Në vitin 2023 vëllimi i eksportit të automjeteve kineze zuri vendin e parë në botë.
Një vend evropian shpreson ta përdorë industrinë në rritje të automjeteve elektrike të Kinës për të realizuar zëvendësimin e aftësive të vjetra me të reja në prodhimin e automobilave. Ai është Hungaria.
Në epokën e automjeteve me karburant, më shumë se gjysma e furnizuesve të pjesëve të këmbimit në botë ngritën uzina në Hungari dhe industria e automjeteve u bë industria kryesore e vendit; ndërsa në epokën e automjeteve me energji të re, kompanitë e baterive të automjeteve, si CATL, BYD, dhe “Honeycomb Energy”, kanë ngritur fabrika baterish në Hungari. NIO, një forcë e re e prodhimit të makinave në Kinë, shpalli gjithashtu se fabrika e saj e parë jashtë vendit do të vendoset në Hungari.
Sipas një sondazhi të Departamentit Ekonomiko-Tregtar të Ambasadës së Kinës në Hungari, në vitin 2019 norma e rritjes së industrisë së prodhimit të automjeteve të Hungarisë arriti 9.8 %, duke zënë 29 % në vëllimin e përgjithshëm të prodhimit industrial të Hungarisë. Prej tyre 90.95 % ishte e orientuar nga eksporti, duke zënë 1/5 e vëllimit të përgjithshëm të eksportit të këtij vendi.
Që nga marsi 2021, 14 nga 20 furnizuesit kryesorë të automobilave të nivelit të parë në botë janë vendosur në Hungari dhe gjysma e 100 furnizuesve kryesorë të pjesëve të këmbimit në botë kanë ndërtuar fabrika në Hungari.
Deri në fund të vitit 2019, kishte më shumë se 740 kompani hungareze të furnizimit me pjesë këmbimi.
Foto nga VCG
Ndërsa tregu global i automobilave po transformohet drejt automjeteve me energji të reja, Hungaria po eksploron në mënyrë aktive tregun, gjë që është në përputhje me idetë e zhvillimit të kompanive kineze të automobilave. Në epokën e automjeteve me energji të reja, mund të thuhet se Hungaria është urë lidhëse për kompanitë kineze të automjeteve për të krijuar kapacitete prodhuese në Evropë.
Së pari, thelbi i kostos së automjeteve elektrike: industria e baterive.
Në vitet e fundit, kompanitë e baterive të automjeteve elektrike, si CATL, “Sunwoda”, “China New Aviation” dhe “Honeycomb Energy”, kanë investuar në Hungari. Më 22 dhjetor 2023, BYD njoftoi se do të ndërtojë një bazë të re të prodhimit të automjeteve të udhëtarëve me energji të reja në Hungari. Përveç prodhuesve të baterive, edhe fabrika e prodhimit të pikave të ngarkimit dhe ndërrimit të baterive e NIO-s është ndërtuar gjithashtu në Hungari.
Si prodhuesja më e madhe e baterive të automjeteve në botë, CATL-i investoi 7.34 miliardë euro në Debrecen të Hungarisë. Ky projekt u konsiderua në atë kohë “vepra më e madhe me investime të huaja në historinë e Hungarisë”.
Tani investimi i BYD në fabrikën hungareze mund të vendosë një rekord të ri.
Foto nga VCG
Prodhuesit e baterive të automjeteve kanë zbarkuar në Hungari njëri pas tjetrit, në saje të politikave preferenciale të qeverisë hungareze.
Në vitin 2016 Hungaria prodhoi gjithsej 526 500 automjete me benzinë. Asokohe qeveria hungareze formuloi një plan zhvillimi të automjeteve elektrike, duke kërkuar rritje të konsiderueshme të prodhimit të automjeteve elektrike dhe duke promovuar përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës së ngarkimit nëpërmjet hartimit të ligjeve dhe rregulloreve.
Deri në fund të vitit 2023, Hungaria vazhdoi të zhvillojë automjetet elektrike dhe njoftoi se do të zbatonte një plan të subvencionimit të automjeteve elektrike me vlerë 60 miliardë forinta hungareze, për të promovuar automjetet elektrike.
Gjatë dy vjetëve e gjysmë të ardhshëm, qeveria do të investojë 30 miliardë forinta për të ndërtuar 170 stacione ngarkimi me kapacitet të lartë dhe 30 miliardë forinta të tjera jepen subvencione për sipërmarrjet individuale, kompanitë e ndarjes së përbashkët të makinave dhe drejtuesit e taksive që blejnë makina elektrike, furgonë të vegjël elektrikë ose kamionçina elektrike.
Foto nga VCG
Qeveria e vendit krijon një mjedis investimi për sipërmarrjet me investime të huaja nëpërmjet kreditimit të taksave, subvencioneve financiare, politikave preferenciale të tokës etj.
Si një pikë tranziti në Evropë, Hungaria është bërë një qendër e rëndësishme për trenat e mallrave Kinë-Evropë. Gjatë epidemisë, tregtia midis Kinës dhe Hungarisë, përkundër prirjes së përgjithshme, u rrit me më shumë se 14 %. Numri i trenave të mallrave Kinë-Evropë për në Hungari njohu një rritje me më shumë se 300 %. Kina e kaloi Gjermaninë dhe u bë partnerja më e madhe tregtare e Hungarisë.
Hungaria është vendi i parë evropian që u bashkua me nismën “Një brez, një rrugë”. Para kësaj, Hungaria ishte gjithashtu vendi i parë i Evropës Qendrore dhe Lindore që krijoi një sistem kleringu në RMB të vendit të Evropës Qendrore me Kinën dhe emetoi bono në RMB.
Hekurudha Hungari-Serbi në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” ka një gjatësi të përgjithme prej 341.7 km, duke shkurtuar kohën e udhëtimit ndërmjet dy kryeqyteteve në tre orë. Ajo gjithashtu kontribuon për logjistikën evropiane.
Si një vend me industri tradicionale të automobilave, Hungaria është përfshirë në prirjen e bashkëpunimit me Kinën në prodhimin e makinave të reja. Kjo ka ardhur jo vetëm nga transformimi pozitiv i Hungarisë, por edhe nga ndikimet globale të automjeteve kineze në mbarë botën. (Çang Çuo)/Artikulli dhe fotot jane ofruar nga CRI.CN