Para pak kohësh, Eurostat vuri në dukje se ndikimi i sektorit të ndërtimit në ekonominë e vendit tonë është më shumë se dyfishi i ndikimit të tij në vendet e BE-së. Ndërsa, sipas të dhënave të Instat, sektori i ndërtimit zë diçka me shumë se 10% të prodhimit të brendshëm bruto. Edhe pse bëhet fjalë për një sektor me kaq peshë për vendin, ironikisht, Shqipërisë i mungon një ministri ndërtimi. Si rrjedhojë, rregullimi i profesionit të inxhinierisë së ndërtimit dhe i sektorit shumëmilionësh mbetetet në dorë të: 1) Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit 2) Komisionit të Dhënies së Licencave, dhe 3) Institutit të Ndërtimit (IN).
Në fillim të vitit 2023, zv. ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) së bashku me drejtorin e IN, dikur edhe ky i fundit zv. ministër në të njëjtin dikaster, bënë publik programin për vlerësimin dhe certifikimin e qëndrueshmërisë së ndërtesave 50- vjeçare e sipër, dhe punën për përgatitjen e projekt-vendimit përkatës, çfarë u konfirmua edhe nga vetë ministrja, ditët e para të vitit 2024.
Vlerësimi i qëndrueshmërisë së ndërtesave ekzistuese dhe pajisja e tyre me dëshminë përkatëse, është një proces i aplikuar gjerësisht në shumë vende, përfshi edhe disa vende të rajonit, sidomos ato me aktivitet të shpeshtë sizmik. Nga pikëpamja inxhinierike, vlëresimi i aftësisë mbajtëse i ndërtesave ekzistuese është proces më i vështirë se projektimi fillestar i një ndërtese dhe kërkon më shumë kohë dhe njohuri teknike. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse në vendet ku ky lloj vlerësimi është kryer i plotë ose i pjesshëm, gjithëherë nën udhëheqjen e departamenteve të Inxhinierisë së Ndërtimit, së pari, është ndërmarrë një projekt pilot me qëllim identifikimin dhe kategorizimin e veçorive kryesore të ndërtesave, por edhe të njohurive të inxhinierëve të ndërtimit, si grupi kyç i profesionistëve që do e bëjnë këtë vlerësim. Pas kryerjes së projekti pilot, ndërtesat janë grupuar në bazë të tipologjive më përfaqësuese, janë piketuar nevojat dhe mënyrat e ndryshme të vleresimit, dhe është kryer trajnimi dhe certifikimi i stafit inxhinierik që do të angazhohej.
Në ndryshim nga sa parashtron MIE dhe IN, asnjë nga shtetet e rajonit nuk e ka kufizuar nevojën për vlerësim të një stukture me moshën e saj, pasi qëndrueshmëria cilësore e një strukture nuk është e lidhur domosdoshmërisht me vitet. Nevoja për vlerësimin e ndërtesave, në ato vende që e kanë kryer, tashmë, këtë proces, është ndërmarrë ose për shkak të problematikave që ndërtesat kanë shfaqur ndër vite ose prej kërkesave të përditësuara të kushteve të projektimit.
Tipologjitë e ndërtesave ekzistuese formësohen duke u mbeshtetur kryesisht në: kartelën e objektit, që përfshin projektin e zbatimit, lejen e ndërtimit dhe shfrytëzimit, nderhyrjet e mundshme në strukturë etj. (gjithmonë ata që ekzistojnë syresh), sistemin mbajtës, materialet e përdorura, kushtet e projektimit dhe rregulloret në fuqi në kohën e ndërtimit, si dhe ekspozimi i mëparshëm ndaj fenomeneve natyrore (kryesisht tërmetit).
Vetëm pas formulimit të tipologjive kryesore të ndërtesave, është e mundur të bëhet propozimi për ndërtesat që duhet të vlerësohen dhe mënyrat e vlerësimit – e shpejtë ose e thelluar. Vlerësimi i shpejtë është, gjithashtu, një punë e mirëfilltë inxhinierike. Pra, nuk do të thotë “po i hedhim një sy dhe po ia bëjmë nja dy fotografi”. Veçse në ndryshim nga vlerësimi i thelluar, përqendrohet në elementet më të rëndësishëm të një strukture, siç mund të jenë elementët mbajtës, duke përfshirë testime të kufizuara në laboratore të materialeve të strukturës. Vlerësimi i shpejtë, gjithashtu, përcakton ndërtesat të cilat kanë nevojë për vlerësim të thelluar.
Duke qenë se vlerësimi i thelluar kërkon më shumë njohuri e kohë sesa projektimi fillestar i ndërtesës, për kryerjen e mirëfilltë të tij tek të gjitha ndërtesat ekzistuese 50 vjeçare e sipër, nevojitet një numër më i madh inxhinierësh se se ata që i kanë projektuar këto ndërtesa, që nga më e vjetra deri tek ajo që sapo ka festuar 50 vjetorin. Me fjalë të tjera, edhe sikur i gjithë kapitali inxhinierik i vendit të përdorej vetëm për këtë qëllim, nuk do iu mjafton as numri as vitet e jetës ta përfundonin procesin me sukses.
Duhet theksuar se, si pothuajse çdo vlerë e përftuar nga llogaritjet inxhinierike, vlerat e përftuara nga vlerësimi i thelluar jane relative dhe marrin kuptim vetëm kur krahasohen me vlerat referencë të paracaktuara. Vlerat referencë që përdoren për këtë vlerësim, ligjërisht, janë ato të përcaktuara në “Kushtet Teknike të Projektimit” të vitit 1978 dhe në “Kushtet Teknike të Projektimit për Ndërtimet Antisizmike” të vitit 1989, pra dy dokumente thuajse moshatarë me ndërtesat që do të vlerësohen. Prandaj, duhet saktësuar nëse dokumentet në fjalë i përfshijnë ndopak vlerat e referencës dhe nëse janë në përputhshmëri me parametrat bashkëkohorë të projektimit. Por edhe nëse procesi nuk do të bëhet sipas ligjit por sipas “Maliqit”, parashtrimi i vlerave të referencës, të paktën, në letër është i detyrueshëm. Përndryshe “shkopi i tij me gunga” do godasë vetëm ato ndërtesa me vendndodhje të lakmueshme dhe kjo s’do të ketë aspak lidhje me aftësinë e tyre mbajtëse.
Një tjetër pikë që duhet theksuar është se çdo ndërtese ekzistuese mbart në vetvete një farë vlere monetare, urbanistike a historike. Shtetet serioze, të cilat dinë t’i mbrojnë të vetat vlera, në rastet kur një ndërtesë nuk i përmbush kriteret e qëndrueshmërisë, zgjidhjen parësore kanë përforcimin. Përforcimi i ndërtesës ekzistuese aplikohet kur vlera e tij monetare nuk i kalon 35-45% të vlerës së ndërtimin të ri. Vetëm në të kundërt, merret në konsideratë ndërtimi nga e para.
Me fjalë të tjera, vendet e rajonit dhe më gjerë, së pari, kanë bërë regjistrimin e ndërtesave; më pas i kanë grupuar ato në bazë të karakteristikave dhe, në vijim, kanë vendosur se cilat ndërtesa do të vlerësohen dhe si. Gjithashtu, janë trajnuar inxhinierët që do kryejnë vlerësimet dhe janë paracatuar kushtet se kur një ndërtesë duhet përforcuar dhe kur duhet prishur.
Në Shqipëri vlerësimi do bëhet, por:
– Të dhënat e ndërtesave ekzistuese (numri, funksioni, sistemi mbajtës, materialet e perdorura, mosha etj.) mungojnë;
– Problematikat e qendrueshmërisë që ndërtesat kanë shfaqur dhe e bëjnë vlerësimin e ndërtesave të nevojshëm në këtë kohë nuk bëhen publike;
– Arsyet përse IN është zgjedhur si institucioni i vetëm që do të mund të kryejë certifikimin e vlerësimeve nuk janë të qarta;
– Cilësitë dhe njohuritë teknike të stafit inxhinierik që punon për llogari të IN dhe do të vlerësojë ndërtesat 50+ mund të mos mjaftojnë ashtu si numri i tyre.
360grade.al