Home Gjeo-Ekonomia U dhunua pasi vendosi kurorë me lule në varrin e Adem Jasharit,...

U dhunua pasi vendosi kurorë me lule në varrin e Adem Jasharit, Serbia mohon akuzat për Sandulloviç

Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) mohoi akuzat se lideri i subjektit opozitar, Partia Republikane, Nikolla Sandulloviç ishte dhunuar, duke pretenduar se nuk ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive dhe as ushtrim të forcës së paligjshme fizike ndaj Sandulloviçit.

Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Sandulloviq ndodhet në paraburgim që nga java e kaluar, nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Në deklaratën e lëshuar nga BIA më 10 janar u tha se ata ndërmorën aktivitete “me qëllim të sqarimit të aktiviteteve të kaluara të paligjshme të Sandulloviqit, të cilat prokurori kompetent i cilësoi si vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

“Duke thënë gënjeshtra për sjelljet e supozuara të paligjshme të anëtarëve të BIA-s, Sandulloviç dhe promovuesit e tjerë e të ashtuquajturës Kosovë, duan të përhapin dezinformata dhe të shqetësojnë opinionin vendës dhe të huaj, të dëmtojnë reputacionin e BIA-s dhe të destabilizojnë situatën e sigurisë së Republikës së Serbisë”, u tha në deklaratë.

Më 2 janar, Sandulloviç publikoi një video në X – që më herët njihej si Twitter – ku ai shfaqej në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një ditë pas publikimit të videos në rrjetin X, avokati Çedomir Stojkoviç bëri të ditur se Sandulloviçi është arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Institucionet e Bashkimit Evropian konfirmuan më 9 janar se po monitorojnë situatën dhe informacionet lidhur me arrestimin e Sandulloviçit.

Sandulloviq është president i Partisë Republikane që u themelua më 2015, por që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor për t’u futur në Parlamentin serb.

Ai ka një biografi kundërthënëse, ku përfshihet edhe plagosja e tij nga shpërthimi i një makine 13 vjet më parë, dhe arrestimi i tij për “përhapje paniku” më 2020 gjatë pandemisë së koronavirusit./ REL.

Share: