa në një reality show konkurentët përpiqen të komodifikojnë trupin, ndenjat, emocionet, veset pse jo edhe e jetën tyre private.
Ekonomistët Big Brother -in e formatet e ngjajshme me të i lidhin me tregun e vëmendjes. Edhe pse shpesh diskutohen si një zhanër unik psiko- social, këto formate ofrojnë një mënyrë punësimi për njerëzit që duan të pasurohen nëpërmjet vëmendjes. Pra, një aktor, një gazetar, një moderatore dikur të punësuar në një shfaqje a emision me skenar, shëndrohet në “interpretues në një sipërmarrje me buxhet të ulët”, me qëllim sigurimin e vëmendjes më të gjerë të publikut.
Të gjithë këta “të punësuar” kanë shpresën se me anë të mediave sociale, famën e fituar në “shtëpinë më të famshme në botë” do ta monetarizojnë në të ardhmen e afërt. Ata ënderrojnë të shndërrohen në “tabela frymore marketingu në instagram”, ose të vazhdojnë të jenë protagonistë në formate të tjera po kaq surrugato nga përmbajtja.
Ndaj jo pa qëllim këto formate janë konkuruese, pasi konkurimi është formula ekselente për të rritur audiencën edhe bashkë me të fitimet, sepse dramat, viktimizimi dhe narrativat emocionale që janë kaq të nevojshme për të siguruar vëmendje, prodhohen lehtësisht në formate konkurruese.
Ndërsa vetëm audiencat e zgjuara mund ta kuptojnë se “realiteti” aty nuk mbart ndonjë ngjashmëri me realitetin. Roza Lati për shembull e di mirë që është e punësuar, në një sipërmarrje nga e cila ose mund të fitojë ose mund të dal me gisht në gojë. Ndaj. që të fitojë duhet të debatojë ashpër me kë i del përpara, të shëtisë me tanga nëpër shtëpi, të tregojë pse u nda nga i dashuri, madje edhe të kërcënojë se është e zonja të katrorizojë edhe organe njerëzore (natyralisht të rrumbullakta).
Ndërsa ndonjë tjetër që të ofrojë spektakël, loton në një dramë të vërtetë malli, në mënyrë që historia të bëhet më e trishtuar dhe më dramatike për të tërhequr vëmendjen e publikut.
Fituesi i vitit të kaluar edhe pse shpiku një sëmundje të rëndë e shkoi edhe në urgjencë, prap fitoi.
Për të gjithë këtë ofertë racionalisht irrituese, ka një kërkesë emocionalisht të pranueshme. Natyra njerëzore magjepset nga tragjedia, konfliktet ekstreme edhe shkeljet e normalitetit. Ato janë hipnotike për t’u parë, aq më tepër kur ndodhin në televizion.
E pra, ndersa është lejuar të lulëzojë një treg që mund të plotesojë nevojat më të dobëta e më të errta të natyrës njerëzore, që shpërblen vulgaritetin, mashtrimin dhe injorancën, por që i siguron produksionit dhe fituesit shumë para e famë (madje këtij të fundit edhe një intervistë në podcastin e Kryeministrit!), ç’faj kanë Roza, Juli që ndërroi mendje , apo Romeo që duan me cdo kusht të fitojnë?
Tregu i lirë dhe i pa rregulluar nuk kujdeset për normat morale e shoqërore, ndaj edhe në procesin e ndërtimit të kapitalizmit liberal, duke rendur pas suksesit i cili matet vetëm nëpermjet parasë edhe duke neglizhuar vlerat e përbashkëta shoqërore , privatizuam çdo gjë publike dhe po shesim në publik çdo gjë private.
Ndaj mos e gjykoni Rozën. Ky treg mediatik këtë produkt ka.